Zoti më zbulohet në gjërat e përditshme
16 mars 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Ur 2,1.12-22; Ps 33; Gjn 7,1-2.10.25-30)
Prania e Hyjit
Gjatë kohës që jam ulur këtu, rrahjet e zemrës sime, ritmi i frymëmarrjes, lëvizjet e mendjes,
të gjitha këto janë shenja se Hyji më krijon vazhdimisht.
Ndalem një moment dhe ndërgjegjësohem për këtë prani të Hyjit në mua.
Liria
Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.
Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.
Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.
Dashuria, buzëqeshja, kujdesi dhe bashkimi.
Ndërgjegjësimi
E di që Zoti më do pa kushte.
Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderoj.
Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të kërkoj falje.
Fjala
I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit pa u ngutur, dhe ndalem në atë fjalë, fjali, gjest ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht për mua.
Gjn 7,1-2.10.25-30
1 Pastaj Jezusi vazhdoi të përshkojë Galilenë.
Nuk donte të shkojë në Jude, sepse judenjtë e kërkonin për ta vrarë. 2 Ishte afruar festa e judenjve, ajo e Tëbanave.
10 Pasi shkuan vëllezërit e tij në festë, shkoi edhe ai, jo ballafaqe, por si fshehtazi.
25 Atëherë disa jerusalemas thanë:
“Po a nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin? 26 Dhe ja, ky po flet ballafaqe dhe askush s’po i thotë gjë! A thua mos pranuan edhe krerët se është Mesia? 27 Por këtë e dimë se prej nga është e, kur të vijë Krishti, askush s’do ta dijë se nga është.”
28 Atëherë Jezusi, që po mësonte në Tempull, foli me zë të lartë:
“Po, ju më njihni
dhe e dini se nga jam!
E pra, unë nuk erdha prej vetvetes:
por është Një i Vërtetë që më dërgoi,
të cilin ju s’e njihni.
29 Unë e njoh Atë,
sepse jam prej tij
dhe Ai më dërgoi.”
30 Që atëherë kërkonin ta zënë, por askush s’vuri dorë mbi të, sepse ende nuk kish ardhur koha e tij.
Çka po dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Kjo pjesë e Ungjillit zbulon luftën e brendshme të Jezusit: si t`i dëftohet popullit të vet kur shumë anëtarë të të njëjtit popull janë në kërkim të një justifikimi për ta vrarë. Meqenëse e njihnin atë qysh prej Nazaretit e përjashtonin atë, sepse ai ishte një vend i rëndomtë, tepër i rëndomtë për të “prodhuar” një Mesi – Shpëtimtar.
- O Zot, më dëftohesh në gjërat e përditshme. Ndihmomë që edhe sot të të gjej/njoh në to.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.
Më mëso që ta ndjej praninë Tënde, ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Jeta ime, pengesë apo ndihmesë për njerëzi për ta njohur Zotin A e dua Zotin apo humbas në dërdëllisje dhe grindje? »