Në heshtje fitojmë urtinë dhe forcën për të vepruar

Mar 26 • Meditimi i ditës

26 mars 2018 – E Hëna e Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 42,1-7; Ps 26; Gjn 12,1-11)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje,

ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im,

rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria
O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira në mënyrë që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi
Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë në atë çfarë jam.

Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Gjn 12, 1-11

 

1 Gjashtë ditë para Pashkëve Jezusi erdhi në Betani, ku jetonte Lazri, të cilin Jezusi e ngjalli prej së vdekuri. 2 Aty ia bënë gati darkën. Marta u shërbente e njëri ndër ata, që ishin në tryezë me Jezusin, ishte Lazri. 3 Atëherë Maria mori një libër parfum nardi të pastër e shumë të shtrenjtë, ia leu këmbët Jezusit dhe ia fshiu me flokët e vet. Shtëpia u mbush me erën e këndshme të parfumit. 4 Atëherë, Judë Iskarioti ‑ njëri prej nxënësve të tij, ai që kishte në mend ta tradhtonte ‑ tha: 5 ”Pse nuk u shit ky parfum për treqind denarë e nuk iu nda skamnorëve?” 6 Foli kështu, jo pse kishte fort kujdes për skamnorë, por pse ishte vjedhës e pasi ai e mbante qesen, vidhte çka vihej brenda.

7 Atëherë Jezusi tha: “Lëre! Le ta bëjë këtë për ditën e varrimit tim! 8 Skamnorët i keni gjithmonë me ju, kurse mua nuk do të më keni gjithmonë.”

9 Një shumicë e madhe judenjsh mori vesh se Jezusi po gjendej atje dhe erdhën, jo vetëm për shkak të Jezusit por edhe për të parë Lazrin, të cilin e ngjalli së vdekuri. 10 Atëherë kryepriftërinjtë vendosën të vrasin edhe Lazrin,11 sepse, për shkak të tij, shumë judenj i linin ata dhe besonin në Jezusin.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Te vizita e dhe darka e mëparshme e Jezusit me Lazrin, Marta u ankua që motra e saj Maria nuk i ndihmonte. Jezusi e përgëzoi Marinë se e dëgjonte. Asgjë nuk ka ndryshuar edhe tani. Marta vazhdon të shërbejë, kurse Maria e bën një gjest dramatik dashurie. Jezusi e përgëzon përsëri për dashurinë e saj.
  •  jetën time duhet të ketë kohë për veprim dhe kohë për heshtje. Të arrihet një ekuilibër mes kësaj nuk është e lehtë. Megjithatë, në heshtje fitojmë urtinë dhe forcën për të vepruar. 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a fjali që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

Lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Bashkëbisedimi
Nganjëherë e pyes veten çka do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »