Mbretëria e Hyjit iu takon vetëm atyre që falin

Mar 6 • Meditimi i ditës

 6 mars 2018 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 3,25.34-43; Ps 24; Mt 18,21-35)

 

Prania e Hyjit

Në këtë moment të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.

Po i lë anash të gjitha brengat dhe interesimet e mia

dhe po kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.

 

Liria

Lehtë është të biesh në kurthin e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma kujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i/e vetëdijshëm/e për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet qenë i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 18, 21-35

 

21 Atëherë Pjetri iu afrua dhe e pyeti:

“Zotëri, nëse vëllai im gabon ndaj meje, sa herë duhet ta fal? Deri në shtatë herë?”

22 Jezusi iu përgjigj:

“Nuk po të them deri në shtatë herë, por deri në shtatëdhjetë herë shtatë herë!

23 Prandaj Mbretëria e qiellit i përngjan mbretit që vendosi të rregullojë llogaritë me shërbëtorët e vet. 24 Kur filloi të bëjë llogari, i sollën njërin që i kishte detyrim dhjetë mijë talenta. 25 E, pasi nuk kishte t’ia kthente, zotëria i tij dha urdhër të shitej ai, gruaja e tij, fëmijët e tij dhe krejt pasuria e tij e të kthehej detyrimi. 26 Atëherë shërbëtori i ra ndër këmbe dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej të gjitha!’ 27 Zotëria pati mëshirë ndaj atij shërbëtori, e liroi edhe ia fali detyrimin.

28 Porse, pikërisht ky shërbëtor, duke dalë prej andej, u takua me një shok të tij, gjithashtu shërbëtor, që i kishte detyrim njëqind denarë. Dhe, si e zuri, ia ngjiti në fyt duke i thënë: ‘Ma kthe detyrimin!’ 29 Atëherë shoku i tij i ra ndër këmbë dhe iu lut: ‘Ki durim me mua dhe do t’i kthej.’ 30 Por ai nuk deshi dhe shkoi dhe e futi në burg derisa të kthente detyrimin.

31 Kur shërbëtorët e tjerë ‑ shokët e tij, panë se ç’ndodhi, u pikëlluan për së tepërmi, shkuan dhe e njoftuan zotërinë për krejt çka ndodhi. 32 Atëherë zotëria i tij e thirri dhe i tha: ‘Shërbëtor i keq, unë ta fala tërë borxhin, sepse m’u lute. 33 A nuk u desh që edhe ti të kishe mëshirë ndaj shokut tënd, sikurse edhe unë pata mëshirë ndaj teje?’ 34 Atëherë zotëria i tij, i hidhëruar, ua dorëzoi torturuesve derisa të kthente tërë detyrimin.

35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, nëse s’e falni me gjithë zemër secili vëllanë tuaj.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pjetri duhet të ketë qenë i tronditur kur dëgjoi se rruga për falje nuk ka kufij. Më vonë ai ishte i lumtur, sepse Jezusi e fal edhe pse e kishte mohuarmësuesin e vet. Ai e kuptoi se në qoftë se Hyji nuk pushon së faluri atë, edhe ky duhet ti falë të tjerët. Mbretëria e Hyjit iu takon vetëm atyre që falin.
  • O Zot, të falësh me zemër është hir për të cilin kam nevojë të lutem. Unë nuk mund ta bëj kë i vetëm, dhe jam i vetëdijshëm për këtë. Shpesh herë jam rob i keq.” Ti je gjithmonë aq mirë ndaj meje, dhe unë di ta ngurtësoj zemrën ndaj të tjerëve të cilët më kanë lënduar. Ki mëshirë për mua dhema ndrysho zemrën.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çka më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »