A mos mendoj se jam më i/e mirë se tjetri?

Feb 28 • Meditimi i ditës

28 shkurt 2018 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 18,18-20; Ps 30; Mt 20,17-28)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar me punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të rri me ty.

 

Liria

Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;

zhurmën që e ndërpret marrëdhënien e vendosur, që ndanë.

Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

I jap vetes kohë dhe e lexoj, dëgjoj Fjalën e Zotit,

dhe ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Mt 20, 17-28

 

17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, i mori veçmas të dymbëdhjetët dhe udhës u tha:

18 “Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet kryepriftërinjve e skribëve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 e do t’ua dorëzojnë paganëve për ta vënë në lojë, për ta frushkulluar e për ta kryqëzuar. Por ai të tretën ditë do të ngjallet.”

20 Atëherë iu afrua nëna e bijve të Zebedeut me të bijtë dhe e përshëndeti me fytyrë për dhe për t’i lypur diçka. 21 Jezusi i tha:

“Çka dëshiron?”

Ajo iu përgjigj:

“Urdhëro që këta të dy, bijtë e mi, të rrinë në Mbretërinë tënde njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde.”

22 Jezusi u përgjigj:

“Nuk dini çka lypni. A mundeni ta pini ju kelkun që unë do ta pi?”

“Mundemi!” ‑ iu përgjigjën.

23 Jezusi vijoi:

“Me të vërtetë ju do ta pini kelkun tim, por të më rrini njëri në të djathtë e tjetri në të majtë, nuk është në dorë time t’jua japë, por do t’u jepet atyre, për të cilët u bë gati prej Atit tim.”

24 Kur morën vesh dhjetë të tjerët, u zemëruan me dy vëllëzërit. 25 Atëherë Jezusi i thirri pranë vetes e u tha:

“Ju e dini se sunduesit zotërojnë mbi popujt e vet e princat e tyre i mbajnë nën pushtet. 26 Porse, ndërmjet jush nuk duhet të jetë ashtu! Përkundrazi, ai që prej jush do të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, 27 kurse ai që ndër ju dëshiron të jetë i pari, le të bëhet skllavi juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut, që s’erdhi për të qenë shërbyer, por për të shërbyer e për të flijuar jetën e vet si shpërblim për të gjithë!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

·                    Jezusi gjallërisht i përshkruan procedurat poshtëruese të cilave do t`iu ekspozohet gjatë mundimeve të tija. Ai këtë e bën për t`i forcuar nxënësit.

·                    Çdo herë kur veprojmë me dashuri, e ekspozojmë veten të jemi të pambrojtur. Njerëzit do të na shfrytëzojnë, por premtimi qëndron se dashuria përfundimisht do të korrë fitore. E falënderoj Zotin për këtë.

·                    Jezus, të ka ardhur neveri nga çdo formë dominimi, sundimi. Mbretëria e Hyjit do të jetë një bashkësi pa sundimin e njërit mbi tjetrin. Tani po shoh se si Kishat e krishtera kanë rënë në grackën e dominimit. A mbaj nën pushtet ndokënd? A më shkon mendja ndonjëherë se jam më i/e mirë se të tjerët?

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm edhe njëherë, nëse duhet edhe disa herë, e pastaj
lejoji vëmendjes tënde të të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.

Dashuria ime u përhaptë dhe i prektë të tjerët.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »