A përpiqesh të shërbesh apo të sundosh?

Feb 27 • Meditimi i ditës

 27 shkurt 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 1,10.16-20; Ps 49; Mt 23,1-12)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i përgjërohemi Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë shumë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë, o Zot.

 

Liria

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?
Lutem për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë për atë çka Hyji dëshiron të më komunikojë.

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej realisht.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm,
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 23,1-12

 

1 Atëherë Jezusi i tha turmës dhe nxënësve të vet:

2 “Në katedrën e Moisiut ndenjën skribët e farisenjtë. 3 Pra, ju duhet t’i dëgjoni e të zbatoni gjithçka t’ju thonë, por mos bëni si bëjnë ata. Ata nuk veprojnë siç thonë. 4 Ata lidhin barrë të rënda që mezi mund të barten dhe ua ngarkojnë njerëzve në krahë, kurse vetë as me gisht nuk i luajnë.

5 Pastaj të gjitha veprat e veta i bëjnë me qëllim që t’i shohin njerëzit. Këndej i zgjerojnë filakteritë e veta dhe i zgjasin thekët. 6 Në gosti dëshirojnë kryet e vendit, në sinagoga vendet e para, 7 përshëndetjet në sheshe dhe të quhen prej njerëzve ‘rabbi’.

8 Ju mos lejoni t’ju quajnë rabbi, sepse vetëm njëri është Mësuesi juaj, kurse ju të gjithë jeni vëllezër. 9 Dhe përmbi tokë mos thirrni askënd Atë, sepse keni vetëm një Atë ‑ atë që është në qiell! 10 Gjithashtu mos lejoni t’ju quajnë udhëheqës ‑ sepse keni vetëm një Udhëheqës ‑ Krishtin! 11 Më i madhi ndër ju le të jetë shërbëtori juaj. 12 Sepse, kush krenohet, do të përvujtërohet e kush përvujtërohet do të lartësohet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezus, udhëheqësve fetarë të kohës tënde u ke krijuar vështirësi. Por si më shikon mua? A jam duke luajtur lojëra në mënyrë që njerëzit të mendojnë se jam i/e rëndësishëm/e? Sa kujdesem për sjelljen time të jashtme? A e keqpërdori prestigjin ose pushtetin tim? Më ndihmo që të jem si ti për nevojtarët një shërbëtor i përvuajtur.
  • Jezusi po na tregon se të krishterët do të duhej të kërkonin mënyra për të shërbyer dhe jo të luftojnë për tituj të lartë. Nëse gjithë ditën punoj në shërbim të të tjerëve atëherë jam më afër Birit të Hyjit, që donte të jetë shërbëtor. Po të kishte kërkuar Jezusi punë do të zgjedhte një profesion shërbyes, jo një vend të pozicionuar lartë. Edhe papa është i ftuar që të jetë shërbëtor i shërbëtorëve të Hyjit!

 

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm edhe një herë, nëse duhet më shumë herë,
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lutem në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me besim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »