Jezusi bën një udhëtim të ri jete dhe lutjeje me ne

Apr 3 • Meditimi i ditës

3 prill 2018 – E MARTA GJATË TETËDITËSHIT TË PASHKËS, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 2,36-41; Ps 32; Gjn 20,11-18)

 

Prania e Hyjit

E mrekullueshme është të jesh së bashku me shokë, miq, në afërsinë e tyre.

Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.

Më ke krijuar nga dashuria.

Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehur.

Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjtë që të ma hapë zemrën time,
në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin tënd për mua.

 

Fjala e Zotit

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 20, 11-18

 

11 Maria qëndroi jashtë te varri dhe qante. Ashtu, duke qarë, u përkul e shikoi në varr. 12 Pa dy engjëj të veshur me petka të bardha ndenjur në atë vend, ku qe trupi i Jezusit ‑ njëri te koka e tjetri te këmbët. 13Ata i thanë:

“Pse po qan, moj burrneshë?”

Ajo u përgjigj:

“E morën Zotërinë tim e nuk di ku e vunë.”

14 Si tha kështu, u soll prapa e pa Jezusin në këmbë, por nuk dinte se ishte Jezusi. 15 Jezusi i tha:

“Pse po qan, moj fisnike? Kë po kërkon?”

Ajo, duke kujtuar se është kopshtari, i tha:

“Zotëri, nëse e ke marrë ti, më trego ku e vure e tani po e marr unë.”

16 “Mari!” ‑ i tha Jezusi.

Ajo u kthye e i tha hebraisht: “Rabbuni!” (‑ që do të thotë Mësues). 17 Jezusi i tha: “Mos u ngarrit me mua, se ende nuk u ngjita tek Ati, por shko te vëllezërit e mi e thuaju: Po ngjitem tek Ati im e Ati juaj, tek Hyji im e Hyji juaj.”

18 Maria Magdalenë shkoi dhe u lajmëroi nxënësve se e pa Zotërinë dhe se i tha këto fjalë.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjt:

 

  • Maria qan për shkak të asaj që sheh që s`ishte – mungonte,  por lotët e saj ia bëjnë të vështirë që ta njihte atë që ishte i pranishëm. Pashkët na lirojnë jo vetëm nga mëkati, por na ftojnë për t’u ngritur e për të shkuar përtej zakoneve tona të mira, projekteve tona të vlefshme dhe vlerave tona personale.
  • Jezusi më pyet: “Kë po kërkon?” Na fton që shpresat tona ta gjejnë jetën e vërtetë. Ai dëshiron që të na pasurojë dhe të na ndihmojë që ta njohim se ku është duke vepruar Shpirti i tij në jetën tonë.
  • A mendojmë nganjëherë se Zoti na është marrë? Lutja dhe jeta e krishterë mund të jetë e zymtë, e thatë dhe e lodhshme: Skandalet institucionale shterojnë energji. Jezusi është gjithmonë i ri, pjesë e lutjes dhe jetës së krishterë të të gjithë neve.
  • Ne s`guxojmë të vazhdojmë të mbahemi për “Jezusin e vjetër”, por duhet të ecim së bashku me të, ndërsa ai e fillon një udhëtim të ri jete dhe lutjeje me ne.  

 

Bashkëbisedimi

Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti përkujdesesh sot për mua,

Se do të përkujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »