Zelli për Shtëpinë tënde më bren!

E diela III e Kreshmëve (B)

 

Leximi i parë   Dal 20,1-17

Në planin e tij të dashurisë, Hyji zgjedh Moisiun për t’i shpallur ligjin e tij popullit të zgjedhur dhe për të lidhur me të besëlidhjen. Dhjetë urdhërimet kanë vulën e Hyjit, sidomos në fillim kur kujtohet fuqia dhe nisma e Hyjit drejt popullit të tij. Hyji që ka çliruar Izraelin kërkon bindje dashurie ndaj ligjit që do të bëhet i përsosur me ardhjen e Krishtit. 

 

Lexim prej Librit të Daljes

Atëherë Zoti i tha popullit nëpërmjet të Moisiut të gjitha këto fjalë: “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë. Mos ki tjetër zot, përveç meje. Mos bëj kurrfarë idhulli as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet. Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi. Nderoje babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti Hyji yt. Mos vraj! Mos bëj kurorëthyerje! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rrejshme kundër të afërmit tënd! Mos e lakmo shtëpinë e të afërmit tënd. Mos e lakmo gruan e tij, shërbëtorin, shërbëtoren, as kaun, as gomarin, asnjë gjë që i përket atij. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   19

 

Ref: Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur

——————————————-

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

——————————————-

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

——————————————-

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta, të gjitha një të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

——————————————-

 

 

Leximi i dytë   1 Kor 1, 22-25

Hebrenjtë donin një Hyj që të zgjidhte problemet e tyre me anë të mrekullive; por mbi kryq Krishti hesht. Grekët donin një Hyj që të dërgonte harmoni në univers; dhe Krishti zgjedh vuajtjen dhe vdekjen. Si për të parët ashtu edhe për të dytët Jezu Krishti është një skandal.  Por për atë që beson Krishti është fuqia dhe dija e Hyjit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar – për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj si për grekë – Krishtin, fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit; e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit. Fjala e Zotit.

 

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, ta ketë jetën e pasosur.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Gjn 2, 13-25

Jezusi duke dëbuar tregtarët nga tempulli, shpall fundin e ligjit, të tempullit dhe të flisë. Pas ngjalljes së tij paraqet vetveten, trupin e tij të lavdishëm si tempulli i vërtetë i Hyjit.  Ngjallja do ta bëjë trupin e tij banesën e Shpirtit Shenjt. Jezusi vetë do të jetë prania e Hyjit për të gjithë gjithmonë dhe kudo.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe thyes të të hollash duke ndenjur aty. Atëherë e punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Thyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. Shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!” Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrim e shenjtë: “Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”. Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën: “Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” Jezusi u përgjigji: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli – i përgjigjën judenjtë – e ti do ta ndërtosh për tri ditë?” Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit shenjt dhe fjalës që tha Jezusi. Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda. Fjala e Zotit.

 

Porosia

Feja edhe për ne ndonjëherë, ashtu si për shitësit në tempull, nuk është një përvojë që ka si qëllim kërkimin e lavdisë së Hyjit e të shenjtërisë sonë.

“Ishin afër Pashkët e hebrenjve”. Jerusalemi është qyteti ku Jezusi përfundon planin e shpëtimit të njerëzimit. Gjoni nënvizon ndryshimin mes pashkëve hebraike e pashkëve të krishtera.

“Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash”. Pashkët hebraike kishin humbur domethënien e tyre, duke shndërruar kujtimin e çlirimit në një ngjarje pazari. Jezusi, refuzon përdorimin tregtar e rikujton kuptimin e thellë të tempullit që është shtëpia e Atit. Hyjit Atë, duhet t’i kushtojmë kultin jo të përbërë nga flijimet materiale, por një kult shpirtëror e të brendshëm për ta jetuar në dashuri.

“Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” Judenjtë i kërkojnë Jezusit një shenjë mrekullie që të shfaqë autoritetin e tij. Ai propozon jo një mrekulli të mahnitshme, por një gjest profetik: ngjalljen e tij. Pohon se do ta shndërronte tempullin e vjetër (prej guri) në një të ri (trupin e tij), që do të zbulonte hyjninë e tij.

“Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet”. Trupi i Jezusit të ngjallur nga të vdekurit, është vendi i shfaqjes së Hyjit në mes të njerëzimit: është tempulli i vërtetë. Kulti tani e tutje do t’i referohet personit të tij. Trupi i tij i kryqëzuar e i ngjallur na fton të përforcojmë besimin tonë, për të jetuar kultin në Hyjin në liri e në vërtetësi të tempullit, që është njerëzimi i Jezu Krishtit.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, me largimin e tregtarëve prej tempullit, Jezusi na bën të kuptojmë se nuk dëshiron vetëm një kult të jashtëm, por një kult që vjen nga zemra e njeriut: veprimi i pastrimit që ai bëri, do që të ndryshojë zemrën tonë nga zemër guri në një zemër mishi.

Mirënjohës ndaj Zotit të themi: Ripërtërije zemrën tonë, o Zot.

L. Për Kishën, Korpi Mistik i Krishtit, që të ruajë me ndihmën e Shpirtit Shenjt të gjithë pastërtinë e brendshme, për të qenë tempull i shenjtë i Zotit, ku çdo njeri, gjymtyrë në Krishtin, të lëvdojë e të nderojë Atin. Të lutemi.

L. Për ata që kanë përgjegjësi civile e shoqërore, që ta ndjejnë thirrjen e Jezusit për të vepruar gjithmonë për të mirën e përbashkët me sinqeritet e ndershmëri. Të lutemi.

L. Për ata që vuajnë në trup e në shpirt, që fjala e Zotit t’u japë mbështetje në vështirësi, forcë në dhimbje e ngushëllim në dëshpërim. Të lutemi.

L. Për ne që marrim pjesë në këtë Meshë të shenjtë, që të dimë të hapim zemrën tonë ndaj Fjalës pastruese të Zotit. Të lutemi

M. O Zot besnik, që ke dërguar Birin tënd në botë, për të plotësuar veprën e Shpëtimit, plotësoji lutjet tona, duke kujtuar besëlidhjen e re e të përjetshme të bërë në gjakun e Tij të çmuar, na i fal pabesitë tona e mbaji në dëgjueshmëri drejt shpirtit Tënd. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: