Kryqi na zbulon: Jemi mëkatarë të dashur!

Mar 27 • Meditimi i ditës

 27 mars 2018 – E Marta e Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 49,1-6; Ps 70; Gjn 13,21-33.36-38)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime,
Dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam,
Mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar,
Dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala e Zotit

Fjala e Zotit vjen tek ne nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt ma ndriçoftë mendjen dhe zemrën në mënyrë që t`iu përgjigjem nxitjeve të ungjillit.
Që t`i dua të afërmit si vetveten.
Që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 13, 21-33.36-38

 

21 Si i tha këto, Jezusi, i tronditur në shpirt, shpalli:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

njëri prej jush do të më tradhtojë.”

22 Atëherë nxënësit shikuan njëri‑tjetrin duke mos ditur për cilin po fliste. 23 Njëri prej nxënësve, ai, të cilin Jezusi e donte veçanërisht, ishte në tryezë përbri parzmës së Jezusit.24 Atëherë Simon Pjetri i dha shenjë ta pyeste Jezusin për cilin po thoshte: 25 Ky atëherë iu mbështet Jezusit në parzëm dhe e pyeti:

“Zotëri, cili është?”

26 Jezusi iu përgjigj:

“Ky, të cilit po ia jap kafshatën pasi ta ngjyej në kupë.”

Atëherë e ngjeu kafshatën [e mori dhe] ia dha Judës së Simon Iskariotit. 27 Pas kësaj kafshate në të hyri djalli.

Atëherë Jezusi i tha:

“Ç’ke në mend të bësh, bëje shpejt!”

28 Askush prej atyre që ishin në tryezë nuk e mori vesh pse i tha ashtu. 29 E, pasi Juda mbante qesen, disa menduan se Jezusi i tha të shkojë të blejë çka duhet për festë, ose t’u japë ndonjë gjë skamnorëve.

30 Juda, posa mori kafshatën, menjëherë doli jashtë. Ishte natë.

31 Pasi Juda doli përjshta, Jezusi tha:

“Tani u lavdërua Biri i njeriut!

Edhe Hyji u lavdërua në të!

32 [Nëse Hyji u lavdërua në të]

edhe Hyji do ta lavdërojë atë në vetvete.

Po, madje menjëherë do ta lavdërojë!

33 Fëmijëzit e mi!

Edhe pak kohë jam me ju!

Do të më kërkoni,

por, siç u thashë judenjve,

tani po ju them edhe juve:

‘ku unë po shkoj,

ju nuk mund të vini.’

36 Simon Pjetri i tha:

“Zotëri, ku mendon të shkosh?”

Jezusi [iu] përgjigj:

“Ku unë mendoj të shkoj, ti tani nuk mund të më ndjekësh; por më vonë do të më ndjekësh.”

37 “Zotëri ‑ i tha atëherë Pjetri ‑ E pse tani nuk mund të vij pas teje? Unë do ta jap jetën për ty!”

38 Jezusi u përgjigj:

“Ti do ta jepësh jetën tënde për mua? Përnjëmend, përnjëmend po të them: para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në këtë pjesë të Ungjillit janë tri reagime të ndryshme ndaj pësimit, mundimit të afërt të Krishtit. E para është reagimi i Judës që e lë dritën dhe hyn në natë. I dyti është ai i nxënësit të dashur i cili e mbështet kokën në parzmën e Jezusit, duke u vendosur në dashurinë e Zotit. I treti është Pjetri i cili e shpreh dëshirën e tij të flaktë për ta ndjekur Krishtin, edhe nëse kjo do të thotë të sakrifikonte jetën e vet. Diçka prej këtyre tri reagimeve ekziston edhe në të gjithë ne.
  • Vuajtja nuk e ndërton karakterin; ajo e zbulon atë kur hyjmë më shumë në pësimin, mundimet e Krishtit. Dhe, siç na këshillojnë etërit shpirtëror të kërkojmë hirin që ta përjetojmë turpin dhe konfuzionin e kryqit në vetë jetën tonë, karakteri ynë zbulohet.
  • Kryqi tregon se kush jemi me të vërtetë. Edhe atëherë kur kemi ikur në errësirë ​​apo shpejtë kemi premtuar besnikëri, por ngadalë e përmbushim atë, kryqi na mban në dritë. Qoftë kur jemi duke pushuar në përqafimin e dashur të Krishtit apo jemi larg prej tij, kur hijet na kaplojnë dhe pesha e kryqit shtrëngon mbi shpatullat tona, ne e zbulojmë  se kush jemi.
  • Dhe kush jemi ne? Kur e shikojmë veten tonë të pasqyruar në pësimin, mundimin e kryqit, çfarë shohim? Mëkatarë të dashur. Të dështuar dhe të thyer, pikërisht ata për të cilët Krishti zgjodhi të vdiste. Të ndenjurit a të ecurit, të bërtiturit a të heshturit, të gjitha gjejnë kuptim vetëm në dritën e dashurisë sakrifikuese të Krishtit, një dashuri që hyn në mëkat dhe vdekje vetëm për ta transformuar atë në jetë.
  • Si reagoj kur e provoj turpin dhe konfuzionin e kryqit në jetën time të përditshme? Dhe si reagon Krishti kur lejoj të marr përvojë nga kryqi i Tij?
  • Hyji lavdërohet në mënyra të ndryshme. Ai lavdërohet në mundimet e Jezusit, sepse çdo gjë që është bërë, është bërë nga dashuria.
  • Edhe duke e dërguar Judën jashtë është fillimi i mundimeve – dashurisë që do të rezultojë në dashurinë e kryqit.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro aty aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh tutje.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »