Ç`do të doja të “ringjallet” në jetën time?

Mar 31 • Meditimi i ditës

31 mars 2018 – E SHTUNA E MADHE, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: I. Zan 1,1-2,2; Ps 103 ose 32; II. Zan 22,1-18; Ps 15; III. Dal 14,15-15,1; Dal 15,1-6.17-18; IV. Is 54,5-14; Ps 29; V. Is 55,1-11; Is 12,2-6; VI. Bar 3,9-15.32-4,4; Ps 18; VII. Ez 36,16-28; Ps 41 ose 50 ose Is 12,2-6; VIII. Rom 6,3-11; Ps 117; IX. Mk 16,1-7)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment

dhe mendoj për praninë jetëdhënëse të Hyjit

në çdo pjesë të trupit tim, në gjithçka rreth meje,

në tërë jetën time.

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (shën Injaci)
Lutem për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të përqendrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në gjërat që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet të jem i/e vetëdijshëm/e se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala e Zotit

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

Dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde. 

 

Rim 6, 3-11

 

3 Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? 4 Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

5 Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. 6 Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit , 7 sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.

8 E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, 9 pasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. 10 Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. 11 Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

 

Ç`po dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • E vështroj Pilatin dhe Jozefin nga Arimateja të pranishëm pranë trupit të vdekur. Pilati e dinte se Jezusi është i pafajshëm, mirëpo nga frika për pozitën personale e dorëzoi në vdekje. Jozefi nga Arimateja besonte në Jezusin dhe shpresonte si nxënës i tij. Pilati dëshiron ta heq qafe trupin. Jozefi e merr me respekt të madh. E shikoj sesi e vendos trupin me dashuri dhe kujdes të madh në varr që e kishte përgatitur për vete.
  • Jozefi shkon ndërsa unë rri me Marinë Magdalenë dhe Marinë tjetër, duke vështruar, pritur dhe medituar për atë çfarë ndodhi ditët e kaluara.
  • Kjo ditë – e Shtuna e Madhe – mund të jetë një “ditë e pa mëkat.” Në mes të vdekjes, të premten, dhe ringjalljes, të dielën, është dita kur në jetë të re ngrihet “un-i i vdekur. “Ç`do të doja që në jetën time të “ringjallet”?Ndoshta qëndrimi im jo tolerant, padurimi ndaj të tjerëve, mërzitja, monotonia dhe ngurrimi për të thënë uratë, për t’u lutur, mospërfillja ndaj të varfërve …?
  •  lutje me sinqeritet të vërtetë kërko atë që dëshiron “të ringjallet” në ty.

Lexoje, dëgjoje pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt, nëse duhet disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë. Lejoji shpirtit të qëndrojë aty dhe ta shijojë atë moment.

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë nuk di çfarë do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbajtur

dhe me fuqinë tënde i kam përballuar dhe mbijetuar kohërat e vështira në jetën time.

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »