A e mbështet fenë me vepra të mira?

Mar 23 • Meditimi i ditës

23 mars 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jer 20,10-13; Ps 17; Gjn 10,31-42)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i drejtohemi me përgjërim Zotit, aq më shumë e ndiejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë, o Zot.

 

Liria 

Edhe sot në fillim të këtij meditimi kërkoje heshtjen – dhe ji i/e qetë vetëm për një moment të ndërgjegjshëm. Tërhiqu nga zhurma që të rrethon përjashta. Dhe provo ta çaktivizosh zhurmën e brendshme që është brenda teje.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,

ma kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 10, 31-42

 

31 Judenjtë rishtas kapën gurë për ta vrarë. 32 Jezusi iu përgjigj:

“Ju tregova shumë vepra të mira të Atit tim. Për cilën ndër to doni të më vritni me gurë?”

33 Judenjtë iu përgjigjën:

“Nuk duam të të vrasim me gurë për shkak të ndonjë vepre të mirë, por për shkak të blasfemisë: pse ti, duke qenë njeri, e bën veten Hyj!”

34 Jezusi iu përgjigj:

“A nuk shkruan në Ligjin tuaj:

Unë thashë: hyjni jeni?’

35 Nëse i quajti hyjni ata,

të cilëve u qe drejtur fjala e Hyjit

‑ e Shkrimi i shenjtë nuk mund të zhbëhet ‑

36 si atëherë ju, atij që Ati e shuguroi

dhe e dërgoi në botë,

mund t’i thoni: ‘Po blasfemon’

pse thashë: Jam Biri i Hyjit?

37 Nëse nuk i bëj veprat e Atit tim,

mos më besoni.

38 Por nëse i bëj,

po edhe nëse nuk më besoni mua,

besojuni veprave,

që ta merrni vesh e ta kuptoni

se Ati është në mua

dhe unë në Atin.”

39 Prapë deshën ta kapin, por u doli prej duarve.

40 Jezusi doli prapë matanë Jordanit, në atë vend ku më parë Gjoni pagëzonte dhe zuri vend atje. 41 Shumë erdhën tek ai dhe thoshin: “Gjoni, njëmend, nuk bëri asnjë mrekulli, por, gjithçka tha për këtë njeri, u vërtetua.” 42Atje besuan shumë në të.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezus, përsëri po përpiqesh t`i bindësh Hebrenjtë se je Biri i Hyjit. Po mbështetesh në veprat e mira që i ke bërë, dhe pastaj në Shkrimin Shenjt. Për fat të keq, asgjë nuk ndihmon. A po ke probleme ndonjëherë kur përpiqesh për të hapur zemrën time? Më ndihmo!
  • Jezus, a të ka shkuar mendja që të heqësh dorë nga gjithçka kur të refuzuan përsëri? Apo atëherë ke filluar të planifikosh një dëftim të ri të dashurisë sate? Në vend që të ikësh nga armiqtë e tu, ti iu ke lejuar të të kapin dhe të vrasin. Por, ti e ke bërë këtë në mënyrë të tillë që njerëzit të shohin se dashuria jote është e pafund. 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

Lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi 

E filloj bisedën me Jezusin mbi tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e lexova.

Çfarë më nxiti më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë nga kujtesa dalin fjalët e mikut, apo ndonjë tregim që e kam dëgjuar para pak kohe.

Nëse është ashtu, a po e ndriçon tregimi atë çfarë mundohet të më thotë

teksti i Shkrimit Shenjt?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »