Krishti u ngjall, Aleluja!

Apr 1 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e Pashkëve (B)

 

Leximi i parë   Vap 10, 34.37-43

Shën Pjetri pohon përpara familjes pagane të Kornelit se Jezusin e Nazaretit, që judenjtë kishin kryqëzuar, Hyji e ngjalli, edhe apostujt janë dëshmitarë. Jezusi i ngjallur nuk është më Mesia Shpëtimtar i një populli të vogël, por është Ai që shpëton të gjithë njerëzit.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pjetri mori fjalën e tha: “Tani me të vërtetë po e marr vesh se Hyji nuk i mban kujt krah. Ju e dini çka ka ndodhur në mbarë Judenë, duke filluar nga Galileja, pas pagëzimit që predikoi Gjoni, sesi Hyji Jezusin prej Nazaretit e shuguroi me Shpirtin Shenjt e me pushtet; atë që e përshkoi vendin duke bërë mirë e duke shëruar të gjithë ata që kishin rënë nën pushtet të djallit, sepse Hyji ishte me të. Ne jemi dëshmitarë për të gjitha që bëri në mbarë krahinën e Judesë e në Jerusalem. E vranë duke e varur në shtyllë. Hyji e ngjalli të tretën ditë dhe bëri që të dëftohet i gjallë, jo mbarë popullit në përgjithësi, por dëshmitarëve prej Hyjit të paracaktuar, neve që bashkë me të kemi ngrënë e kemi pirë pasi u ngjall prej të vdekurish. Ai edhe na urdhëroi t’i predikojmë popullit e t’i japim dëshmi se Jezusi është prej Hyjit i caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Për të bëjnë dëshmi të gjithë profetët: në fuqi të Emrit të tij i jepet falja e mëkateve secilit që beson në Të.”    Fjala e Zotit.

 

Psalmi   118

 

Ref: Kjo është dita e Krishtit Zot: aleluja, aleluja

———————————————-

Lavdërojni Zotin, sepse është i mirë,

sepse e përjetshme është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli: Zoti është i mirë,

e përjetshme është dashuria e tij!

—————————————–

E djathta e Zotit u madhërua!

E djathta e Zotit më lartësoi!

S’do të vdes, të jetoj dua,

do t’i kumtoj veprat e Zotit!

————————————–

Guri, që e qitën jashtë përdorimit

ndërtuesit, erdhi e u bë guri këndit;

Zoti e bëri këtë gjë:

sa mrekulli për sytë tanë!

————————————

 

 

Leximi i dytë    Kol 3, 1-4

Dinjiteti i çdo njeriu është shpresa në ngjallje. Njeriu është i thirrur në lumturi me Hyjin pas vdekjes së tij, por Krishti i ngjallur ndërton çdo ditë në historinë tonë planin e lumturisë së ardhshme.  Krishti i ngjallur angazhohet për të dëshmuar jetën e re dhe gëzimin e shpresës që tani. 

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit. Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. U kur të duket Krishti, jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi. Fjala e Zotit.

 

 

Ndjekësorja

 

Flijes s’ngjallur t’Pashkëve tona

T’i këndojë t’k’shterit goja-goja;

Qengji delet i liroi,

M’katarët Krishti i shëlboi

Me Atin duke i pajtuar.

Jeta e vdekja n’dyluftim,

u përleshën mrekull, shqim:

Prisi i Jetës vdekur ra,

Por u ngjall: sundon panda.

Na trego, ti o Mari,

çka ke parë me ata sy?

Kam parë varrin e Krishtit të gjallë

dhe lavdinë e atij që u ngjall.

I pashë engjëjt dëshmitarë,

rizën, petkat t’vëna palë.

U ngjall Krishti e imja shpresë,

para u del n’rreth t’Galilesë.

U ngjall Krishti përnjëmend!

Mbret, fitues – mëshirë përgjithkënd.

Amen! Aleluja.

 

  Aleluja

Krishti Qengji ynë i Pashkëve është flijuar; prandaj le të kremtojmë në Zotin.

  Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 20, 1-9

Shpresa e Marisë, e Gjonit dhe e Pjetrit është vënë përpara provës së vështirë kur panë varrin bosh dhe kërkuan praninë e të ngjallurit, por përjetuan përvojën e dhimbshme të mungesës së tij. Besimi i tyre në Krishtin e ngjallur fillon me një zhgënjim, me një mahnitje, me një ngjarje të papritur. Edhe sot të krishterët duke kundruar varrin bosh të Krishtit mund të kuptojnë se Hyji është më i madh se dëshirat dhe shpresat tona njerëzore.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Ditën e parë të javës, në mëngjes, ende pa dalë drita, erdhi Maria Magdalenë te varri dhe pa se guri ishte hequr prej varrit. Atëherë erdhi me vrap te Simon-Pjetri dhe tek ai nxënësi tjetër, të cilin Jezusi e donte, dhe u tha: “E kanë marrë Zotërinë prej varrit e nuk dimë se ku e kanë vënë.” Atëherë dolën Pjetri dhe ai nxënësi tjetër e u nisën drejt varrit. Vraponin të dy bashkë, por ai nxënësi tjetër ia kaloi Pjetrit dhe arriti i pari te varri. Ai u përkul dhe pa pëlhurat e vëna aty, por nuk hyri. Ndërkaq mbërriti edhe Simon-Pjetri që po vinte mbas tij dhe hyri në varr. I pa pëlhurat e vëna dhe rizën që pati qenë në krye të Jezusit. Kjo nuk ishte me pëlhura, por veçmas e palosur në një vend. Atëherë hyri edhe ai nxënësi tjetër, që mbërriti i pari te varri, pa e besoi. Në të vërtetë, ende nuk e kishin kuptuar Shkrimin shenjt: se duhej që Ai të ngjallej së vdekuri. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Ungjilli dëshmon se dishepujt e Jezusit mbetën të mahnitur nga ngjallja e Jezusit. “Në fakt nuk e kishin kuptuar akoma Shkrimin e Shenjtë, pra që ai duhej të ngjallej nga të vdekurit. Ashtu si Marta, dishepujt besonin në ngjalljen e ditës së fundit; por ngjalljen si atë të Jezusit as nuk e imagjinonin. Kishin parë Lazrin të dilte prej varrit, por zemrat e tyre nuk ishin hapur ndaj përmasave të misterit të Hyjit që shpëton e kërkon një besim më të vërtetë. Sipas traditave të hebrenjve Maria e Magdalas një ditë pas varrimit shkon herët në mëngjes në varrin e Jezusit për të takuar personin e dashur që ka vdekur, por gjen varrin bosh: i Kryqëzuari është ngjallur. Duke mos gjetur trupin e Jezusit në varr, Maria mendoi se dikush e kishte marrë dhe hequr prej aty e jo se ishte ngjallur. Dhe kështu edhe neve varri bosh na kujton besimin e Pashkëve: Njeriu, Jezusi i Nazaretit, që armiqtë e tij e kishin dënuar me vdekje mbi kryq nuk është më i burgosur i vdekjes, por është ngjallur dhe është i gjallë në mes të tijve. Të kremtojmë Pashkët do të thotë për ne të vrapojmë drejt varrit bosh ashtu si dishepujt, të përkulemi mbi veshjen e të vdekurit dhe të zbulojmë me dritën e Shpirtit praninë e të Gjallit, e Atij që ka fituar mbi vdekjen.  Edhe ne jetojmë shpesh në situata vdekjeje pa shpresë.  Zoti i ngjallur na dhuron vetveten në Eukaristi dhe na dhuron gëzimin e shpresës.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, duke kremtuar në këtë ditë hiri, fitoren e Krishtit mbi vdekjen, bashkojmë zërat tanë për të kërkuar nga Ati qiellor pasurinë e dhuratave të Pashkëve. Të lutemi së bashku e të themi:

 

O Krisht, Pashka jonë, na dëgjo.

L. Për Papën e Shenjtë Françeskun dhe për të gjithë barinjtë e Kishës, që në besimin e forcës shndërruese të ngjalljes të udhëheqin me dituri në mijëvjeçarin e tretë popullin e të pagëzuarve. Të lutemi.

L. Për të gjithë popujt e tokës, që në angazhimin e tyre në ndërtimin e qytetit tokësor të jenë të mbështetur nga dëshmia e Kishës shtegtare drejt Jerusalemit qiellor. Të lutemi.

L. Për ata që vuajnë persekutimin për shkak të besimit, që duke fiksuar shikimin mbi Krishtin, Qengjin e papërlyer, të jenë të ngushëlluar nga gëzimi i papërshkrueshëm i Pashkëve. Të lutemi.

L. Për të gjithë ne, që nga pjesëmarrja në Eukaristi të marrim energji për t’u ripërtërirë në shtegtimin drejt Pashkëve të amshuara të mbretërisë së qiellit. Të lutemi.

M. O Hyj i çdo ngushëllimi, dëgjoji lutjet e bijve të tu në këtë ditë gëzimi për mbarë Kishën: jepi atij që njeh hirin çlirues të vdekjes dhe të ngjalljes së Birit tënd Jezu Krishtit, që të arrijë të shijojë përgjithmonë gëzimin e shpëtimtarëve, me të lumen Virgjër Mari dhe të gjithë shenjtërit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »