Java e Madhe – Ndërtimi i urave midis njerëzve

Mar 25 • Meditimi i ditës

25 mars 2018 – E DIELA E LARIT DHE E MUNDIMIT TË ZOTIT, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Para procesionit: Mk 11, 1-10 ose Gjn 12, 12-16; Në meshë: Is 50, 4-7; Ps 22; Fil 2, 6-11; Mk 14, 1-15 ose i shkurtër 15, 1-39)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Ia sjell vetes në mend se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe lutem për hirin e shenjtë që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Mk 11, 1-10

 

1 Kur iu afruan Jerusalemit ‑ te Betfaga e te Betania, afër Malit të Ullinjve, Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet 2 dhe u tha:

“Shkoni në fshatin që është para jush. Posa të hyni, do të gjeni një gomar të lidhur, të cilit askush ende nuk i ka hipur në shpinë. Zgjidheni e ma bini. 3 Po qe se ndokush ju pyet: ‘Çka po bëni ashtu?’ përgjigjuni: ‘Po i duhet Zotërisë, dhe ai menjëherë do ta kthejë prapë këtu.”

4 Ata shkuan, e gjetën gomarin e lidhur përjashta te dera në rrugë dhe e zgjidhën. 5 Disa që ndodhën aty i pyetën:

“Çka po bëni? Pse po e zgjidhni gomarin?”

6 Nxënësit u përgjigjën si u kishte thënë Jezusi. Nuk i penguan.

7 Ata ia çuan gomarin Jezusit, hodhën mbi të petkat e veta dhe Jezusi hipi në të. 8 Shumë njerëz i shtrinë petkat e veta udhës e disa të tjerë gemat që këputnin nëpër ara. 9Si ata që shkonin para Jezusit, si ata që i shkonin pas, klithnin:

“Hosana!

Qoftë bekuar ai që vjen në Emër të Zotit!”

10 Qoftë bekuar Mbretëria që po vjen e atit tonë Davidit!

Hosana në qiejt më të lartët!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Vdekja e Krishtit është si një urë. Ai qëndronte i varur në kryq duke qenë i kryqëzua është dhe urë në mes kombeve, por edhe në mes nesh njerëzit. Jezusi mund të jetë urë që na lidh të gjithë ne, sepse gjithçka që është njerëzore ai e ka të njohur – deri edhe vdekjen. Jezusi i plotëson të gjitha këto kërkesa.
  • Java e Madhe, Java e Shenjtë është “Java e urës”. Çdo javë në të cilën ndërtojmë ura midis njerëzve është si Java e Madhe – e Shenjtë.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

Lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »