Zoti e do fort botën në të cilën jetoj

Mar 11 • Meditimi i ditës

11 mars 2018 – E diela 4-të e Kreshmëve (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 2 Kron 36,14-16.19-23; Ps 136; Ef 2,4-10; Gjn 3,14-21)

 

Prania e Hyjit

Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,
pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 3, 14-21

 

14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi

gjarprin në shkretëtirë,

po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,

15 që kushdo të besojë në të

ta ketë jetën e pasosur.

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën

sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të,

të mos birret,

por të ketë jetën e pasosur.

17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin

që ta dënojë botën,

por që bota të shpëtojë nëpër të.

18 Kush beson në të,

nuk dënohet,

ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani,

pse nuk besoi

në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

19 E gjykimi është ky:

Drita erdhi në botë,

por njerëzit më tepër deshën

errësirën se dritën,

sepse veprat i kishin të këqija.

20 Vërtet, kushdo që bën të keqen,

e urren dritën dhe nuk del në dritë

që të mos i zbulohen veprat e tij,

21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën,

ai del në dritë

që të dalë ballafaqe

se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet.” Dikush një herë pat thënë se po të kishte humbur i tërë Shkrimi Shenjt dhe po të kishin mbetur vetëm këto njëmbëdhjetë fjalë, ne do të kishim mjaftueshëm për të na dhënë shpresë. O Zot, faleminderit për këtë deklaratë të dashurisë sate për ne.
  • Jezusi është drita e botës. Ai ndriçon të gjithë, shpesh në mënyra misterioze që të tjerët nuk mund ta kuptojnë. Një shkrimtar i hershëm i krishterë pat shkruar: “Mëkatarët të cilëve ua kishin mohuar dritën, bënin adhurim në errësirë.” Kjo më pëlqen! O Zot, më lejo të jetoj në dritë që kalon dhe rrjedh prej teje.

Zoti na zbulon veten e vet nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e Ungjillit, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty, të pushojë e ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Ç`ndodh në mua kur lutem, meditoj?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E imagjinoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndiej.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »