A je skllav apo fëmijë i Zotit?

Mar 21 • Meditimi i ditës

21 mars 2018 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dan 3,14-20.46-50.91-92.95; Ps: Dan 3,52-56; Gjn 8,31-42)

 

Prania e Hyjit

E mrekullueshme është të jesh së bashku me shokë, në afërsinë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar prej dashurisë.

Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehura.

Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.

 

Liria 

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të përzgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Gjn 8, 31-42

 

31 Pastaj Jezusi u tha atyre judenjve që besuan në të:

“Nëse do ta mbani fjalën time,

vërtet do të jeni nxënësit e mi;

32 do ta njihni të vërtetën

dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë.”

33 Ata iu përgjigjën:

“Ne jemi pasardhës të Abrahamit dhe askurrë askujt nuk i qemë robër. Si po thua ti: ‘Do të bëheni të lirë?’“

34 Jezusi u përgjigj:

“Për të vërtetë, për të vërtetë po ju them:

kushdo bën mëkat

është skllav (i mëkatit).

35 Skllavi nuk rri përgjithmonë në shtëpi,

ndërsa djali rri përgjithmonë në shtëpi.

36 Nëse, pra, biri do t’ju çlirojë,

me të vërtetë do të jeni të lirë.

37 E di se jeni pasardhës të Abrahamit,

e megjithatë kërkoni të më vritni,

sepse fjala nuk gjen vend në ju.

38 Unë flas çka pashë tek Ati

e ju bëni

çka dëgjuat prej atit [tuaj].” 

39 Ata iu përgjigjën:

“Ati ynë është Abrahami.”

Jezusi u tha:

“Po të ishit bijtë e Abrahamit,

do të bënit veprat e Abrahamit!

40 Dhe, ja, kërkoni të më vritni mua,

që ju fola të vërtetën,

që e dëgjova prej Hyjit.

Një gjë të tillë Abrahami s’e bëri kurrë.

41 Ju bëni veprat e babait tuaj.”

[Atëherë] i thanë:

“Ne s’kemi lindur nga fëlligështia ‑ kemi vetëm një baba ‑ Hyjin”

42 Jezusi iu përgjigj:

“Po ta kishit Hyjin Atë,

do të më donit edhe mua,

sepse unë prej Hyjit dola dhe erdha;

nuk erdha prej vetvetes,

por Ai më dërgoi.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E vërteta do të më bëjë njeri të lirë! O Zot, bëj t`i qëndroj besnik kohës së lutjes. Duke të takuar ty në lutje dhe duke medituar fjalën tënde bëj që të bëhem person sa më i lirë.
  • Në shtëpinë e prindërve fëmijët e lumtur ndjehen si në shtëpi. Ata vrapojnë rreth e rrotull dhe luajnë, bëjnë zhurmë të ngazëllyer. A e ndiej veten në shtëpinë e Zotit si në shtëpi? Apo ndihem si një skllav a si një vizitor? O Zot, bëj që ta kem në mend se e kam një vend në shtëpinë tënde – përgjithmonë! 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi 

Jezus i dashur, po ta hapi zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,

se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »