Spektatorë apo pjesëmarrës në dramën e njerëzimit

Mar 28 • Meditimi i ditës

28 mars 2018 – E Mërkura e Madhe, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 50,4-9; Ps 68; Mt 26,14-25)

 

Prania e Hyjit

“Çdo gjë e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj të kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

Shumë vetë në këtë moment janë duke pësuar tmerret e luftës.
E përuli kokën në shenjë falënderimi për lirinë time
dhe lutem për të gjithë të burgosurit dhe të robëruarit.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?
Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,
a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?
Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,
do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala e Zotit

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje,

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Mt 26, 14-25

 

14 Atëherë njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë 15 dhe u tha: “Çka po më jepni e unë po jua dorëzoj?” Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta16 Që atëherë Juda kërkonte rastin e volitshëm për ta tradhtuar.

17 Të parën ditë të Bukëve të pabrume, iu afruan Jezusit nxënësit dhe e pyetën:

“Ku dëshiron ta bëjmë gati darkën e Pashkëve?”

18 Ai u tha:

“Shkoni në qytet te filani dhe thuajini: Mësuesi thotë: koha ime është afër! Te ti do të kremtoj Pashkët me nxënësit e mi.”

19 Nxënësit bënë si u urdhëroi Jezusi dhe përgatitën darkën e Pashkëve.

20 Kur u bë natë, Jezusi u ul në tryezë bashkë me të Dymbëdhjetët. 21 Ndërsa po hanin, ai u tha: “Për të vërtetë po ju them: njëri prej jush do të më tradhtojë!” 22 Të trishtuar për së tepërmi, zunë ta pyesnin njëri pas tjetrit:

“A mos jam unë, Zotëri?”

23 Ai iu përgjigj:

“Ai që po e ngjyen kafshatën me mua në pjatë ‑ ai do të më tradhtojë. 24 Po, Biri i njeriut patjetër po shkon siç është në Shkrimin e shenjtë për të. Porse: vaj për atë njeri që po e tradhton Birin e njeriut! Më mirë do të kishte qenë për të të mos kishte lindur aspak!”

25 Atëherë e pyeti edhe Juda, tradhtari i tij:

“A mos jam unë, Mësues?”

“E the vetë!” ‑ iu përgjigj Jezusi.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Skena po vendoset për dramën përfundimtare të misionit të Jezusit. Juda u kthye te krerët e priftërinjve për të bërë një marrëveshje për dorëzimin e Jezusit tek ta. Ky term ‘dorëzimi’ është si një refren gjatë gjithë Ungjillit dhe arrin kulmin këtu. Gjon Pagëzuesi u dorëzua. Tani e shohim se Jezusi po dorëzohet – termi ndodh tri herë në pasazhin e sotëm. Më vonë, edhe ndjekësit, nxënësit e Jezusit do të dorëzohen në duart e atyre që duan t’i japin fund misionit të tyre.
  • Juda e shet mësuesin e tij, e dorëzon, për 30 copë argjendi. Çfarë bëjnë njerëzit për para! Nuk është vetëm Juda që bën kështu. Ajo që bëri ai ndodh sot e kësaj dite – çdo ditë. Ndoshta edhe unë e kam tradhtuar dhe dorëzuar Jezusin më shumë se një herë.

·                    Vështroje Judën dhe shikoje sesi prej frike e tradhton Jezusin. Vështroje Jezusin gjatë kohës që zemra e tij ballafaqohet me dobësinë e nxënësve-apostujve.

  • Le të shikojmë me kujdes gjatë tre ditëve të ardhshme jo vetëm si spektatorë por si pjesëmarrës. Edhe ne e kemi tradhtuar aq shpesh Jezusin; edhe ne shpesh kemi ngrënë bukë bashkë me Jezusin dhe ndoshta e kemi shitur me para; me ambicie vetjake, me lakmi, me zemërim, me urrejtje, hakmarrje apo edhe me dhunë për përfitim personal. Edhe ne, si Juda, mund ta braktisim atë në dëshpërim ose, si Pjetri, të kthehemi tek ai me lot pendimi.

·                    Dashuria e Hyjit ngadhënjen në lloje të ndryshme dobësish në jetën tonë. Lejo që ai të jetë fuqia në dobësinë dhe mëkatshmërinë tënde.

Zoti na e zbulon veten e vet nëpërmjet Shkrimit Shenjt.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Ungjillit, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë pjesë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »