Jezusi ecën me shpejtësinë tonë dhe është gjithmonë afër

Mar 13 • Meditimi i ditës

 13 mars 2017 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ez 47, 1-9.12; Ps 45; Gjn 5, 1-16)

 

Prania e Hyjit

“Qëndroj para derës e trokas”, thotë Zotëria.

Çfarë privilegji i mrekullueshëm që Krijuesi dhe Zotëruesi i të gjitha krijesave dëshiron të vijë tek unë!

Me gjithë zemër e pranoj ardhjen e tij.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënde për mua.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje me vëmendje Ungjillin e sotëm 
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Gjn 5,1-3.5-16

 

1 Pas disa kohësh ishte festa e judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jerusalem. 2 Në Jerusalem, te Dera e deleve, është një ndërtesë banje, që hebraisht quhet Betsata. Ajo ka pesë treme.3 Nën to rrinin të shtrirë shumë të sëmurë ‑ të verbër, të çalë dhe të marrë gjymtyrësh.

5 Aty ishte një njeri që ishte i sëmurë prej tridhjetë e tetë vjet. 6 Jezusi, kur e pa ashtu të shtrirë e kur e mori vesh se është për një kohë të gjatë në atë gjendje, i tha:

“A dëshiron të shërohesh?”

7 “Zotëri ‑ iu përgjigj i sëmuri ‑ nuk kam njeri që, kur të tundet uji, të më shtjerë në banjë e, derisa unë ulem, një tjetër zbret para meje.”

8 “Çohu ‑ i tha Jezusi ‑ merre shtrojën tënde dhe ec!”

9 Ai njeri u shëndosh përnjëherë, mori shtrojën e vet dhe ecte.

Ajo ditë ishte e shtunë. 10 Prandaj judenjtë i thoshin të shëruarit:

“Është e shtunë! Nuk ke leje ta mbartësh shtratin tënd!”

11 Ai iu përgjigj:

“Ai që më shëroi, më tha: ‘Merre shtrojën tënde dhe ec!’“

12 Ata e pyetën:

“Kush është ai njeri që të tha: ‘Merre dhe ec?’“

13 Por, i shëruari nuk e dinte kush është, sepse Jezusi u zhduk në popullin që gjendej aty.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në Tempull dhe i tha:

“Ja, u shërove! Mos mëkato më, që të mos të të gjejë ndonjë e zezë më e madhe!”

15 Ai njeri shkoi te judenjtë dhe u tha se Jezusi ishte ai që e shëroi. 16 Prandaj judenjtë zunë ta sulmojnë Jezusin, sepse bënte vepra të tilla ditën e shtunë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi bën një pyetje intriguese: ”A dëshiron të shërohesh?” Ai e njihte forcën dhe ritmin e ngadaltë të mënyrës së fiksuar, të kufizuar të jetës: për dikë i cili ishte invalid 38vjet shërimi ngarkon me përgjegjësi dhe paraqet kërkesa nga të cilat njeriu mund të frikësohet dhe t`u shmanget atyre.
  • Dikush një herë tha: “Kërkova përgjigje nga Hyji, e ai më dërgoi njerëz për të më ndihmuar të merrem me pyetjet.” E pyes veten: a ka ecur Jezusi me njeriun për ta çuar në lirinë e një jete të tij të re?
  • Në udhëtimin tonë Jezusi gjithmonë ecën me ne, dhe na vjen kur jemi në hall. Ai ecën me shpejtësinë tonë dhe është gjithmonë afër.
  • O Zot, ti po më pyet se a dëshiroj të ndryshohem, a dëshiroj të ngrihem mbi gjendjen aktuale në të cilën ndodhem. Ma jep forcën të jem në gjendje ta bëj këtë hap.

 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për t`u përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »