Mundimet e Krishtit – drama e njerëzimit

Mar 30 • Meditimi i ditës

30 mars 2018 – E PREMTJA E MADHE, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 52,13-53,12; Ps 30; Heb 4,14-16.5,7-9; Gjn 18,1-19,42)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe sille në këtë lutje dëshirën tënde të jesh pjesë e diçkaje më të madhe se vetja jote. Kërkoji Hyjit ndihmë për të dalluar ndonjë dëshirë specifike që të çon në drejtim të asaj që është “diçka më e madhe” – drejt projektit të Hyjit – dhe kërkoji Hyjit t`i bekojë përpjekjet e tua për të qenë dashuri për të tjerët.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto raporte dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre raporteve janë shtrembëruar, disa janë dëmtuar, disa janë prishur:
Ndoshta për këtë arsye ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala e Zotit

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjen jehonë në zemrën tënde. Nëse je në dhomë, mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 18, 1-19, 42

 

1 Jezusi, si i tha këto fjalë, kaloi bashkë me nxënësit e vet përtej përroit Cedron. Aty ishte një kopsht, në të cilin hyri ai e nxënësit e tij. 2 Edhe Juda, tradhtari i tij, e dinte atë vend, sepse Jezusi shpeshherë shkonte atje bashkë me nxënësit e vet.

3 Atëherë Juda mori një kompani ushtarësh dhe disa rojtarë të Tempullit që ia dhanë kryepriftërinjtë e farisenjtë dhe ia behu atje me pisha të ndezura, me dritëza e me armë.

4 Jezusi, që e dinte mirë çka kishte për t’i ndodhur, u doli para dhe u tha:

“Kë kërkoni?”

5 “Jezu Nazarenin!” ‑ iu përgjigjën ata.

“Unë jam.” ‑ u tha Jezusi.

Me ta ishte Juda që po e tradhtonte. 6 Kur, pra, Jezusi u tha: “Unë jam!”, ata u zmbrapsën dhe ranë përdhe. 7 Atëherë i pyeti përsëri:

“Kë kërkoni?”

“Jezusin Nazarenas!” ‑ iu përgjigjën ata. 8 Jezusi u tha: “Ju thashë: ‘Unë jam’. Nëse, pra, më kërkoni mua, lërini këta të shkojnë!”

9 Ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala që pati thënë: “Nuk bora asnjë prej atyre që më dhe.”

10 Atëherë Simon ‑ Pjetri nxori shpatën, që e kishte me vete, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin e djathtë. Shërbëtori quhej Malk. 11 Atëherë Jezusi i tha Pjetrit:

“Shtjere shpatën në mill! A të mos e pi gotën që ma dha Ati?”

12 Atëherë njësia ushtarake me komandantin e me rojtarët e judenjve e kapën Jezusin dhe e lidhën. 13 E çuan më parë tek Ana, sepse ishte vjehrri i Kajfës, që ishte kryeprifti i atij viti. 14 Kajfa ishte ai që i kishte këshilluar judenjtë: “Është më mirë të vdesë vetëm një njeri në vend të popullit!”

15 Simon‑Pjetri dhe një nxënës tjetër po shkonin pas Jezusit. Nxënësi tjetër njihej prej kryepriftit dhe hyri me Jezusin në oborr të kryepriftit, 16 kurse Pjetri mbeti përjashta, te dera. Atëherë ai nxënësi tjetër, që e njihte kryeprifti, doli, foli me derëtaren dhe bëri që të hyjë Pjetri brenda. 17 Ndërkaq shërbëtorja derëtare i tha Pjetrit:

“A mos je edhe ti prej nxënësve të atij njeriu?”

“Nuk jam!” ‑ iu përgjigj ky.

18 Aty ishin shërbëtorët e rojtarët. Kishin ndezur zjarr e po nxeheshin, sepse bënte ftohtë. Me ta rrinte edhe Pjetri e po nxehej.

19 Kryeprifti e pyeti Jezusin për nxënësit e tij dhe për mësimin e tij. 20 Jezusi i u përgjigj:

“Unë u kam folur njerëzve botërisht. Gjithmonë kam mësuar në sinagogë dhe në Tempull, ku mblidhen të gjithë judenjtë. Nuk fola asgjë fshehtas. 21 Pse po më pyet mua? Pyeti ata që dëgjuan çka u kam folur. Ata, patjetër dinë ç’kam thënë.”

22 Pas këtyre fjalëve, njëri nga rojtarët e pranishëm, i ra Jezusit shuplakë dhe i tha:

“A kështu i përgjigjesh kryepriftit?”

23 “Nëse fola keq ‑ i tha Jezusi ‑ ma vërteto të keqen! Nëse fola mirë, pse po më bie?”

24 Atëherë Ana e dërgoi të lidhur te kryeprifti Kajfa.

25 Simon‑Pjetri po rrinte gjithnjë aty e po nxehej. I thanë, pra, disa: “A mos je edhe ti prej nxënësve të tij?” Ai e mohoi dhe tha: “Nuk jam.” 26 Njëri prej shërbëtorëve të kryepriftit, kushëriri i atij, të cilit Pjetri ia preu veshin, i tha: “Po a nuk të pashë bashkë me të në kopsht?” 27 Pjetri prapë mohoi dhe këndoi gjeli.

28 Atëherë Jezusin e çuan prej Kajfës në pallatin e qeveritarit. Ishte herët në mëngjes e ata nuk hynë në pretorium që të mos bëheshin të papastër, por të mund të hanin darkën e Pashkëve. 29 Prandaj, Pilati doli jashtë para tyre dhe i pyeti:

“Ç’padi keni kundër këtij njeriu?”

30 “Po të mos ishte ky keqbërës ‑ iu përgjigjën ata ‑ nuk do ta kishim sjellë para teje!”

31 Pilati u përgjigj:

“Merreni ju e gjykojeni sipas Ligjit tuaj!”

[Atëherë] Judenjtë u përgjigjën:

“Ne s’kemi leje të vrasim askënd!”

32 Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Jezusit, me të cilën parafoli se me ç’vdekje do të vdiste.

33 Atëherë Pilati hyri përsëri në pallat, e thirri Jezusin dhe e pyeti:

“A je ti mbreti i judenjve?”

34 Jezusi iu përgjigj:

“A e thua ti këtë prej vetvetes, apo ta thanë të tjerët për mua?”

35 Pilati u përgjigj:

“Pse, a mos jam unë judeas? Populli yt dhe kryepriftërinjtë të dorëzuan tek unë. Çka ke bërë?”

36 Jezusi u përgjigj:

“Mbretëria ime nuk është e kësaj bote. Po të ishte Mbretëria ime e kësaj bote, ushtarët e mi do të kishin luftuar që të mos u bija në dorë judenjve. Porse, Mbretëria ime nuk është prej këndej.”

37 “Pra, ti qenke Mbret?”‑ i tha atëherë Pilati.

“Mirë thua! ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Unë jam mbret!

E unë linda dhe erdha në botë

për të dëshmuar të vërtetën.

Kush e do të vërtetën,

ai e dëgjon fjalën time.”

38 “Po çka është e vërteta?” ‑ i tha Pilati.

Si foli kështu, doli prapë para judenjve dhe u deklaroi:

“Unë nuk gjej në të kurrfarë faji! 39 Tashti, ndër ju është zakon t’ju liroj dikënd për Pashkë. A doni, pra, t’ju liroj mbretin e judenjve?”

40 Por ata bërtitën prapë:

“Jo këtë, por Barabën!”

E Baraba ishte cub.

1 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe urdhëroi të rrahej me frushkuj.

2 Ushtarët gërshetuan një kurorë ferrash e ia vunë në kokë dhe i veshën një mantel të kuq. 3 I afroheshin dhe i thoshin:

“Të falemi, mbreti i judenjve!” Dhe i binin flakaresha.

4 Atëherë Pilati doli përsëri përjashta dhe u tha:

“Ja, po jua nxjerr përjashta që ta dini se nuk gjej në të kurrfarë faji.”

5 Atëherë Jezusi doli jashtë me kurorë ferrash e me mantel të kuq. Pilati u tha:

“Ja, Njeriu!”

6 Porse, kur e panë kryepriftërinjtë dhe rojtarët, bërtitën:

“Kryqëzoje, kryqëzoje!”

“Merreni ju e kryqëzojeni ‑ u tha Pilati ‑ se unë nuk gjej në të farë faji.”

7 Judenjtë iu përgjigjën:

“Ne kemi Ligjin dhe atij i duhet të vdesë sipas Ligjit se e bëri veten Bir të Hyjit.”

8 Pilati, kur e dëgjoi këtë fjalë, u tremb edhe më tepër 9 dhe hyri prapë në pallat e i tha Jezusit: “Prej nga je?” Jezusi nuk i dha përgjigje. 10 Atëherë Pilati i tha:

“Mua nuk më përgjigjesh? A nuk e di se kam pushtet të të liroj e kam pushtet të të kryqëzoj?”

11 “Kurrfarë pushteti s’do të kishe mbi mua ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ po të mos të të ishte dhënë prej së Larti. Prandaj, ai njeri që më dorëzoi tek ti ka mëkat më të madh.”

12 Që atëherë Pilati kërkonte ta lëshonte, porse judenjtë bërtitnin: “Nëse e liron këtë, nuk je mik i Cezarit. Kushdo e bën veten mbret, është kundër Cezarit.”

13 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, e nxori Jezusin përjashta, u ul në selinë e gjykatores, në vendin që quhet “Kalldrëm” e hebraisht “Gabatha”. 14 Ishte dita e Përgatitjes së Pashkëve, rreth orës gjashtë. Pilati u tha judenjve:

“Qe mbreti juaj!”

15 Ata atëherë bërtitën:

“Hiqe! Hiqe! Kryqëzoje!”

“Ta kryqëzoj mbretin tuaj?” ‑ u tha Pilati.

Krerët e priftërinjve u përgjigjën:

“Ne nuk kemi tjetër mbret, përveç Cezarit!”

16 Atëherë ua dorëzoi të kryqëzohej.

E morën, pra, Jezusin. 17 Jezusi, duke e mbartur ai vetë kryqin e vet, doli në vendin që quhet “Kafka” hebraisht “Golgota”. 18 Atje e kryqëzuan, e bashkë me të, edhe dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, kurse Jezusin në mes.

19 Pilati e shkroi edhe mbishkrimin dhe e vuri në kryq. Ishte shkruar: “Jezus Nazareni, mbreti i judenjve.” 20 Këtë mbishkrim e lexuan shumë judenj, sepse vendi ku e kryqëzuan Jezusin ishte afër qytetit. Ishte i shkruar hebraisht, latinisht e greqisht. 21 Atëherë kryepriftërinjtë e judenjve i thanë Pilatit:

“Mos shkruaj: ‘Mbreti i judenjve’, por se ai tha: ‘Unë jam mbreti i judenjve’.”

22 Pilati u përgjigj:

“Çka shkrova, shkrova!”

23 Ushtarët, pasi e kryqëzuan Jezusin, i morën petkat e sipërme të tijat dhe i ndanë në katër pjesë ‑ secilit ushtar nga një pjesë. Morën edhe petkun e poshtëm. Ky nuk ishte i qepur me pola, por i punuar një cope, prej në maje e në fund. 24 Prandaj i thanë njëri‑tjetrit: “Nuk po e ndajmë në pjesë, por po qesim short, kujt t’i bjerë.” Ndodhi kështu që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë:

‘I ndanë mes tyre petkat e mia

e mbi petkun tim hodhën short.’

Ushtarët bënë pikërisht ashtu.

25 Në këmbë, përbri kryqit të Jezusit, qëndronin nëna e tij, pastaj motra e nënës së tij, Maria e Klopait edhe Maria Magdalenë. 26 Jezusi, kur pa nënën e vet dhe, pranë saj, nxënësin që donte, i tha nënës:

“Grua, ja, yt bir!”

27 Pastaj i tha nxënësit:

“Ja, nëna jote!”

Prej asaj ore nxënësi e mori me vete.

28 Pastaj, Jezusi, i vetëdijshëm se u krye gjithçka, që të shkojë në vend fjala e Shkrimit të shenjtë, tha: “Kam etje!” 29 Aty ishte një enë plot me uthull. Në majë të kallamit të hisopit vunë një sfungjer plot me uthull e ia afruan te goja. 30 Jezusi, posa e kërkoi uthullën, tha:

“Gjithçka u krye!”

Uli kokën e dha shpirt.

31 Atëherë judenjtë, pasi ishte dita e Përgatitjes dhe, që trupat të mos mbeteshin në kryq të shtunën ‑ e ajo e shtunë ishte ditë e madhe ‑ i bënë lutje Pilatit që të kryqëzuarve t’u theheshin kërcinjtë dhe të uleshin prej kryqit. 32Erdhën, pra, ushtarët e të parit e të dytit që ishin të kryqëzuar me të, ua thyen kërcinjtë. 33 Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, 34 por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.

35 Dëshmon ai që pa, e dëshmia e tij është e vërtetë. Ai di se flet të vërtetën, që edhe ju të besoni. 36 Në të vërtetë, ndodhi kështu që të shkonte në vend fjala e Shkrimit të shenjtë: “Asnjë asht nuk do t’i thyhet.” 37 E në një vend tjetër Shkrimi i shenjtë thotë:

“Do ta shohim Atë që shporuan.”

38 Pastaj Jozefi prej Arimatesë, i cili ishte nxënës i fshehtë i Jezusit ‑ për shkak të drojës së judenjve ‑ iu lut Pilatit ta lejonte të zbriste prej kryqit trupin e Jezusit. Pilati dha leje. Atëherë Jozefi erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.39 Erdhi edhe Nikodemi ‑ ai që pati ardhur te Jezusi dikur më parë natën ‑ dhe solli reth njëqind libra mirrë e aloe të përzier. 40 E morën, pra, trupin e Jezusit dhe, siç është zakon të bëhet ndër judenj kur varroset dikush, e mbështollën në pëlhurë dhe e përeruan me erëra të mira. 41 Në atë vend ku Jezusi qe kryqëzuar ishte një kopsht e në kopsht ishte një varr i ri, në të cilin ende nuk ishte varrosur kush. 42 Aty, pra, për arsye të Përgatitjes së judenjve, meqenëse varri ishte afër, e shtinë në varr Jezusin.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Ekzistojnë tri “akte” në mundimet e Jezusit: arrestimi, marrja në pyetje nga ana e kryepriftit, gjykimi para Pilatit, mundimi dhe varrimi. E shikoj ndërsa kalon nëpër të gjitha këto.

E vështroj se si është i butë dhe i qetë, e shikoj se çfarë efekti ka në të tjerët.

  • Ndërgjegjësimi i tij për misionin – kryerja e vullnetit të Atit – nuk është lëkundur. “A mos ta pi gotën që ma dha Ati?”

Ai jeton nga vullneti i Zotit.

  • Jezusi jep dëshmi qëndruese para paditësve: “Unë jam.” Pjetri po ashtu është në tundim, e marrin në pyetje shërbëtoret dhe disa njerëz të tjerë ndërsa po priste në oborr. Mirëpo Pjetri e mohon tri herë kush është, se është nxënës i Jezusit.

A jam i tmerruar si Pjetri apo jam i qëndrueshëm si Jezusi?

  • Duket sikur Jezusi është i burgosur, i shkretë i pafuqishëm me të cilin të tjerët bëjnë ç`të duan. E pra ai është kryesori, sillet dhe flet mëvetësishëm dhe lirisht. Prej nga vjen liria e tij?
  • E vështroj Jezusin se si i është nënshtruar padrejtësisë së turpshme dhe mundimit dhe nënçmimit të papërshkrueshëm.

Nuk kundërshton dhe nuk bërtet.

Si i përgjigjem unë padrejtësisë, sjelljes së keqe dhe nënçmimit në jetën time? Çka mund të mësoj prej tij?

  • Kush në fakt gjykohet në bisedë me Pilatin?

Kush e ka pushtetin e vërtetë?

Jezusi është e Vërteta, ndërsa Pilati nuk di çka është e vërteta.

A jam njeri i së vërtetës?

  • “Kam etje”. Jezusi gruas Samaritane i ka premtuar ujin e jetës së amshuar – bashkimin me Atin – jetën kah e cila shkon dhe të cilën e synon. Këtë ujë na ofron edhe ne. 

Mund ta lexosh, dëgjosh pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt edhe një herë, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedim

A mund të shikosh në kryq dhe t`i lejosh Jezusit të vdesë për ty? Vëreji ndjenjat e tua – çfarë do të doje t`i thuaje.

Pyete veten gjatë kohës që e vështron Krishtin e kryqëzuar: “Çka kam bërë për Krishtin? Çka jam duke bërë për Krishtin? Çka do të bëj për Krishtin?”

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »