Mesha e Shugurimit të Vajrave të Shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza

Mar 30 • Kisha në Kosovë

Java e Madhe apo Java e Shenjtë, është kulmi i vitit liturgjik, në të cilën e tërë kisha kremton misterin e fesë. Me të Enjten e Madhe fillon Treditëshi Pashkor apo Treditëshi i shenjtë i Zotërisë së kryqëzuar, varrosur dhe ringjallur.

Tradicionalisht, sipas liturgjisë së shenjtë katolike, e Enjtja e Madhe fillon me meshën e krizmës, që shqip mund të thuhet edhe mesha e bagmit të shenjtë, sipas përdorimit tradicional që nga Meshari i Buzukut. Këtë meshë e kremton Ipeshkvi i Kishës lokale në bashkëkremtim me meshtarët, paradite në katedralen e Ipeshkvisë, gjatë së cilës ripërtërihen premtimet meshtarake nga të gjithë meshtarët dioqezan dhe shugurohen vajrat e shenjtë – për të sëmurë, për katekumen dhe krizma apo i përforcimit, të cilat përdorën nga të gjithë meshtarët gjatë vitit, deri në të enjten e madhe të vitit të ardhshëm.

Sivjet, për herë të parë Kisha jonë në Kosovë, e kremtoj Meshën e Krizmës në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, të martën e Javës së madhe, të kryesuar nga Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, me të gjithë meshtarët, me murgesha dhe besimtarë. 

Gjatë homelisë së tij Ipeshkvi theksoj se Kisha Katedrale në Prishtinë ditët e fundit ka qenë vendtakimi ynë, thuajse me gjithë Kishën në Kosovë; takimi i rinisë dioqezane, e diela e Larit me bashkësinë e Prishtinës dhe sot, në meshën e krizmës. Ai u ndal në shpjegimin e  dëshirës së Jezusit për ta themeluar Kishën, një familje e bashkuar rreth eukaristisë dhe meshtarit. Në këtë Kishë të Jezusit ne e kemi gatuar mendjen dhe zemrën, – tha ipeshkvi – duke e theksuar se ne jemi familja e Jezusit – Kisha – në Kosovë, e cila e dëshmon praninë e tij në këtë shoqëri. Le të ecim të bashkuar me shpirtin e Mësuesit tonë, që të jemi të denjë në misionin tonë të shenjtë në ditët tona. Të kemi guximin dhe harenë e shpalljes së përkatësisë sonë.

Imzot Dodë Gjergji, e bashkëndau një dëshmi të një të pagëzuari të ri, i cili e dëshmon Krishtin në rrethin e vet. “Po ju jap një dëshmi për të ju thënë se çka është duke bërë Krishti në mesin tonë: Mbrëmë më vjen një burrë, prej përvojës të një të pagëzuari të ri dhe e më thotë: unë kam njohur Krishtin në ëndërr, jam pagëzuar dhe kam vendosur me qenë dëshmitar i Krishtit në popullin tim. Ishte pagëzuar në Gjermani, dhe vjen në fshatin e vet në Kosovë dhe në oborr të vet e ngrit kryqin në mesin e atyre që nuk janë katolikë, dhe i mbledh njerëzit me ju thënë se Krishti është Zot, unë kam besuar. Ky është i krishteri i të ardhmes në Kosovë – u shpreh ipeshkvi – ky është meshtari katolik i së ardhmes në Kosovë, ky është murgesha e së ardhmes në Kosovë. Po nuk e zhveshëm të vjetrën dhe nuk e përqafuam të renë, kurrë nuk do të mbërrijmë të bëhemi dëshmitarë të vërtetë të Krishtit në këtë vend. Të bashkuar kështu ne do t’i lutemi Zotit të na jep këtë shpirt, të na jep vërtet gjithë këtë hir që kemi nevojë, e të shkojmë t’i shugurojmë vajrat me të cilët do ta pagëzojmë popullin tonë, bijtë dhe bijat tona dhe ta rindezim gëzimin e zemrës së krishterë. Ta mbështesim njeri-tjetrin në këtë ecje, pa hezitim, pa paragjykim, ta lejojmë Shpirtin Shenjt të na udhëheq e do të jemi dëshmitarë të denjë të Krishtit.  

Homelinë e tij ipeshkvi e përfundoi me fjalë urimi për meshtarët, e me fjalë nxitëse dhe inkurajuese për të gjithë: Këndej, juve vëllezër besimtarë ju uroj meshtarinë e Krishtit në pagëzim, e juve meshtar ju uroj meshtarinë e Krishtit në shugurim. Le të jemi, vërtet, predikuesit e tij të besueshëm, jo me fjalë të mençura, por të besueshëm; për të qenë të tillë duhet ta themi atë që besojmë dhe duhet ta besojmë atë që themi, përndryshe nuk na beson askush. Na mbështetni ju vëllezër dhe motra në fe, me uratën e juaj, që ne të arrijmë të bëhemi sa më të shenjtë, sepse atëherë do të mund të ju ndihmojmë të shenjtëroheni edhe ju – ishin fjalët e ipeshkvit si grishje për të qenë shpallës dhe dëshmitarë të Ungjillit.

Bashkimi shpirtëror i pandashëm – që është Kisha, mishërohet dhe bëhet prani në ndarjen e sakramenteve, në mënyrë të veçantë, kur bëhet shugurimi i vajrave të shenjtë:

Vaji i të sëmuarve: për lyerjen sakramentale të atyre që lëngojnë nga sëmundja, të cilët me mundimin e tyre marrin pjesë në mundimet shëlbimprurëse të Krishtit.  

Vaji i katekumenve: për lyerjen e atyre që do të pranojnë pagëzimin, për t’i përforcuar në shpirt e trup, që të mund ta mposhtin djallin dhe mëkatin, deri në marrjen e sakramentin e pagëzimit.

Vaji i krizmës: ky vaj është aq i rëndësishëm sa që edhe Mesha ka marrë emrin e tij. Përdorët në pagëzim, në krezmim dhe në sakramentin e urdhrit të shenjtë. Çdo besimtarë, i cili është lyer me këtë vaj në pagëzim, shënjon të krishterët se janë pjesëmarrës të Misterit Pashkvor të Krishtit, në varrim dhe në ringjallje./drita.info

Fotografitë: Antigona Gegaj & Lekë Laçi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »