A besoj se Jezusi është mrekullia më e madhe e universit?

Mar 12 • Meditimi i ditës

 12 mars 2018 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Is 65,17-21; Ps 29; Gjn 4,43-54)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq shumë i/e preokupuar në punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të qëndroj me ty.

 

Liria

O Zot, ma dhuro hirin e lirisë së shpirtit.

Ma pastro shpirtin dhe zemrën në mënyrë që të mund të jetoj gëzueshëm në dashurinë tënde.

 

Ndërgjegjësimi dashurues

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit me vëmendje,

dhe ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më rrëmben.

 

Gjn 4, 43-54

 

43 Pas këtyre dy ditëve shkoi prej andej në Galile. 44 Në të vërtetë Jezusi kishte thënë se profeti nuk nderohet në vendin e vet. 45 Kur arriti në Galile, galileasit e pritën mirë, sepse kishin parë se çka kishte bërë në Jerusalem në kohë të festës. Sepse edhe ata kishin qenë për festë.

46 Erdhi, pra, prapë në Kanë të Galilesë, ku e kishte shndërruar ujin në verë. Aty ishte një nëpunës i mbretit, i cili e kishte djalin të sëmurë në Kafarnaum. 47Ky, kur mori vesh se Jezusi kishte ardhur prej Judesë në Galile, shkoi tek ai e iu lut të zbriste t’ia shëronte djalin që ishte në fill të vdekjes. 48 Jezusi i tha:

“Po nuk patë shenja e mrekulli, ju nuk besoni.”

49 Nëpunësi mbretëror iu përgjigj:

“Zotëri, eja para se të më vdesë fëmija.”

50 “Shko ‑ i tha Jezusi ‑ djali yt është shëndoshë!”

Njeriu i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi. 51 Ndërsa ai po zbriste, shërbëtorët e tij i dolën para dhe i thanë: “Djali yt është shëndoshë e mirë!” 52 I pyeti për kohë kur filloi të bëjë më mirë. Ata i thanë:

“Dje rreth orës shtatë e lëshuan ethet!”

53 I ati e kuptoi se ajo ndodhi në atë orë, kur Jezusi i tha: “Djali yt është shëndoshë!” Dhe besoi ai e mbarë shtëpia e tij.

54 Kjo ishte mrekullia e dytë që Jezusi bëri, kur u kthye prej Judesë në Galile.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi sërish u afrohet njerëzve që kërkonin diçka sensacionale. Tani fjalët e Jezusit janë aq të fuqishme sa që godasin më shumë se çdo veprim.Nëpunësi i mbretit i kishte dëgjuar fjalët e Jezusit dhe kishte besim. A besoj unë se fjala e Jezusit është e mjaftueshme për ta mundur vdekjen dhe që çon në jetën e amshuar?
  • Kjo është mrekullia e dytë e shënuar e Jezusit. A besoj në mrekulli? A besoj se Jezusi është “mrekullia më e madhe e universit: ai është e tërëdashuria e Hyjit e përmbajtur në zemrën dhe fytyrën njerëzore” (Papa Benedikti XVI)?

Lexoje, dëgjoje pjesën e Ungjillit, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejo që shpirti të pushojë në disa pjesë të Ungjillit, ta shijojë momentin e hirit.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, gjatë qëndrimi tënd në tokë gjithmonë me gëzim i ke pranuar fëmijët e vegjël.

Më mëso që të kem mirëbesim fëmijëror në ty.

Që të jetoj me vetëdije se kurrë nuk do të më lëshosh – se ti je gjithmonë me mua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »