Në çdo vdekje ekziston jeta

Mar 18 • Meditimi i ditës

18 mars 2018 – E diela e 5-të e Kreshmëve, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Jer 31,31-34; Ps 50; Heb 5,7-9; Gjn 12,20-33)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
të çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, gjithçkaje që është:
Hyji është në çdo të rrahuri të sime zemër. Ai është në mua, tani.

 

Liria 

Hyji nuk është trup i huaj në jetën time.
Përkundrazi, Shpirti i tij i jep jetë dëshirave të mia më të thella,
Duke më nxitur butësisht në atë çfarë është e mirë.
Lutem për hirin shenjtërues që t`i lejoj Shpirtit të Shenjtë që të më mbushë me plotësi.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,
ma kujto, o Zot,
se je gjithmonë pranë meje.
Asnjëherë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;
Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.
Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 12, 20-30

 

20 Ndër ata që kishin ardhur në Festë për të adhuruar, ishin edhe disa grekë. 21 Ata iu afruan Filipit, që ishte prej Betsaidës së Galilesë, dhe iu lutën: “Zotëri, dëshirojmë ta shohim Jezusin.” 22 Filipi shkoi dhe i tha Andreut; Andreu e Filipi shkuan e i treguan Jezusit. 23 Jezusi u përgjigj:
“Arriti ora
të lavdërohet Biri i njeriut.
24 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
nëse kokrra e grurit e mbjellë në dhe nuk vdes,
mbetet e vetme;
po nëse vdes
jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet, do ta humbë.
Ai që e urren jetën e vet në këtë botë,
ai do ta ruajë për jetën e pasosur.
26 Kush do të më shërbejë,
le të vijë pas meje.
Ku jam unë,
atje do të jetë edhe shërbëtori im.
Atë që do të më shërbejë,
do ta nderojë Ati im.”

27 “Tani shpirtin e kam të tronditur
e ç’të them?
O Atë, më shpëto nga kjo orë?
Porse, pikërisht për këtë erdha në këtë orë!
28 O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!”
Ndërkaq jehoi një zë prej qiellit: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj!” 29 Tashti, populli që ishte pranë dhe po dëgjonte, thoshte: “Bubulloi!” të tjerë thoshin: “Engjëlli foli me të!” 30 Jezusi iu përgjigj: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju!

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në çdo vdekje ekziston jeta – kjo është porosia e madhe e kreshmëve dhe Pashkëve. Kokrra e grurit do të vdesë dhe me anë të vdekjes së saj do të na ushqejë.
    • Kur të vdesin marrëdhëniet, shëndeti ynë, personat tanë të afërm – kjo është thirrje që më thellë të shikojmë në jetën tonë personale. Vdekja jonë përfundimtare është thirrje në jetën e amshuar.
  • O Zot, dëgjoj që ma bën të njëjtën pyetje: “A beson se unë jam ringjallja dhe jeta?” Asgjë në aspektin afatgjatë nuk është aq e rëndësishme sa përgjigja ime kësaj pyetjeje.
    • Nuk po mund t`i kuptoj fjalët e tu, O Zot, por besoj. Ndihmoje mosbesimin tim.

 

Bashkëbisedimi 

Cilat ndjenja zgjohen në mua
kur lutem dhe e meditoj Fjalën e Zotit?
E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje
dhe ia çeli zemrën.

 

Përmbyllja 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »