Jeta e priftit dhe e rregulltarit… një ecje e vazhdueshme kthimi

Mar 22 • Këndvështrime

Nga Don Leonardo Falco

 

Të nderuara Shkelqësi,

shumë të dashur bashkëvëllezër në meshtari,

të nderuara motra, katekistë,

 

falëminderit që më keni dhënë mundësinë të ndalem për reflektim dhe lutje këtu me ju, që të mund t’ju propozoj ndonjë pikë reflektimi gjatë kësaj kohe kreshmësh.   

«Edhe një herë po afrohet Pashka e Zotit! Për t’u përgatitur sa më mirë, Hyji na ofron Krezhmet për çdo vit, “shenjë sakramentale e kthimit tonë”, që shpall dhe krijon mundësinë e kthimit tek Hyji me gjithë zemër dhe me gjithë jetë» (Mesazhi i Papa Françeskut për Kreshmët 2018), d.t.th. ta rimarrim në dorë jetën tonë të fesë për të bërë një hap tjetër drejt realizimit tonë në Krishtin, drejt shenjtërisë.

Nga Jezusi tek shenjtërit, nga Nëna Tereze tek 38 Martirët tanë, të gjithë na paraqesin shenjtërinë si një ecje të vazhdueshme kthimi dhe shndërrimi në Krishtin, që t’i përngjajmë në jetë e në vepra (khs. Pdv 23), që të jemi dhe të qëndrojmë vazhdimisht në punët e Atit (khs. Lk 2, 49). Po, krejt jeta jonë është një ecje e vazhdueshme kthimi. Kështu kemi filluar kohën e kreshmëve me të mërkurën e përhime: «Kthehuni e besoni Ungjillit». Këto janë edhe fjalët e para të Jezusit në Ungjillin e shën Markut: «Koha u plotësua e Mbretëria e Hyjit është ngjat! Khehuni e besoni Ungjillit!» (Mk 1, 15).

E tani, gjatë këtij meditimi, do të na ndihmojë figura e Abrahamit. Edhe ai, me shumë dëshirë ta ndjekë Hyjin e premtimit, por me shumë nevojë kthimi të vazhdueshëm për ta njohur, për ta pranuar dhe për t’iu braktisur Hyjit  të tij.  

Historia e Abrahamit, i pari ndër tre bijtë e Terach, fillon në qytetin Ur të Kaldenjve (khs. Zan 11, 26-28). Është kjo një histori si shumë të tjera: një jetë e qetë e kushtuar familjes dhe punës, por që shënohet edhe nga vdekja e vëllait Aran (rr. 28) dhe nga paaftësia e Sarës, gruas së tij, që t’i japë një pasardhës (rr. 30). Ashtu siç ndodhte shpesh ndër fiset e vjetra të Mesopotamisë, Terach vendos të zhvendoset me bijtë e tij në tokën e Kanaanit (rr. 31) dhe, duke iu ngjitur Eufratit, arrijnë në Karran, ku vendosen momentalisht.

Me kap. 12, ex abrupto, fillon historia e thirrjes së Patriarkut: «Zoti i tha Abrahamit» (rr. 1). Deri në këtë moment nuk kishte asnjë të dhënë mbi besimin, kultin apo idhujt e tij. Por ama e dimë nga libri i Jozuehut  që kur ai dhe familja e tij jetonin përtej lumit, u shërbenin (zotave) të huaj (24, 2). Pra, Abrahami i ishte kushtuar  kultit të idhujve të huaj dhe nuk kishte njohur akoma Hyjin e vetëm. E prapë se prapë Ai i flet, e thërret për emër dhe i drejtohet sikur ta kishte njohur gjithmonë. Është misteri i zgjedhjes hyjnore falas, pa meritë. «I pëlqeu Hyjit në mirësinë dhe urtinë e tij që ta zbulojë vetveten … me këtë zbulim në fakt Hyji i padukshëm në dashurinë e tij të pafundme u flet njerëzve, si miqve» (DV 2).

Thirrja, ashtu si zbulimi, është gjithmonë nismë e lirë dhe pa meritë që vjen prej Hyjit, i cili ia zbulon njeriut të gjithë vetveten. Por njeriu nuk arrin ta kuptojë që prej fillimit plotësinë e një manifestimi të tillë të Hyjit, as nuk ia del ta kuptojë në thellësi thirrjen dhe misionin e veçantë që i është propozuar. Në fakt, kërkesës së Hyjit, «Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate, e prej shtëpisë së babës tënd në drejtim të një vendi që do të ta tregoj» (Zan 12, 1), Abrahami i përgjigjet pjesërisht, sëpaku për dy arsye.

Nëse është e vërtetë që ai të lërë qytetin dhe atdheun e tij, është gjithashtu e vërtetë që ai të marrë me vete gjithçka ka e zotëron (Zan 12, 4-5). Për më tepër, Hyji i kërkon të vihet në ecje drejt një vendi që do t’i tregojë. Por ai niset duke e pasur tashmë të qartë vendin e arritjes: tokën Kanaan. Në fakt, që më përpara, Abrahami bashkë me të atin dhe dy vëllezërit kishin vendosur të ngulnin në këtë tokë (Zan 11, 31). A po kryen ai vullnetin e Hyjit apo thjeshtë po realizon një plan të vetin? A po lejon të thirret e të drejtohet nga fjala e Hyjit apo po e përdor atë si mbulesë për dëshirat e veta? Përgjigjja e këtyre pyetjeve na jepet nga Zanafilla:  «Në atë vend banonin atë botë Kananenjtë» (12, 6). Abrahami, po ka dalur prej tokës së tij, ka përshkuar shkretëtirë dhe ka arritur në këtë vend që vetëm tani, Zoti  i premton haptas (rr. 7), por nuk mund të hyjë. Ai nuk është ende gati. Ai ka nevojë të kuptojë dhe t’i pastrojë qëllimet e tija.

Pra, edhe Abrahamit i është dashur mund për ta kuptuar dhe jetuar thirrjen e vet. Në fakt, në historinë e çdo njeriu ekziston së paku një moment  në të cilin personi edhe pse shpreh gatishmëri për “të bërë vullnetin e Hyjit”, ai  kërkon t’i sugjerojë Hyjit çfarë është më e drejtë të bëhet dhe cilat janë rrugët për ta realizuar. Herë të tjera mund të ndodhë që me të pranuar vullnetin e tij, i kërkohet Hyjit që t’ia lehtësojë peshën , pasi nuk është në gjendje ta mbartë. E kjo është vështirësia e Abrahamit dhe e çdo njeriu që ta pranojë plotësisht vullnetin e Hyjit. Prandaj, sado të tërhequr nga propozimi i tij dhe me shumë dëshirë që ta pranojmë bujarisht, përgjigjja jonë është e kufizuar dhe e kushtëzuar nga historia jonë, nga shumë rezistenca të pranishme brenda nesh dhe nga kushtet shoqërore-kulturore të ambjentit në të cilin jetojmë. 

E nëse nga njëra anë Abrahami vazhdon t’i besojë Hyjit, nga ana tjetër nuk ka vështirësi t’ia fshehë Zotit shqetësimin e tij për një premtim që pamvarësisht kalimit të viteve, i duket se nuk është e mundur të realizohet (khs. Zan 15, 2; 17, 17; …). Duket pothuajse se Hyji i kupton rezistencat e patriarkut, sepse ka krijuar me të një marrëdhënie personale dhe besimi. Patriarku ka nevojë për kohë dhe për ndokënd që ta ndihmojë ta lexojë historinë e tij. E edhe kur kërkon t’i përshpejtojë kohët e premtimit, duke vrapuar pas përshtatshmërisë njerëzore të bashkohej me skllaven Agar (khs. Zan 16,1-16) thuhet që jo Ismaeli, por një bir i lindur nga Sara do të jetë pasardhësi i tij (cf Gen 17,19) dhe kjo «në atë kohë të cilën e kishte paracaktuar Hyji» (Zan 21, 2). E kështu në moshën njëqindvjeçare i lindi Izaku (khs.  Zan 21,5). Më në fund, njëzet e pesë vite pas thirrjes (khs. Zan 12, 4), duket se premtimi u realizua. Por nuk është kështu. Hyji e vë në provë: «Merre djalin tënd të dëshirit Izakun, të cilin e do, … e kushto fli shkrumbimi…» (Zan 22, 2).

Abrahami ka pasur një djalë, ka qenë i sigurtë për pasardhësi, por ende nuk i është përgjigjur në plotësi asaj që Hyji i kishte kërkuar: «Dil prej vendit tënd dhe prej vëllazërisë sate e prej shtëpisë së bababit tënd» (Zan 12,1). Tre shkëputje graduale dhe të njëpasnjëshme: nga ambjenti, nga farefisi dhe nga familjarët më të ngushtë. Nuk mund të hyhet në tokën e premtuar, pa ia pasë dhënë secilës gjë peshën e duhur, si dhe nëse nuk jemi të gatshëm të themi me Psalmistin: «Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota…pa ty nuk kam asnjë të mirë» (Ps 15).

Abrahami ka pasur nevojë për një kohë të gjatë, për një kthim të vazhdueshëm prej më shumë se tridhjetë viteve dhe për një drejtim, të vetë Hyjit, për ta kuptuar peshën e asaj thirrjeje fillestare. Hyji i ka ngadalësuar hapat e tij  dhe e ka lejuar që Abrahami të përshkonte traditën njerëzorë, në mënyrë që të kishte një djalë. Duke qenë i gatshëm të sakrifikojë çdo gjë për dashuri ndaj Hyjit të tij  ose më mirë duke e dashur Hyjin përmbi çdo gjë tjetër, Abrahami realizon vetveten dhe thirrjen e tij. Vetëm tani mund të hyhet në tokën e premtuar në bashkim të plotë me Të. E kështu, i sprovuar prej vitesh: «Duke shpresuar kundër çdo shprese, ai besoi që të bëhet kështu, ati i shumë popujve…» (Rom 4, 18).

Besoj se edhe ne, disa herë, si Abrahami kemi vështirësi ta pranojmë dhe ta kuptojmë thirrjen e Hyjit, ashtu si Ai na e propozon. Në historinë e Abrahamit  kemi parë se si planet e babait dhe e vëllezërve të Tij, nuk i lejojnë ta pranojnë risinë e thirrjes. Çfarë na pengon ne sot si meshtarë e rregulltarë që ta pranojmë një gjë të tillë?

Papa Françesku nuk e humbet rastin të flasë për meshtarë e rregulltarë dhe t’u flasë atyre  për nevojën e një formimi të vazhdueshëm e të shëndoshë, si themel i një shërbese të shenjtë dhe të frytshme. Magjisteri i tij duket se vë në dukje disa aspekte, të cilave jo gjithmonë iu kemi dhënë peshën e duhur:

a) Sot, problemi i vërtetë i shumë të kushtuarve në meshtari dhe jetë rregulltare, por më në përgjithësi i shumë njerëzve, nuk është kryesisht ai i mungesës së lutjes, por ai i vështirësive që ta mbrojnë brendësinë (ta ruajmë zemrën). Si të lutemi p.sh., kur nuk jemi mësuar të qëndrojmë vetëm, kur qetësia na frikëson, kur mendojmë se duhet të qëndrojmë gjithmonë online? Çfarë aftësish duhen për të krijuar qetësi që të na flasë Fjala e Zotit? Brendësia nuk është lutja dhe pikërisht, brendësia nuk është as një kategori shpirtërore. Ajo paraqet më tepër hapësirën, shtëpinë e lutjes. Brendësia është aftësia të qëndrojmë me vetveten, duke mbrojtur përvojat e jetës dhe duke vënë në formë tregimi vetë ndërgjegjen. Çfarë identiteti do të mund të kemi, nëse nuk ia arrijmë më të hyjmë në vetvete?

Mungesa e brendësisë bën që përvojat e ndryshme të jetuara, të bëhen shumë shpejt përvoja të konsumuara, të djegura, përvoja që një herë të jetuara, nuk mbijetojnë më në ndërgjegje. Si një familje që nuk gjendet çdo ditë nën të njëjtën çati dhe përreth të njëjtës tavolinë ka vështirësi të ndihet e tillë, kështu është marrëdhënia me Hyjin pa brendësinë ka më shumë vështirësi ta gjejë shtëpinë e vet. Marrëdhënia është, por pa një shtëpi që pret, ku gjithçka që mund të ndodhë bëhet më e vështirë, më e ftohtë, apo më pak… familjare, pikërisht. Një shtëpi e bukur, nuk është akoma një familje e bukur, edhe pse shtëpia – ndërtesa mund të ndihmojë për një familje të bukur. 

Njeriu i mësuar në «rrjetë», e caktuar nga dikush si arti i të qenurit  kudo pa qenë i rrënjosur në asgjë, është më i gatshëm në ndërveprim se në brendësim. Dhe përgjithësisht, brendësia është sinonim i thellësisë, ndërsa ndëraktiviteti është shpesh sinonim i sipërfaqësisë.

b) Duket se as formimi fillestarë, as formimi vazhdueshëm, as ushtrimi i shërbesës sonë, nuk e kanë prekur zemrën tonë. Një formim sipërfaqësorë dhe i bazuar vetëm në sjelljet e jashtme, apo herë të tjera shumë shpirtërorë ose intelektual, që po, e ka përgatitur funksionarin e kultit, por që jo gjithmonë ia ka dalur të prekë dhe të kthejë ndjeshmërinë e tij. Dëshirat tona, kriteret e gjykimit dhe të zgjedhjes, duket se kanë mbetur ende ato të fillimit, ku mund të themi se nuk janë lënë të ungjillizohen të gjitha, e ndoshta për disa aspekte lejojnë akoma të joshen nga idhujt fallso. Kjo është sikur të kishin mbetur akoma thellësisht paganë.

c) Në fjalime të ndryshme, Papa i ardhur «nga fundi i botës» ka bërë të vihet re si në një kulturë të zotëruar nga mbinformacioni, e ashtuquajtura information overload, ku përmes një celulari të vogël apo tableti, informohesh për të gjitha lajmet që dëshiron, merr të gjitha përgjigjet e mundshme. Në fakt, problemi nuk është të gjesh një mesazh, por ta dekodifikosh, d.t.th. ta njohësh si të rëndësishëm për veten tënde, domethënës mbi bazën e mbi përgjigjet e shumta që vetë personi merr. Jemi të bombarduar nga përgjigje me rrezikun të humbasim pyetjet. Sot më shumë se kurrë, është urgjente të njihen pyetjet e rëndësishme të jetës dhe të formulohen mirë. Shpallja e krishterë sot rrezikon të paraqesë një mesazh afër të tjerëve, një përgjigje mes shumë të tjerave, më shumë se ta paraqesë Ungjillin si librin që përmban të gjitha përgjigjet, i cili do të duhej të paraqitej si libri që përmban të gjitha pyetjet e drejta./drita.info

(Ligjëratë në Tërheqjën Shpirtërore të klerit, rregulltarëve/eve dhe katekisëve për Pashkë 2018 – Prizren 17.03.2018)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »