Zoti më do pavarësisht se si sillem
2 mars 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zan 37,3-4.12-13.17-28; Ps 104; Mt 21,33-43.45-46)
Prania e Hyjit
Shpirti im me afsh e dëshiron praninë tënde, o Zot.
Kur i drejtoj mendimet e mia kah ti,
e gjej paqen dhe pushimin.
Liria
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
I lutem Hyjin që nëpërmjet lirisë time
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.
Ndërgjegjësimi
Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që m`i ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.
Fjala
Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim, shpresë.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe që ai mund të të frymëzojë ta zbulosh çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.
Mt 21, 33-43.45-46
33 “Dëgjojeni shëmbëlltyrën tjetër:
Ishte një zot shtëpie që kishte mbjellë një vresht. E thuri me gardh, punoi shtrydhësin e rrushit, ndërtoi kullën, ua dha vreshtarëve ta punojnë për gjysmë dhe shkoi në vend të huaj.
34 Kur u afrua koha e të vjelave, dërgoi te vreshtarët shërbëtorët e vet për të marrë frytin që i takonte. 35 Vreshtarët i kapën shërbëtorët: njërin e rrahën, një tjetër e mbytën e një tjetër e vranë me gurë. 36 Prapë dërgoi shërbëtorë të tjerë, më shumë se të parët, porse edhe atyre ua bënë ashtu.
37 Në fund dërgoi të birin duke menduar: ‘Do të kenë nderim ndaj djalit tim!’ 38 Porse vreshtarët, kur e panë djalin i thanë njëri‑tjetrit: ‘Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe neve do të na mbesë pasuria e tij.’ 39 E kapën, e qitën jashtë vreshtit dhe e vranë.
40 Tashti, kur të vijë i zoti i vreshtit, çka do t’u bëjë këtyre vreshtarëve?”
41 Iu përgjigjën:
“Të këqijtë do t’i shfaros keqas e vreshtin e vet do t’ua japë vreshtarëve të tjerë, të cilët do t’i japin frytin posa të vijë koha e të vjelave.”
42 Jezusi u tha:
“A nuk e lexuat asnjëherë në Shkrimin e shenjtë:
‘Guri që ndërtuesit e qitën jashtë përdorimit
u bë guri i këndit;
kjo është vepër e Zotit,
sa mrekulli në sytë tanë!’
43 Prandaj ‑ po ju them ‑ juve do t’ju hiqet dore Mbretëria e Hyjit e do t’i jepet një populli që i prodhon frytet e saj!”[44].
45 Kryepriftërinjtë e farisenjtë, kur i dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e morën vesh se po fliste për ta. 46 Kërkonin ta zinin, por druanin popullin sepse e mbante për profet.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Një nga deklaratat nga më të dhimbshmet të Ungjillit është komenti i babait të pafajshëm: “Ata do të respektojnë djalin tim.” Kam frikë edhe t`i çoj mendtë se çfarë do të ndodhte nëse Jezusi do të vinte sot në botën tonë.Mesazhi i tij në lidhje me Mbretërinë e Hyjit do ta vendoste atë në kundërshtim me shumë mbretëri të sotme. Ai do të bëhej armiku që do duhej eliminuar.
- Jezus, të hodhën jashtë dhe të vranë. Por ti nuk je hakmarrë. Në vend të kësaj, ti i ke justifikuar torturuesit e tu dhe me anë të dashurisë sate i ke pajtuar njerëzit me Hyjin. E ke treguar se si duket dashuria hyjnore. Mëdo pavarësisht se si sillem. Bëj që të tjerëve gjithmonë të mund t`ua dua të mirën dhe në vend të hakmarrjes të lutem për ta kur më lëndojnë.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.
Bashkëbisedimi
Talenti i të folurit është një dhuratë e jashtëzakonshme.
Bëj që këtë dhuratë të mund ta përdori me dashamirësi.
Qofsha i ngadalshëm kundrejt fjalëve të vrazhda që plagosin,
kundrejt fjalëve të thëna në zemërim.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Caritas Kosova: shfaq dokumentarin “Mos më pyet çfarë nuk mundem – më pyet çfarë di” Zoti kurrë s`pushon të ma dëshirojë të mirën »