Të shtunën mbahet Takimi Dioqezan i të Rinjve të Kosovës 2018

Mar 21 • Kisha në Kosovë

Takimi i përvjetshëm Dioqezan i Rinisë të Kishës Katolike në Kosovë, do të mbahet këtë të shtunë, më 24 mars 2018, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, e organizuar nga Bartorja Rinore e Ipeshkvisë sonë.

Në fokus të takimit të sivjem do të jetë mesazhi i Papa Françeskut, me anë të të cilit Ati i Shenjtë i fton të rinjtë të meditojnë dhe të reflektojnë mbi temën: “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hire para Hyjit!” (Lk 1, 30).

Ky do të jetë programi i Takimit të sivjetëm:

Ora: 9:00 – Pritja e rinisë në Katedrale.

Ora: 09:30 – Adhurimi i Kryqit.

Ora: 11:00 – Mesha e Shenjtë të cilës do t’i prijë Sh. T. Imzot Dodë Gjergji. Pas Meshës Shenjte do jetë dreka tek qendra “Don Boskoˮ, dhe momente të lira si mundësi njohje, bashkëbisedimi, si dhe shkëmbim përvojash në mes të rinjve.

Ora: 13:30 – Fillimi i programit të përgatitur baritorja rinore.

 

Çka është Takimi Dioqezan i të Rinjve?

Takimi Dioqezan i të Rinjve është takim dioqezan i Ditës Botërore të Rinisë, i cili ka karakter shpirtëror dhe kulturor. Dita botërore e Rinisë, ka zënë fill në vitin 1985 nga Papa Shën Gjon Pali II, i cili kishte për qëllim që rinia të ketë një hapësirë të posaçme në jetën e Kishës dhe në botë. Me rastin e ditës botërore të rinisë, Papa ju dërgon një mesazh të rinjve, me një temë të posaçme, mbi të cilin diskutohet dhe meditohet. Tema e mesazhit të sivjetmë është “Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hire para Hyjit!”(Lk 1, 30).

Dita Botërore e Rinisë kremtohet sipas dy modaliteteve:

Në nivel botëror, çdo tre vjet, në një vend të botës që zgjedhet nga vetë Papa. Është takim mbarëkishtar, që i bashkon rininë katolike nga e gjithë bota me Papën. Takimi i fundit ka qenë para dy vitesh në Krakovë të Polonisë me Papa Françeskun, kurse takimi i radhës do të jetë në vitin 2019 në Panama.

Në nivel dioqezan, për çdo vit. Mbahet të Dielën e Larit në Romë dhe në të gjitha dioqezat e botës, ditë kur rinia takohet me bariun e tyre lokal. Për shkaqe praktike dhe pastorale, në shumë Dioqeza, takimi dioqezan bëhet në vigjilje të Dielës së Larit, ashtu sikurse edhe në Kishën tonë, pra të shtunën./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »