Jezusi dëshiron të më forcojë në paqe

Apr 5 • Meditimi i ditës

5 prill 2018 – E Enjtja gjatë Tetëditëshit të Pashkës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 3,11-26; Ps 8; Lk 24,35-48)

 

Prania e Hyjit

E pranishme për mua është ajo që ndikon në të ekzistuarit tim.
Reflektoj për praninë e Hyjit, i cili është gjithmonë afër meje me dashuri,
në mesin e shumë gjërave që po ashtu ndikojnë në mua.
Ndalem dhe lutem që t`i lejoj
që të ndikojë në ekzistencën time, në jetën time, në këtë moment.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lutem për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin për mua.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe kuptim; vë re çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Lk 24, 35-48

 

35 Atëherë edhe këta u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur ndau bukën.

36 Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në mes të tyre dhe tha:

“Paqja me ju!”

37 Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. 38 Jezusi u tha:

“Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë! Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”

40 Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. 41 Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha:

“A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?”

42 Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. 43 Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre.

44 Atëherë u tha: “Këtë vështrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme. ’“

45 Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet 46 dhe u tha:

“Kështu është në Shkrimin e shenjtë: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë. 47 Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. 48 Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Nxënësit morën një raport, një shpallje të dytë mbi praninë e Jezusit dhe biseduan për të, por ende nuk ishin të gatshëm për të marrë mesazhin e drejtpërdrejt prej tij.
  • “Paqja me ju!” E lus Krishtin e ngjallur që në këto ditë të Pashkëve jo vetëm të marrë një raport, lajm por në zemrën time të mund ta marr dhuratën e paqes së Zotit.
  • Jezusi e di se si bisedat e zymta dhe qejflie mund të jenë çorientuese. Ai dëshiron të më forcojë në paqe dhe të më tërheq pas jetës së plotë.

Kthehu te Fjala e Zotit. Lexoje, dëgjoje edhe një herë. Vështroje, le të jehojë në zemrën tënde dhe lejoji të të ndryshojë.

 

Bashkëbisedimi 

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »