Për të shërbyer apo/dhe për të qenë shërbyer

Mar 29 • Meditimi i ditës

29 mars 2019 – E ENJTJA E MADHE, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës – Në meshën e krizmës: Is 61,1-3.6.8-9; Ps 88; Zb 1,5-8; Lk 4,16-21; Në meshën e Darkës së Zotit: Dal 12, 1-8.11-14; Ps 115; 1 Kor 11, 23-26; Gjn 13, 1-15)

 

Prania e Hyjit

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që dëshirave më të thella të zemrës sime u jep jetë,

që më udhëheq në mënyrë pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të lirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi 

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj gjithë atë që ka qenë mirë dhe bukur, dhe për këtë shpreh ndjenja falënderimi.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çfarë më flasin; lutem për shërim, guxim, falje.

 

Fjala e Zotit

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 13, 1-15

 

1 Ishte para festës së Pashkëve. Jezusi, duke ditur se i erdhi koha të kalojë prej kësaj bote tek Ati, pasi i deshi të vetët ‑ ata që ishin në botë ‑ i deshi deri në pikën e fundit. 2 Dhe, gjatë darkës ‑ pasi djalli ia kishte mbushur mendjen Judës, birit të Simon Iskariotit, ta tradhtonte ‑ 3 Jezusi, që e dinte se Ati i la gjithçka në dorë, se erdhi prej Hyjit dhe se tek Hyji po kthente ‑ 4 u ngrit nga darka, hoqi petkun e sipërm, mori një peshqir dhe u ngjesh. 5 Qiti ujë në legen dhe filloi t’ua lajë këmbët nxënësve dhe t’ua fshijë me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.6 Arriti kështu te Simon Pjetri. Ai i tha:

“Zotëri, ti të m’i lash këmbët?”

7 “Ç’po bëj unë ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ ti tani nuk e kupton, do ta kuptosh më vonë.”

8 Pjetri iu përgjigj:

“Nuk do të m’i lash këmbët kurrë e për këtë jetë!”

“Nëse nuk do të laj ‑ i tha Jezusi ‑ nuk do të kesh pjesë me mua.”

9 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Atëherë, Zotëri, jo veç këmbët e mia, por edhe duart, edhe kokën!”

10 Jezusi i tha:

“Kush është i larë, nuk i duhet të lajë tjetër përveç këmbët ‑ dhe është krejtësisht i pastër. Edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Ngase e dinte se kush do ta tradhtojë, këndej edhe tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Pasi ua lau këmbët, mori petkun e sipërm të vetin, u ul prapë në tryezë dhe u tha:

“A e kuptoni çka ju bëra? 13 Ju më quani: Mësues e Zotëri. Mirë thoni, sepse unë jam. 14 Nëse, pra, unë ‑ Zotëria dhe Mësuesi ‑ ju lava këmbët, duhet që edhe ju t’ia lani këmbët njëri‑tjetrit. 15 Ju dhashë shembull që, sikurse ju bëra unë juve, të bëni edhe ju.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjt:

 

  • Gjoni ungjilltar na sjell atë që është në qendër të eukaristisë: nuk e jep përshkrimin e shndërrimit të bukës dhe verës, por shikimin në zemrën e Jezusit që shërben.

Me përvujtëri falënderoj që mund t`u shërbej të tjerëve. Lutem që edhe veprat e mia të vogla të shërbimit të mund të jenë për të mirën e botës dhe për më të madhen lavdi të Zotit.

  • Pjetri e ka çmuar më shumë pavarësinë e tij duke e refuzuar pa u trembur veprën “e panevojshme” të shërbimit të përvuajtur të Jezusit.

Më ndihmo, o Zot, që me zemërgjerësi të lejoj që të jem i shërbyer dhe që të dalloj në ata që kujdesen për mua. Do të marrë pjesë në meshën e Darkës së Zotit.

  • A mund ta vështrosh këtë skenë dhe t`i lejosh Jezusit që të t`i lajë këmbët? Paramendoje se si po të shikon duke derdhur ujin në këmbët e tua dhe duke i fshirë ato. Aidëshiron ta bëjë këtë. Lejoji!
  • Vetëm atëherë, kur t`i lejosh, do jesh në gjendje ta imagjinosh vetveten duke bërë të njëjtën gjë për të tjerët. Dhe ndërsa e bën një gjë të tillë lutu për ta. 

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time. 
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime. 
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua. 
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time. 
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje. 
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çeli zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash 
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »