A e dua Zotin apo humbas në dërdëllisje dhe grindje?
17 mars 2018 – E shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Jer 11,18-20; Ps 7; Gjn 7,40-53)
Prania e Hyjit
O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia hap pranisë sate.
Më rretho me dashurinë tënde.
Zemra ime le të bashkohet me tënden.
Liria
Vdekja jote në kryq më ka liruar.
Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.
Mëshira jote nuk njeh kufi.
Ndërgjegjësimi
Si po e ndej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.
Fjala
Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndiej çfarë dëshiron të më thotë.
Do ta lexoj, dëgjoj Ungjillin me vëmendje, pastaj do të shoh çka po ndodh në zemrën time…
Gjn 7, 40-53
40 Disa prej popullit, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshin:
“Ky është me të vërtetë Profeti!”
41 Të tjerë thoshin:
“Ky është Mesia!”
Prapë disa të tjerë thoshin:
“Vallë, a prej Galilesë do të dalë Mesia? 42 Po a nuk thotë Shkrimi i shenjtë se Mesia vjen nga pasardhësit e Davidit, mu nga Betlehemi, prej vendit nga ishte Davidi?”
43 Kështu u bë përçarje në popull për shkak të tij.
44 Disa deshën edhe ta kapin, por prapë askush s’vuri dorë në të.
45 U kthyen, pra, rojtarët te kryepriftërinjtë e te farisenjtë dhe këta u thanë:
“Pse nuk e sollët?”
46 Rojtarët u përgjigjën:
“Askurrë askush s’ka folur si ky njeri!”
47 Atëherë farisenjtë u përgjigjën:
“Po a mos u mashtruat edhe ju? 48 Pse, a është ndokush prej anëtarëve të Këshillit apo prej farisenjve që besoi në të? 49 Por veç, kjo vegjëli që s’e njeh Ligjin ‑ qoftë mallkuar!”
50 U tha njëri prej tyre, Nikodemi ‑ ai që më parë pati qenë te Jezusi:
51 “Ligji ynë a thua dënon ndokënd para se ta marrë në pyetje, para se ta dijë se çka bën?”
52 Ata iu përgjigjën:
“A mos je edhe ti prej Galileje? Hulumto e do të shohësh se prej Galileje nuk ngritet profet!”
53 Dhe se cili shkoi në shtëpinë e vet.
Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Ka dy mënyra për t’iu qasur, afruar Jezusit: disa e dëgjojnë atë, shohin se si jeton, e duan atë dhe kënaqen kur rrinë me të. Të tjerëtu kthehen librave të tyre dhe diskutojnë mbi origjinën e tij.
- O Zot, më shpëto nga kjo që të mos të humb në dërdëllisje librash dhe grindjesh. Bëj që të të takoj, të të njoh dhe të gëzohem me ty.
Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.
Bashkëbisedimi
Bashkëbisedimi nënkupton të folurit dhe të dëgjuarit.
Kur bisedoj me Jezusin, duhet të mësohem të qetësohem edhe të dëgjoj gjithçka Ai dëshiron të më thotë.
E paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen e Tij plot dashuri kur e hedh shikimin mbi mua.
Mund të jem krejt i/e sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha shqetësimet dhe gëzimet e mia.
Do t`ia hap zemrën duke i folur për ndjenjat e frikës dhe dyshimet e mia.
Do ta lus që të më ndihmojë që të mund të mbështetem plotësisht në kujdesin e Tij,
duke gjetur strehim tek Ai,
i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë e di dhe ma do atë më të mirën për mua.
Përmbyllja
Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.
Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.
« Zoti më zbulohet në gjërat e përditshme Dëshirojmë ta shohim Jezusin! »