Mesazh jete dhe besimi

Apr 4 • Meditimi i ditës

 4 prill 2018 – E Mërkura gjatë Tetëditëshit të Pashkës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 3,1-10; Ps 104; Lk 24,13-35)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe sille në këtë lutje dëshirën tënde të jesh pjesë e një gjëje më të madhe se vetja jote. Kërkoji Hyjit ndihmë për të dalluar ndonjë dëshirë specifike që të çon në drejtim të asaj që është “diçka më e madhe” – drejt projektit të Hyjit – dhe kërkoji Hyjit t`i bekojë përpjekjet e tua për të qenë dashuri për të tjerët.

 

Liria

Zot, bëj që kurrë mos ta marrë dhuratën e lirisë
si diçka të mirëqenë, të vetëkuptueshme.

Ti ma ke dhënë bekimin e madh të lirisë së shpirtit.

Mbushe shpirtin tim me paqen Tënde dhe 
Gëzimin Tënd.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i orientoj mendimet e mia drejt Teje.

Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me shpresë, besim.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 24,13-35

 

13 Po atë ditë, dy prej tyre, po shkonin në një fshat që quhet Emaus e është larg Jerusalemit gjashtëdhjetë stadje. 14 Ata bisedonin me njëri-tjetrin për të gjitha këto ngjarje.15 Dhe ndodhi që, ndërsa ata po flisnin e po bisedonin kështu, vetë Jezusi u afrua dhe po ecte me ta. 16 Por sytë e tyre ishin të penguar ta njihnin. 17 Ai i pyeti:

“Ç’janë këto fjalë që ju po i flisni mes jush udhës?”

Ata u ndalën të trishtuar 18 e njëri prej tyre, ai që quhet Kleofë, iu përgjigj:

“A thua je ti i vetmi nga të huajt në Jerusalem që nuk di çka ndodhi në të po në këto ditë?”

19 Ai i pyeti:

“Po çka?”

Ata iu përgjigjën:

“Çka i ndodhi Jezusit prej Nazaretit, që ishte profet i madh me vepra e me fjalë në sy të Hyjit e të mbarë popullit; 20 si krerët e priftërinjve dhe këshilltarët tanë e dorëzuan të dënohet me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta çlironte Izraelin. E, përmbi të gjitha këto ‑ sot është e treta ditë që ndodhën këto ngjarje. 22 Madje edhe disa gra prej tanëve na habitën: ato qenë në agim te varri 23 e, pasi nuk e gjetën trupin e tij, erdhën e na thanë se iu dukën engjëjt e u thanë se ai është gjallë. 24 Po edhe disa prej tanëve shkuan te varri dhe gjetën pikërisht ashtu si thanë gratë, por atë nuk e panë.”

25 Ai u tha:

“O të pamend e të ngadalshëm që të besoni gjithçka paralajmëruan profetët! 26 Po a nuk u desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet?”

27 E, që nga Moisiu e të gjithë profetët, u shtjelloi krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të.

28 Kur iu afruan fshatit, ku ishin nisur, ai bëri gjasme po vazhdonte udhën. 29 Po ata iu vunë:

“Rri me ne se u bë natë e dita po shkon në të sosur!”

Dhe hyri që të rrijë me ta.

30 Kur u ul me ta në tryezë, mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha. 31 Atyre iu hapën sytë dhe e njohën… Por ai u zhduk para syve të tyre. 32 Atëherë i thanë njëri‑tjetrit:

“Po a nuk na ndizej zemra neve ndërsa po bisedonte udhës me ne dhe na shtjellonte Shkrimin e shenjtë?”

33 U çuan menjëherë, u kthyen në Jerusalem, i gjetën të mbledhur të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin me ta. 34 Të njëmbëdhjetët u thanë:

“Me të vërtetë u ngjall Zotëria dhe iu dëftua Simonit!”

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit po largoheshin me dhimbje nga Jerusalemi duke bluar me mend ngjarjet që i kishin të njohura. Jezusi u doli përpara, iu afrohet dhe ecën me ta. Do t`i lejoj që tani të ecë edhe me mua. Jezusi më gjen atje ku jam. Vjen më afër dhe ecën me mua në atë gjendje në të cilën ndodhem.
  • Ndihmomë, Jezus, që të shoh se si historia ime bëhet e gjallë kur e dëgjoj tënden. Bëj që ta dëgjoj Lajmin tënd të mirë në mënyrë që zemra ime të mund të shkëlqejë. Më lejo që ta harroj veten dhe ta pranoj Shpirtin tënd.
  • Po ma sjellë një mesazh jete dhe ke besim në mua, o Zot – ti dëshiron që të bëj për të tjerët atë që ti bën për mua. 

Kthehu te Fjala e Zotit. Lexoje, dëgjoje edhe një herë. Vështroje, le të jehojë në zemrën tënde dhe lejoji të të ndryshojë.

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

E paramendoj Jezusin sesi rri apo është ulur pranë meje,

i drejtohem dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndiej.

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllje

O Zot, faleminderit që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »