Rëndësia dhe vlera e fjalës

Mar 1 • Opinion

Dhuratë që Zoti ia bëri vetëm njeriut

 

Nga M.Franciska (Suzana) Lekaj

Sot, ofrohen trajnime të ndryshme apo thanë ndryshe, kurse përgatitore e mirë orientuese, se si të aftësohet individi për të referuar në audienca tё një rëndësie me impakt tё gjerё shoqёror, në takime përballё grupeve të ndryshme dhe gjithashtu, si të jetë një orator sa më i mirë. Nuk mungojnë  trajnime për formimin profesional, reklamimi i dietave, i kremrave, i shumë modeleve veshjesh, e të gjitha këto vetëm e vetëm, se si njeriu të paraqitet dhe tё duket sa mё mirë dhe sa më bukur, jo vetёm para vetes, por sidomos para tjetrit. Tё gjitha kёto pёrpjekje, qё nё plan tё parё mund tё kenё rëndësi dhe dobi pёr individin, nuk janё aq të rëndësishme dhe me vlerë nёse mesazhi qё synohet tё pёrcillet tek tjetri, nuk kurorёzohet me fjalёn dhe pёrdorimin e mençur dhe tё matur tё saj. Aftёsi kjo e fundit qё e dallon njeriun nga tё gjitha qeniet e gjalla qё e popullojnë botën.

Pra, duket se është harruar se ajo që e bën të bukur, të urtë, dhe me vlera, njeriun është fjala, kujdesi dhe pёrdorimi i saj. Ndaj, mjerisht, pak ose aspak ofrohen trajnime, apo kurse tё formimit vetjak, se si të edukohet e të aftësohet individi pёr mënyrën dhe përdorimin e të folurit, si në të përditshmen përballë vetes e tjetrit, ashtu dhe për përdorimin e tij për të ditur tё flasё bukur, qetё, qartë, dhe gjithashtu se si duhet të përdoren fjalët e përshtatshme  në biseda tё lira ose angazhuese, e po ashtu  të edukohet, tё formohet, që sa më pak  të përdorё një fjalor fyes, ofendues, përçmues, shkatërrues, vrasës etj. “Me anë të fjalës njihet urtia e në përgjigje të gjuhës dija.”(Sir 4, 29 Pra nga mënyra e të folurit reflektohet çdo bukuri dhe dituri.

Thuhet se jeta është e përbërë nga fjalët, e jo më kot, sepse falё saj njeriu hyn në kontakt me tjetrin, me atë që jeton e bashkëpunon, e me të gjithë ata që e rrethojnë. Gjithashtu me anë të saj, ai arrin të shfaq dëshirat, nevojat, falënderimet, mirënjohjen, dhimbjen, dhe ngushëllimin. Vlera dhe rëndësia e fjalës është e pazëvendësueshme.

Në Shkrimin e Shenjtë, Jakobi thotë: “Gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mund të mburret për gjëra të mëdha.”(Jak 3, 5) Kёshtu edhe njeriu, mund të bëjë shumë me ndihmën e saj: të shërojё shumë plagë në zemrat e njerëzve, të kthejё shumë buzëqeshje, të largojё shumë rrudha në fytyrat e  tyre, dhe të dhurojё shpresë. Fjala, është ajo që  kthen gëzimin e shpresën tek të gjithë ata që vuajnë si; të burgosurit, të sëmurët, të vetmuarit, të braktisurit etj. Është çelësi i çdo marrëdhënieje e suksesi. E për këtë kërkohet shumë kujdes, nё mёnyrёn se si përdoret dhe për çfarë përdoret. Sepse, qëllimi i fjalës është edukimi, mbështetja, bekimi dhe shërimi, e jo fyerja, poshtërimi, mallkimi, shkatërrimi, vrasja, edhe pse, këto të fundit  mund të dëgjohen apo edhe të përdoren shpesh.

Shpeshherë dëgjohet se flitet për vrasje të ndryshme, që ndodhin prej dhunës fizike, por asnjëherë nuk flitet se sa të lënduar e të vrarë mbesin njerëzit, përballë fjalëve që u thuhen nga të tjerët, e gjithashtu, sa herë përjetojnë dhunë psikologjike. A jeni ndalur ndonjëherë për të pyetur veten se: mos vallë jam edhe unë një vrasës\ vrasëse me fjalorin që përdor, me paragjykimet, gjykimet, me thashethemet? A mos janë fjalët e mia shkak konflikti e urrejtje, shkak ndarjeje? Mos jam edhe unë ai\ajo, që shkaktoj/n dhunë psikologjike të vazhdueshme, me fjalorin, me tonin e vrazhdë?

Nëse duam të jemi realistё dhe tё vёrtetё me veten, mund të thuhet se të paktën një herë, e mos më shumë akoma, kemi rënë në këtë kurth të tё folurit, e ndoshta vazhdojmë ende, të jemi vrasës të tillё, tё përditshëm me fjalë.

Duket, se është urgjente që të bëhet  kujdes me fjalët, që përdoren ndaj vetes, tjetrit, prindërve, fëmijës, gruas, burrit, kolegut, të afërmit, mikut. Sepse, nga moskujdesi dhe nga përdorimi i papërshtatshëm i saj, kundrejt personave dhe situatave të ndryshme, ndodh të shkaktohen shumë plagë, tё tilla që mbesin në kujtesë për një kohë të gjatë. E ky, nuk është qëllimi i fjalës. Sepse fjalët, kanë peshë e duhen respektuar, po nuk i respektove ato, nuk respekton dot, as veten, dhe as bashkëbiseduesin.

 

Arti i të folurit

Të dish të flasësh është art në vete, por jo aq i lehtë apo i thjeshtë sa mund të na duket në vёshtrim të parë. Sepse, nuk mjafton të hapësh gojën, të njohësh dhe tё rrёfesh një mori historish të ndodhura apo tё lexuara, apo të përdorësh argumente, citime, e fraza të famshme. Të dish të flasësh, do të thotë të dish, të ndihmosh dhe të edukosh.  Këtu, natyrshëm lind pyetja: Sa fjalët e mia apo e folura ime është ndihmë, edukim, dhe shpresë, për tjetrin? Nëse asnjëherë nuk keni menduar rreth kësaj pyetje, bëjeni tani sot, këtu dhe vazhdimisht, sidomos kur ju kërkohet të flisni. Sepse, të dish të flasësh, do të thotë të dish të edukosh, e të dish të edukosh, do të thotë të bëhesh i pavdekshëm nëpërmjet koncepteve të tua për pasardhësit e për ata që të ndjekin: “I urti e nderon veten me fjalë.”( Sir. 20,29)

Gjithashtu, kërkohet që të jemi të vetëdijshëm tё faktit se, të dish të flasësh nuk është çështje sasie por cilësie. Ndaj, që të arrihet kjo cilësi, kërkohet shpirti, pjekuria, thjeshtësia, gatishmëria, inteligjenca, zëri, mimika. Të gjitha këto, na ndihmojnë për një të folur, sa më të mirë dhe efikase. Sepse, mënyra se si personi flet, si i thotë fjalët, me sa thjeshtësi, me sa gatishmëri, me sa inteligjencë, dhe se me çfarë toni, janë tregues, mjaftueshёm tё fortё dhe bindёs për personalitetin e tij.

Personi, i cili di të flasё fiton simpati, respekt, është po ai që thotë atë çka mendon dhe ndjen në momentin e në kohën e duhur, e po ashtu edhe personit të duhur. Gjithashtu, të dish të flasësh do të thotë të dish të heshtësh, sepse ata që dinë të flasin me respekt, kulturë, modesti, nuk e kanë të vështirë  të heshtin. N. Jorgaqi thotë: Mësova të flas kur dija të hesht e të dëgjoj. Po ashtu, të dish të flasësh, do të thotë të dish të dëgjosh. Të gjitha këto, individi mund t’ia mësojё, e t’ia edukojё vetes, çdo ditë. Pikёrisht, për këtë arsye, ja pse mund të thuhet se; të dish të flasësh, është  arti i komunikimit, tё cilin të gjithë mundet ta mësojnë.

 

Kujdesi ndaj fjalës

Ashtu sikur njeriu rregullohet para pasqyrës, me qёllimin e vetёm sesi të duket dhe tё dalё bukur para tjetrit, po kështu kërkohet që të kujdeset edhe sesi të flasё bukur. Si t’i kontrollojё fjalët, fjalorin, tonin që përdor. Duhet që të  ketë kujdes, që të mos përdorё një fjalor të vrazhdë e fyes. E këtë gjё na e këshillon edhe  Shkrimi i Shenjtё: “Fjala juaj të jetë gjithmonë e ëmbël, plot urti. Të dini t’i përgjigjeni gjithkujt si duhet.”(Kol 4, 6) Po ashtu, të bëhet kujdes që të mos flitet tepër. Sepse: “Në fjalët e shumta nuk mungon mëkati, kurse kush i zotëron buzët e veta është shumë i mençur.”(Fu 10, 19). Gjithashtu, kërkohet të bëhet kujdes nga përdorimi i fjalëve të ndyra:

Asnjë llafe e ndytë të mos dalë prej gojës tuaj, por, nëse është nevoja, thuajeni fjalën e mirë që t’i ndërtojë e t’u sjellë hir atyre që dëgjojnë.( Ef  4, 29).Nëse njëri‑tjetrin nuk e lini në paqe me fjalë dhe ia breni njëri-tjetrit jetën me ngatërresa, hapni sytë: po e qitni fare njëri‑tjetrin!( Gal 5, 15). Goja juaj të mos përdorё fjalë të ndyta! Mos rreni njëri-tjetrin!(Kol 3, 8-9). Mos e mëso gojën tënde në fjalë të ndyta sepse me to bën mëkat me fjalë.(Sir 23, 17).

Këtu, secili mund të ndalet e të  bëjë një shqyrtim, apo një mini-analizё, duke e pyetur veten: A ndodh që të dalin nga goja ime fjalë të ndyra, fjalë fyese, gënjeshtra? Fjalët që përdor, a janë shkatërruese apo ndërtuese për ata që i dëgjojnë? A ju sjellin hir, bekime, paqe, shpresë e qetësi? Apo, nga fjalët e mia rrjedhin shumë konflikte, ngatërresa, xhelozi, inate, thashetheme…? Shumë e shumё pyetje të tjera mund t’ia drejtojmë vetes, për të parë se ku jemi përsa i përket përdorimit të fjalës. Të gjithë gabojmë, shumë herё në mënyra të ndryshme e kryesisht, me mënyrën se si flasim, por vetëm nëse bëjmë pak kujdes, gjithçka mund të jetë ndryshe. “Në qoftë se ndokush nuk gabon në fjalë ai është njeri i përsosur, i aftë të sundojё mbarë trupin.”(Jak 3, 5).

Gjithashtu, duhet të kihet kujdes të mos flitet me ironi, përçmim, me fjalë therëse e dykuptimshme. “Njeriu nga mënyra se si flet tregon se si është brenda.” (Sir 27, 5). “Çka del nga goja, del nga zemra e kjo e bën njeriun të papastër. Sepse nga zemra dalin qëllimet e këqija, vrasjet, kurorëthyerjet, fëlligështia, vjedhjet, dëshmitë e rreme, blasfemitë. Këto e përlyejnë njeriun.” (Mt 15, 18-20) . “Çka ka zemra qet goja.” (Mt 12, 34).

Kështu, personi nga mënyra se si flet, tregon se kush është dhe çfarë ka në zemrën e tij. Pra, kërkohet që të kihet kujdes me fjalët sepse është shumë e vështirë të harrohen. Sidomos, nëse ndodh që fjala të bëhet nxitje konflikti, ngatërrese, jemi duke e vrarё e shkatërruar tjetrin çdo ditё e në çdo minutë. Po ashtu, kërkohet kujdes edhe nga përdorimi i tonit, sepse nuk është toni ai që e bën fjalën bindëse, por mënyra se si zgjedhim për ta shprehur. Rumi thotë: Ngri fjalët e tua, jo zërin tënd. Është shiu që rrit lulet dhe jo rrufeja. Pra, duhet një modesti dhe finesё në të folur, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë, të butë e të ëmbël si ndaj vetes, po ashtu dhe ndaj tjetrit. Njё kujdes i tillё, vlen edhe  gjatë përdorimit të mjeteve të tjera tё komunikimit si; telefoni, posta tradicionale dhe ajo elektronike,media audio-vizive dhe e shkruar, etj.

“Goja e ëmbël i shton miqtё e i zbut armiqtё, gjuha e njerëzishme sjell përshëndetje.”(Sir 6, 5). “Fjalët e ëmbla janë hoje mjalti, kënaqësi e shpirtit e shëndet eshtrash.”( Fu 16, 24). “Gjuha e ëmbël është dru e jetës, kurse e ashpra plagos shpirtin. (Fu15,4). “Gjuha e butë i copëton eshtrat.” (Fu  25, 15). Aftësia e të folurit është e pashoqe, dhe na ndihmon të ndihemi mirë, e t’i bëjmë të tjerët të ndihen mirë kur e përdorim siç duhet.

Joel Osteen thotë: Bëj kujdes me ato që thua. Mund të thuash diçka që lëndon në dhjetё sekonda por dhjetё vjet më vonë plagët janë ende aty. Pra, sa kujdes kërkohet të kemi nga fjalët që përdorim sepse vështirë se harrohen,dhe ngelen peng në zemrën e personit për njё kohë të gjatë:

“Pesho mirë fjalët e tua dhe vëri gojës sate frerë të drejtё.” (Sir 28, 29). “Kurrë mos e përsërit fjalën e keqe e të rëndë e me siguri nuk do të kesh farë dëm.” (Sir 19, 7). “Kush është i kujdesshëm në fjalë, do të gjejë të mira”. ( Fu16, 20). “Kush flet pa peshuar, ther me shpatë, kurse gjuha e të urtëve është shërim.”(Fu 12, 18). “Kush e ruan gojën e gjuhёn e vet, ruan vetveten nga të vështirat.” (Fu 21, 23). “Kush i frenon fjalët e veta është njeri i mençur, kush di ta ruajё qetësinë, është njeri i matur.” (Fu 17, 27). 

Nga kjo, mund ta kuptojmë se sa shumë rëndësi ka fjala, dhe sa i domosdoshëm është kontrollimi i fjalorit dhe mënyra e të shprehurit para vetes, e sidomos përballё tjetrit. Peral Strachan Hurd thotë: Kontrolloni fjalët, sepse fjalët kanë më shumë  fuqi sa bombat atomike.

Kujdesi ndaj përdorimit të fjalës është i rëndësishëm, sepse është një armë e tmerrshme si të gjitha armët vdekje prurёse, e shumë delikate për t’u përdorur. Ajo, mund të bëhet shkaktare e shumë vrasjeve, dhimbjeve, vuajtjeve e konflikteve. E sidomos, kur përdoret për shpifje, thashetheme, përqeshje, gjykime, paragjykime dhe përulje, është arma më e shpeshtë që shkakton vuajtje e dhimbje tek tjetri. Po ashtu, Shkrimi i Shenjtë vazhdon të na ndihmojё për të kuptuar, sa i rrezikshëm është njeriu fjalëkeq dhe shpifsi ku thotë: “Njeriu fjalëkeq është tmerri i qytetit, e ai që nuk i hyn gjuha në gojë bëhet i iritshëm.” (Sir 9, 25). “Shpifsi të mirën e shëndrron në të keqe i dangos edhe njerëzit e virtytshëm”. (Sir 11, 33). Mirëpo, ajo që kërkohet nga gjithsecili është që t’ia përsërisni vazhdimisht vetes: bëj kujdes me fjalët!

Mos të harrohet gjithashtu se qëllimi i fjalës është  të ndërtojё,  të qetësojё dhe të sjellё paqe përballё atyre që e shprehin, dhe atyre që e dëgjojnë, e jo të ndodh e kundërta siç rёndom mund të ndodh. Qëllimi i saj është të ndërtojё ura e jo mure, që ta bllokojё e izolojё tjetrin. Juhed Berg thotë: Fjalët kanë energjinё dhe fuqinё, që të ndihmojnё, të shërojnё, të nderojnë, të dëmtojnë të poshtërojnë dhe të përulin. E kjo varet nga individi se çfarë  zgjedh dhe si zgjedh, ta përdorë atë. A lejon ai që  ta drejtojё fjalën apo fjala ta drejtojë atë?

Kujdesi ndaj fjalës ka të bëjë shumë, sepse me një fjalë të mirë mund të ndryshohet jeta e tjetrit, e po ashtu, mund të ndodh e kundërta. Nënë Tereza thotë: Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është vërtet e pafundme.

Duhet që të vlerësohet e të çmohet rëndësia e fjalës, sepse  ndihmon në zgjidhjen dhe në përballimin e problemeve më të rënda. Ta kujtojmë vazhdimisht faktin, se  fuqia e fjalës nuk humb asnjëherë: Fjala është për shpirtin sikur medicina për trupin.

Pra, duhet ta kemi vazhdimisht në kujtesë se, sot, njeriu më shumë se asnjëherë ka nevojë për një fjalë të mirë, të ëmbël, të butë, një fjalë shprese dhe ngushëllimi, e një fjalë, që përcjell qetësi e që mbanë brenda një mesazh:

“Kush është i kujdesshëm në fjalë, do të gjejë të mira dhe ai, që shpreson në Zotin, është i lum.” (Fu 16, 20 ).” Kush e ruan gojën e vet, ruan jetën e vet, kurse kush flet pa u matur birret.” (Fu 13, 3). “Rudheni gjuhёn nga shpifjet sepse as fjala e fshehur nuk do të shkojё huq dhe goja që rren shpirtin e mbytë.”( Ur 1, 11). 

Nё mbyllje, ajo qё ngelet për t’u thënë, apo për t’u përsëritur është një porosi: Bëj kujdes me fjalët, mos fol keq për askënd, mos i fol keq askujt, pasi fjalët e mira i duhen dhe pёr to ka nevojё çdokush prej nesh./drita.info

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »