Kushdo beson në Jezusin do ta ketë jetën e pasosur!

Mar 10 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela IV e Kreshmëve (B)

 

Leximi i parë   2 Kro 36, 14-16.19-23

Shkatërrimi i Jerusalemit është simboli i refuzimit të Hyjit nga ana e popullit të Izraelit, që përshtatet me mentalitetin e popujve të afërm që besojnë në idhuj. Populli i Hyjit është zgjedhur për dashuri nga Hyji kur ishte i varfër dhe skllav i egjiptianëve. Dhe çdo herë që do të imitojë kombet pagane braktiset nga Hyji, ndërsa kur bëhet besnik Hyji e liron. 

 

Lexim prej Librit të dytë të Kronikave

Në ato ditë të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta duke i ndjekur fëlliqësitë e paganëve e duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jerusalem. E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre ua dërgonte me kujdes ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet. Por ata i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i bënin asgjë fjalët e tija dhe i vinin në lojë profetët deri që mbërriti në kulm hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim. Atëherë armiqtë e dogjën Shtëpinë e Hyjit, e rrënuan murin e Jerusalemit, i dogjën të gjitha pallatet, rrënuan gjithçka ishte me vlerë. Mbreti i treti në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës dhe u bënë skllevër të mbretit e të bijve të tij deri që u vendos mbretëria persiane, për t’u plotësuar fjala që Zoti e tha me gojën e Jeremisë: “Deri që toka të mos i zhdetyrojë të shtunat e veta, do të pushojë për tërë kohën djerr, deri që të mbushen shtatëdhjetë vjet.” Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit, që e kishte thënë me gojën e Jeremisë, Zoti e zgjoi shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, i cili shpalli – madje edhe me shkrim – në mbarë mbretërinë e vet: “Kështu urdhëron Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Hyji i qiellit, m’i dhuroi të gjitha mbretëritë e dheut dhe Ai më urdhëroi t’ia ndërtoj Shtëpinë në Jerusalem, që është në Judë.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   137

 

Ref: Kujtimi në ty, o Zot, është gëzimi ynë

————————————–

Mbi lumenj të Babilonit,

atje rrinim e lotonim,

duke sjellë në mend Sionin.

Në shelgje, në mes të tij,

harpat tona në gem i varëm.

————————————-

Shi atje shpërngulësit tanë

t’u këndojmë prej nesh kërkuan,

të gëzohemi shtypësit urdhëronin:

“Na i këndoni këngët e Sionit!”

————————————

Po si mund t’i këndojmë

këngët e Zotit në dhe të huaj?

Oh, m’u thaftë-o krahu mua,

Jerusalem për në të harrofsha.

————————————

Për qellzë gjuha m’u kaptë mua,

që të kujtoj ty nëse unë pushofsha,

në mos e vënça Jerusalemin

mbi të gjitha gëzimet e mia!

———————————

 

Leximi i dytë   Ef 2, 4-10

Dashuria e vërtetë refuzon logjikën e shkëmbimit.  Kur do me të vërtetë nuk thuhet: kam edhe unë të drejta, apo kam bërë detyrën time. Dashuria e vërtetë dashuron falas.  Krishti Jezus është shenja që Hyji na do, megjithë padenjësinë tonë. Kthimi i vërtetë gjendet në të pranuarit pa interes të dashurisë së Atit dhe pa bërë pazar me besimin.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin – ju jeni të shëlbuar me hir – dhe, bashkë me të, na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: që me mirësinë e tij ndaj neve në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të veten. Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave, që ndokush të mos lavdërohet. Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më para që të jetojmë në to. Fjala e Zotit.

 

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, që secili që beson në të ta ketë jetën e pasosur.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

 

 

Ungjilli   Gjn 3, 14-21

Nikodemi dhe të gjithë hebrenjtë prisnin në personin e Jezusit njeriun e fortë që do të vinte drejtësi dhe do të gjykonte botën. Por Jezusi paraqitet si Mesia që pranon të gjykohet në vend që të gjykojë. Gjykimi i vërtetë dhe i vlefshëm nuk vjen nga jashtë, por nga raporti që secili ka me të vërtetën e Hyjit.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit. E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija. Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija, kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tija u bënë siç thotë Hyji.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ne jetojmë me të vërtetë jo kur kemi lindur, sepse jeta jonë është e vdekshme, por kur jemi dashur nga një dashuri e amshuar që na bën të lirë të jetojmë e të duam. Dashuria e jashtëzakonshme e Hyjit për njeriun është në zanafillën e ekzistencës sonë.

“Jezusi i tha Nikodemit: ‘Sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti…’” Biseda e Jezusit me Nikodemin është si një sintezë e misterit të shpëtimit. Kryqi është shenja e shpëtimit, ashtu si një kohë kishte qenë gjarpri i lartësuar nga Moisiu. Ngritja e Birit të njeriut mbi kryq inauguron ngritjen e tij në lavdi.

“Që kushdo të besojë në Të ta ketë jetën e pasosur”. Vihet theksi mbi zgjedhjen e njerëzve për të besuar ose jo në Birin e Hyjit të mishëruar e të ngritur.

Hyji aq fort e deshi botën”. Hyji e do botën e dorëzon Birin e vet në kryq. Në zanafillën e planit të shpëtimit e të misionit të Birit qëndron dashuria e Hyjit për botën. Arsyeja e dërgimit të Birit nga ana e Atit është dhurata e jetës së amshuar për ata që do të besoj-në.

“Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën”. Edhe pse të gjykuarit ka kuptimin e dënimit, Biri i Hyjit është një prani që nxit njeriun të bëjë një zgjedhje, nga e cila varet gjykimi: kush zgjedh Birin e Hyjit fiton pjesëmarrjen në Jetën e tij hyjnore.

“Kush nuk beson, ai është dënuar”. Të besosh në Jezusin d.m.th. të kesh tani jetën, të mos besosh në Të d.m.th. të zgjedhësh vdekjen përfundimtare. Veprat e mira që Ati pret nga ne është të besojmë në Birin.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Ungjilli i sotshëm, na shtyn që të ecim në rrugën e kthimit plot me mirënjohje ndaj Hyjit që “e ka dashur aq shumë botën, saqë ka dhënë Birin e tij të Vetëm” për shpëtimin tonë. Të lutemi së bashku e të themi:

O Zot, na bëj të shenjtë.

L. Për Kishën shtegtare në tokë, që në ecjen e saj të mos bjerë në tundime e në mashtrime, por e drejtuar prej Shpirtit Shenjt, ta drejtojë me besim shikimin ndaj Krishtit, zbuluesi i Atit. Të lutemi.

L. Për kyetarët e shteteve, që sipas shembullit të Jezusit, që për dashuri ka dhënë jetën e Tij për ne, të mos përfitojnë prej detyrës që u është dhënë, por ta përdorin atë për të punuar për të mirën e përbashkët. Të lutemi.

L. Për ata që jetojnë në mëkat, që Shpirti Shenjt të ndezë në zemrat e tyre mallin për Zotin, e kështu të mund të përjetojnë dashurinë e tij të pafund që fal gjithçka. Të lutemi.

L. Për ne këtu të pranishëm, që kjo ecje kreshmore të na bëjë të zbulojmë fytyrën e mëshirshme të Zotit që na thërret në shenjtërim. Të lutemi.

M. O Zot, Hyji ynë, plotësoji lutjet e popullit tënd, e na bëj që të ndjekim Krishtin në rrugën e Kryqit, për të qenë të çliruar nga skllavëria e mëkatit e për të shijuar gëzimin që u ke premtuar atyre që besojnë në të. Ai që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

(ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »