Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Ditën 33-të Botërore të Rinisë 2018

Mar 22 • Kisha në botë

 

«Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit» (Lk 1,30)

 

Të dashur të rinj,

Dita Botërore e Rinisë e vitit 2018 përfaqëson një hap përpara në ecjen e përgatitjes së ditës ndërkombëtare, që do të zhvillohet në Panama në janar 2019. Kjo etapë e re e shtegtimit tonë bie në vitin në të cilin është thirrur Asambleja e Zakonshme e Sinodit të Ipeshkvijve në lidhje me temën: Të rinjtë, feja dhe shoshitja thirrore. Është një koinçidencë e mirë. Vëmendja, lutja dhe reflektimi i Kishës do të drejtohen nga ju të rinj, me dëshirën për të marrë dhe, sidomos, për të “mirëpritur” dhuratën e çmueshme që ju jeni për Hyjin, për Kishën dhe për botën.

Sikurse e dini, kemi zgjedhur të shoqërohemi në këtë rrugëtim prej shembullit dhe ndërmjetësimit të Marisë, së resë së Nazaretit që Hyji e zgjodhi si Nënë të Birit të vet. Ajo ecën me ne drejt Sinodit dhe drejt DBR së Panamasë. Nëse vitin e kaluar na kanë udhëhequr fjalët e këngës së saj të lavdit – «Punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithëpushtetshëm» (Lk 1,49) – duke na mësuar të përkujtojmë të kaluarën, këtë vit përpiqemi të dëgjojmë së bashku me të zërin e Hyjit që ngjall guxim dhe dhuron hirin e nevojshëm për t’iu përgjigjur thirrjes së tij: «Mos ki frikë, o Mari, sepse ke gjetur hir para Hyjit» (Lk 1,30). Janë fjalët që lajmëtari i Hyjit, kryeengjëlli Gabriel, i drejton Marisë, një vajze të thjeshtë nga një fshat i vogël i Galilesë.

 

  1. Mos ki frikë!

Siç është e kuptueshme, të dukurit e papritur të engjëllit dhe përshëndetja e tij e mistershme: «Të falem, o Hirplote! Zoti me ty!» (Lk 1,28), kanë shkaktuar një turbullim të fortë në Marinë, e befasuar prej këtij zbulimi të parë të identitetit të saj dhe të thirrjes së saj, ende të panjohura për të. Maria, si edhe personazhe të tjera të Shkrimit të Shenjtë, dridhet para misterit të thirrjes së Hyjit, që në një moment e vë para pafundësisë së planit të vet dhe e bën të ndiejë gjithë vogëlsinë e saj si krijesë e përvuajtur. Engjëlli, duke lexuar në thellësinë e zemrës së saj, i thotë: «Mos ki frikë!». Hyji lexon edhe në brendësinë tonë. Ai i njeh mirë sfidat që duhet të përballojmë në jetë, sidomos kur jemi përpara zgjedhjeve themelore nga të cilat varet ajo se çfarë do të jemi dhe ajo se çfarë do të bëjmë në këtë botë. Është “drithërima” që ndiejmë përpara vendimeve në lidhje me të ardhmen tonë, me gjendjen tonë të jetës, me thirrjen tonë. Në këto momente mbetemi të turbulluar dhe na pushtojnë shumë frika.

Po ju, të rinj, çfarë frikash keni? Çfarë ju shqetëson më shumë në thellësinë tuaj? Një frikë “sfondi” që ekziston në shumë prej jush është ajo se mos nuk ju duan, se mos nuk ju duan të mirën, se mos nuk ju pranojnë ashtu siç jeni. Sot, janë të shumtë të rinjtë që kanë përshtypjen se u duhet të jenë ndryshe nga ata që janë në realitet, duke u përpjekur që t’i përshtaten standarteve shpesh të panatyrshëm dhe të paarritshëm. Bëjnë “irraggiungibili. Bëjnë “fotondreqje” të vazhdueshme të imazheve të tyre, duke u fshehur pas maskash dhe identitetesh të rreme, deri në atë pikë sa pothuajse të bëhen ata vetë një “fake”. Në shumë prej tyre ekziston obsesioni për të marrë sa më shumë pëlqime. Dhe nga kjo ndjenjë pamjaftueshmërie lindin shumë frika dhe pasiguri. Të tjerë druan se nuk do t’ia dalin të gjejnë një siguri afektive dhe do të mbeten vetëm. Në shumë prej tyre, përballë pasigurisë së punës, el lavoro, zë vend frika se nuk do të arrijnë të gjejnë një afirmim të kënaqshëm profesional, se nuk do t’i shohin të realizuara ëndrrat e tyre. Janë frika shumë të pranishme sot në shumë të rinj, qoftë besimtarë qoftë jo besimtarë. Dhe, edhe ata që e kanë pranuar dhuratën e fesë dhe kërkojnë me seriozitet thirrjen e tyre, nuk janë sigurisht të lirë prej frikave. Disa mendojnë: ndoshta Hyji më kërkon ose do të më kërkojë tepër; ndoshta, duke përshkuar rrugën që më tregon Ai, nuk do të jem me të vërtetë i lumtur, ose nuk do të jem në lartësinë e asaj që më kërkon. Të tjerë pyesin veten: nëse ndjek udhën që Hyji më dëfton, kush më garanton se do të arrij ta përshkoj atë deri në fund? A do të shkurajohem? A do ta humb entuziazmin? A do të jem i aftë të jem i qëndrueshëm gjithë jetën?

Në momentet në të cilat dyshimet dhe frikat e mbushin zemrën tonë, bëhet e nevojshme shoshitja. Ajo na lejon të vëmë rregull në pështjellimin e mendimeve dhe ndjenjave tona, për të vepruar në mënyrë të drejtë e të matur. Në këtë proces, hapi i parë për të kapërcyer frikat është ai që t’i identifikojmë me qartësi, për të mos humbur kohë dhe energji duke qenë pre e fantazmave pa fytyrë e pa konsistencë. Prandaj, ju ftoj të gjithëve të shikoni brenda vetes dhe “t’u jepni një emër” frikave tuaja. Pyeteni veten: sot, në situatën konkrete që jam duke jetuar, çfarë më brengos, çfarë druaj më shumë? Çfarë më bllokon dhe më pengon të ec përpara? Pse nuk kam guximin të bëj zgjedhjet e rëndësishme që duhet të bëj? Mos kini frikë t’i shikoni me ndershmëri frikat tuaja, t’i pranoni për ato që janë dhe të bëni hesapet me to. Bibla nuk e mohon ndjenjën njerëzore të frikës dhe as arsyet e shumta që mund ta shkaktojnë atë. Abrahami ka pasur frikë (khs. Zan 12, 10s), Jakobi ka pasur frikë (khs. Zan 31, 31; 32, 8), e kështu edhe Moisiu (khs. Dal 2, 14; 17, 4), Pjetri (khs. Mt 26, 69ss) dhe Apostujt (krh. Mk 4, 38-40; Mt 26, 56). Vetë Jezusi, megjithëse në një nivel të pakrahasueshëm, ka ndier frikë dhe ankth (khs. Mt 26, 37; Lk 22, 44).

«Pse jeni frikacakë? Po a ende nuk besoni?» (Mk 4, 40). Ky qortim i Jezusit drejtuar nxënësve na bën të kuptojmë se shpesh pengesa ndaj fesë nuk është mosbesimi, por frika. Puna e shoshitjes, në këtë kuptim, pasi i kemi identifikuar frikat tona, duhet të na ndihmojë t’i kapërcejmë ato duke na hapur ndaj jetës dhe duke përballuar me kthjelltësi sfidat që ajo na paraqet. Për ne të krishterët, në veçanti, frika nuk duhet të ketë kurrë fjalën e fundit, por duhet të jetë rast për të bërë një akt feje në Hyjin… si edhe në jetën! Kjo do të thotë t’i besojmë mirësisë themelore të ekzistencës që Hyji na ka dhuruar, të kemi besim se Ai çon në një qëllim të mirë edhe nëpërmjet rrethanave e ngjarjeve shpesh për ne misterioze. Ndërsa nëse i ushqejmë frikat, do të jemi të prirur të mbyllemi në vetvete, të mbyllemi për t’u mbrojtur nga gjithçka dhe nga të gjithë, duke mbetur si të paralizuar. Duhet të reagojmë! Kurrë të mos mbyllemi! Në Shkrimin e Shenjtë e gjejmë 365 herë shprehjen “mos ki frikë”, me të gjitha variantet e veta. Si të themi se çdo ditë të vitit Zoti na do të lirë prej frikës.

Shoshitja bëhet e domosdoshme kur bëhet fjalë për kërkimin e thirrjes sonë. Në të vërtetë, kjo në më të shumtën e rasteve nuk është menjëherë e qartë ose krejtësisht e dukshme, por kuptohet pak nga pak. Shoshitja që duhet bërë, në këtë rast, nuk duhet kuptuar si një përpjekje individuale introspeksioni, ku qëllimi është ai që t’i njohim më mirë mekanizmat tona të brendshme për t’u përforcuar dhe për të arritur njëfarë ekuilibri. Në këtë rast personi mund të bëhet më i fortë, por sidoqoftë mbetet i mbyllur në horizontin e kufizuar të mundësive të veta dhe të këndvështrimeve të veta. Ndërsa thirrja është një thirrje nga lart dhe shoshitja në këtë rast përbëhet sidomos në hapjen ndaj Tjetrit që thërret. Prandaj është e nevojshme heshtja e lutjes për të dëgjuar zërin e Hyjit që jehon në ndërgjegje. Ai troket në derën e zemrave tona, siç ka bërë me Marinë, plot me dëshirën që të lidhë miqësi me ne nëpërmjet lutjes, që të na flasë nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, që të na japë mëshirën e vet në sakramentin e Pajtimit, që të bëhet një me ne në Kungimin eukaristik.

Por është i rëndësishëm edhe ballafaqimi dhe dialogu me të tjerët, vëllezërit e motrat tona në fe, që kanë më shumë përvojë dhe na ndihmojnë të shohim më mirë dhe të zgjedhim mes mundësive të ndryshme. Samueli i ri, kur dëgjon zërin e Zotit, nuk e njeh atë menjëherë dhe tri herë vrapon tek Heliu, prifti i moshuar, që në fund i sugjeron përgjigjen e duhur për t’ia dhënë thirrjes së Zotit: «Nëse të thërret përsëri, thuaji: “Fol, o Zot, se të dëgjon shërbëtori yt!”» (1 Sam 3, 9). Në dyshimet tuaja, ta dini se mund të mbështeteni në Kishën. E di se ka meshtarë të zotë, të kushtuar e të kushtuara, besimtarë laikë, shumë prej të cilëve edhe vetë të rinj, që si vëllezër e motra më të mëdhenj në fe mund t’ju shoqërojnë; të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt do të dinë t’ju ndihmojnë t’i deshifroni dyshimet tuaja dhe të lexoni planin e thirrjes suaj personale. “Tjetri” nuk është vetëm udhëheqësi shpirtëror, por është edhe ai që na ndihmon të hapemi para të gjitha pasurive të pafundme të ekzistencës që Hyji na ka dhënë. Është e nevojshme të bëjmë hapësira në qytetet dhe bashkësitë tona për t’u rritur, për të ëndërruar, për të shikuar horizonte të reja! Kurrë nuk duhet ta humbim dëshirën për të shijuar takimin, miqësinë, dëshirën për të ëndërruar së bashku, për të ecur me të tjerët. Të krishterët e njëmendtë nuk kanë frikë t’u hapen të tjerëve, të bashkëndajnë hapësirat e tyre jetësore duke i shndërruar ato në hapësira vëllazërie. Mos lejoni, të dashur të rinj, që shkëlqimet e rinisë të shuhen në errësirën e një dhome të mbyllur në të cilën e vetmja dritare për të shikuar botën është ajo e kompjuterit dhe e smartphone-t. Hapini dyert e jetës suaj! Hapësirat tuaja dhe kohët tuaja le të jenë të mbushura me persona konkretë, me marrëdhënie të thella, me të cilat të mund të bashkëndani përvoja të njëmendta dhe reale në jetën tuaj të përditshme.

 

  1. O Mari!

«Të thirra me emrin tënd» (Is 43,1). Arsyeja e parë për të mos pasur frikë është pikërisht fakti se Hyji na thërret me emër. Engjëlli, lajmëtari i Hyjit, e ka thirrur Marinë me emër. Të japë emra është karakteristikë e Hyjit. Në veprën e krijimit, Ai thërret në ekzistencë çdo krijesë me emrin e saj. Pas emrit ekziston një identitet, ai që është unikal në çdo gjë, në çdo person, ai thelb i brendshëm që vetëm Hyji e njeh deri në fund. Kjo prerogativë hyjnore është bashkëndarë pastaj me njeriun, të cilit Hyji i dha pushtetin t’u jepte një emër kafshëve, zogjve dhe bijve të tij (Zan 2,19-21; 4,1). Shumë kultura bashkëndajnë këtë këndvështrim të thellë biblik duke parë në emrin zbulimin e misterit më të thellë të një jete, domethënien e një ekzistence.

Kur e thërret me emër një person, Hyji i zbulon në të njëjtën kohë thirrjen e tij, planin e tij të shenjtërisë dhe të së mirës, nëpërmjet të cilit ai person do të bëhet dhuratë për të tjerët dhe që do ta bëjë unikal. Edhe kur Zoti dëshiron t’i zgjerojë horizontet e një jete, zgjedh t’i japë personit të thirrur një emër të ri, siç bën me Simonin, duke e thirrur atë “Pjetër”. Nga kjo ka ardhur zakoni për të marrë një emër të ri kur hyhet në një urdhër rregulltar, për të treguar një identitet të ri dhe një mision të ri. Duke qenë personale dhe unikale, thirrja hyjnore kërkon prej nesh guximin që të lirohemi prej presionit homologues të stereotipeve, që jeta jonë të jetë me të vërtetë një dhuratë origjinale dhe e papërsëritshme për Hyjin, për Kishën dhe për të tjerët.

Të dashur të rinj, të qenurit të thirrur me emër, pra, është një shenjë e dinjitetit tonë të madh para syve të Hyjit, shenjë e dashurisë së tij për ne. Dhe Hyji e thërret secilin prej jesh me emër. Ju jeni “ti”-ja e Hyjit, të çmueshëm para syve të tij, të denjë për vlerësim dhe të dashur (krh. Is 43,4). Pranojeni me gëzim këtë dialog që Hyji ju propozon, këtë thirrje që Ai ju drejton juve duke ju thirrur me emër.

 

  1. Ke gjetur hir para Hyjit

Arsyeja kryesore për të cilën Maria nuk duhet të ketë frikë është sepse ka gjetur hir para Hyjit. Fjala “hir” na flet për dashuri falas, jo të detyrueshme. Sa shumë na nxit të dimë se nuk duhet ta meritojmë afërsinë dhe ndihmën e Hyjit duke paraqitur që më parë një “curriculum të shkëlqyer”, plot me merita dhe suksese! Engjëlli i thotë Marisë se tashmë ka gjetur hir para Hyjit, jo se do ta fitojë atë në të ardhmen. Dhe vetë formulimi i fjalëve të engjëllit na bën të kuptojmë se hiri hyjnor është vazhdues, jo diçka kalimtare apo e momentit, dhe prandaj nuk do të mungojë kurrë. Edhe në të ardhmen do të jetë gjithmonë hiri i Hyjit ai që do të na mbështesë, sidomos në momentet e provës dhe të territ.

Prania e vazhdueshme e hirit hyjnor na nxit ta përqafojmë me besim thirrjen tonë, që kërkon një angazhim besnikërie i cili duhet të përtërihet çdo ditë. Në të vërtetë, rruga e thirrjes nuk është pa kryqe: jo vetëm dyshimet e fillimit, por edhe tundimet e shpeshta që ndeshen gjatë rrugës. Ndjenja e pamjaftueshmërisë e shoqëron nxënësin e Krishtit deri në fund, por ai e di se është i ndihmuar prej hirit të Hyjit.

Fjalët e engjëllit zbresin mbi frikat njerëzore duke i tretur ato me forcën e lajmit të mirë bartëse të të cilit janë ato: jeta jonë nuk është një rastësi e thjeshtë dhe vetëm luftë për mbijetesë, por secili prej nesh është një histori e dashur prej Hyjit. “Të gjeturit hir para syve të tij” do të thotë se Krijuesi sheh një bukuri unikale në qenien tonë dhe ka një plan të mrekullueshëm për ekzistencën tonë. Kjo vetëdije me siguri që nuk i zgjidh të gjitha problemet apo nuk i zhduk pasiguritë e jetës, por ka forcën që ta shndërrojë atë në thellësi. E panjohura që na rezervon e nesërmja nuk është një kërcënim i errët të cilit duhet t’i mbijetojmë, por një kohë e volitshme që na është dhënë për të jetuar unicitetin e thirrjes sonë personale dhe për ta bashkëndarë atë me vëllezërit e motrat tona në Kishë dhe në botë.

 

  1. Guxim në të tashmen

Prej sigurisë se hiri i Hyjit është me ne vjen forca për të pasur guxim në të tashmen: guxim për të çuar përpara atë që Hyji na kërkon këtu dhe tani, në çdo fushë të jetës sonë; guxim për të përqafuar thirrjen që Hyji na tregon; guxim për ta jetuar fenë tonë pa e fshehur ose pa e pakësuar atë.

Po, kur i hapemi hirit të Hyjit, e pamundura bëhet realitet. «Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh?» (Rom 8,31). Hiri i Hyjit prek të sotmen e jetës suaj, ju “kap” ashtu siç jeni, me të gjitha frikat dhe kufizimet tuaja, por zbulon edhe planet e mrekullueshme të Hyjit! Ju të rinj keni nevojë të ndieni se dikush ka me të vërtetë besim në ju: ta dini se Papa ka besim në ju, se Kisha ka besim në ju! Dhe ju, kini besim në Kishën!

Marisë së re i qe besuar detyra e rëndësishme pikërisht sepse ishte e re. Ju të rinj keni forcën, kaloni një fazë të jetës në të cilën sigurisht që nuk mungojnë energjitë. Përdorini këtë forcë dhe këto energji për të përmirësuar botën, duke filluar nga realitetet më afër jush. Dëshiroj që në Kishë t’ju besohen përgjegjësi të rëndësishme, që të ekzistojë guximi për t’ju lënë hapësirë; dhe ju, përgatituni t’i merrni përsipër këto përgjegjësi.

Ju ftoj ta sodisni përsëri dashurinë e Marisë: një dashuri e kujdesshme, dinamike, konkrete. Një dashuri plot me guxim dhe krejt e projektuar drejt dhurimit të vetvetes. Një Kishë e mbushur me këto cilësi mariane do të jetë gjithmonë një Kishë në dalje, që shkon përtej kufizimeve dhe kufijve të vet për të bërë që të shpërthejë hiri i marrë. Nëse do të lejojmë të infektohemi prej shembullit të Marisë, do ta jetojmë konkretisht atë dashuri që na nxit ta duam Hyjin më shumë se çdo gjë dhe më shumë se vetveten, t’i duam personat me të cilët bashkëndajmë jetën e përditshme. Dhe do t’i duam edhe ata që mund të na duken në vetvete jo fort të këndshëm. Është një dashuri që bëhet shërbim e përkushtim, sidomos ndaj më të dobtëve dhe më të varfërve, që i shndërron fytyrat tona dhe na mbush me gëzim.

Do të doja të përfundoja me fjalët e bukura të Shën Bernardit në një homeli të tij të famshme në lidhje me misterin e Lajmërimit, fjalë që shprehin pritjen e gjithë njerëzimit për përgjigjen e Marisë: «Ke dëgjuar, o Virgjër, se do të zësh e do të lindësh një djalë; ke dëgjuar se kjo do të ndodhë jo për virtyt të një njeriu, por për virtyt të Shpirtit Shenjt. Engjëlli prit përgjigjen; […] Presim, o Zojë, një fjalë dhembshurie edhe ne. […] Për përgjigjen tënde të shkurtër duhet të përtërihemi dhe të thirremi në jetë. […] E gjithë bota është në pritje, e shtrirë tek gjunjtë e tu. […] O Virgjër, jepe shpejt përgjigjen» (Om. 4, 8; Opera omnia, bot. Cisterc. 4, 1966, 53-54).

Shumë të dashur të rinj, Zoti, Kisha, bota, presin edhe përgjigjen tuaj ndaj thirrjes unikale që secili ka në këtë jetë! Ndërsa po afrohet DBR e Panamasë, ju ftoj të përgatiteni për këtë takim tonin me gëzimin dhe entuziazmin e atij që dëshiron të jetë pjesëmarrës në një aventurë të madhe. DBR është për të guximshmit! Jo për të rinjtë që kërkojnë vetëm rehatinë dhe që tërhiqen prapa përballë vështirësive. A e pranoni sfidën?

Nga Vatikani, 11 shkurt 2018

 

E diela VI e Kohës Gjatë Vitit

Përkujtimi i Zojës së Lurdit

FRANÇESKU

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »