Errësira mundet me dritë
8 mars 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jer 7, 23-28; Ps 94; Lk 11, 14-23)
Prania e Hyjit
Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.
Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.
Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,
shpirti ynë sërish lartësohet.
Liria
S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia shpesh herë janë të fiksuara, të robëruara me iluzione se ato të gjitha duhet qenë të plotësuara.
I lutem Hyjit që nëpërmjet lirisë sime
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.
Ndërgjegjësimi
Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm për praninë tënde.
Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.
Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente
kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.
Fjala
Në gjendjen momentale të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me mirëbesim.
Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm
dhe që ai mundet të të frymëzojë për të zbuluar çfarë po të flet ky tekst i sotshëm.
Lexo me vëmendje dhe me kuptim; përgjo çfarë po ndodhë në zemrën tënde.
Lk 11, 14-23
14 Një herë Jezusi po dëbonte një djall [e ky ishte memec]. Kur djalli doli, foli memeci e populli u habit. 15 Disa prej tyre thanë: “I dëbon djajtë me ndihmën e Beelzebulit, kryetarit të djajve.” 16Disa të tjerë, pastaj, për ta vënë në provë, kërkonin prej tij një shenjë prej qiellit. 17 Por ai, duke i njohur mendimet e tyre, u tha:
“Çdo mbretëri, e përçarë në vetvete, shkretohet; një shtëpi bie mbi tjetrën. 18 Po qe se djalli është i ndarë në vetvete ‑ pasi ju po thoni se unë i dëboj djajtë me ndihmën e Beelzebulit ‑ si do të qëndrojë mbretëria e tij? 19 Tashti, pasi unë i dëbokam djajtë me ndihmën e Beelzebulit, bijtë tuaj, me ndihmën e kujt i dëbojnë? Prandaj, ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por, në qoftë se unë i nxjerr djajtë me pushtetin e Hyjit, atëherë me të vërtetë erdhi ndër ju Mbretëria e Hyjit!
21 Kur trimi i fortë, i armatosur mirë, e ruan pallatin e vet, mbarë pasuria e tij është e sigurt. 22 Por, kur vjen një më i fortë se ai, e mund atë, ia merr armët në të cilat shpresoi e i ndan plaçkat e tij.
23 Kush nuk është me mua, është kundër meje. Kush nuk bashkon me mua, shpërndan.”
Çka dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Misioni i Jezusit është për t`i dalë zot të keqes në të gjitha format e saja. Kjo është një detyrë e jashtëzakonshme: kjo do t`i kushtojë atij me jetë, por ne besojmë se do të ketë sukses.Errësira nuk mund t`i dalë zot dritës (Gjn 1,5). Do ta falënderoj Zotin për këtë, sepse kjo më jep shpresë për të vepruar në këtë botë.
- Satani apo djalli do të thotë “armiku” dhe e ka domethënien e gjithë asaj çka është në kundërshtim me mirësinë e Zotit. Ajo mund të jetojë nën një qeveri të korruptuar, ku ligjet e këqijashtypin të pafajshmit, dhe taksat e padrejta i pasurojnë të pushtetshmit.
- Unë vetë nuk mund të ndryshoj një institucion, por Zoti mund të më thërret për të protestuar kundër procedurave të gabuara. Unë mund dhe të lutem! Bashkësia e Momentit të Shenjtë – Lutjes së përditshme këtu mund të më përkrah me nijetet, qëllimet e lutjes.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,
e paramendoj Jezusin se si qëndron apo është ulur afër meje,
dhe i flas gjithçka kam në mendje, çka më thotë zemra,
si shoku shokut.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« A e kam kuptuar thelbin e fesë sime? Të (mos) duash, kjo është çështja! »