Disleksia – një ndër vështirësitë në të nxënë

Apr 5 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Shpeshherë diskutohet për vështirësi në të nxënë, në mënyrë të përgjithshme. Porse, është më se e nevojshme të flitet për vështirësi në të nxënë, në mënyrë më konkrete, duke i specifikuar disa nga ato. E një ndër to është disleksia, së cilës kërkohet t’i kushtohet më shumë vëmendje. Kjo vështirësi, mund të thuhet, është pak e njohur në shoqërinë tonë, e po ashtu edhe në institucionet e edukimit dhe të formimit. Ndodh që për shkak të mungesës së njohurive, në të shumtën e rasteve, kalohet pa u vënë re, por nuk do të thotë se nuk është e pranishme.

 

Çfarë është disleksia?

Fjala “disleksi” vjen nga bashkimi dy fjalëve greke “dys\lexis”, që “dys” do të thotë “parregullsi”, “vështirësi”, kurse “lexis” i referohet “fjalës”, duke shënuar kështu, vështirësi në lexim; me ngatërrimin e shkronjave, perceptimin e shtrembëruar të tyre dhe vështirësi për t’i lexuar tingujt njëri pas tjetrit. Ky term përdoret veçanërisht për të përshkruar vështirësinë specifike të nxënësit në lexim dhe shkrim.

Nga studimet e bëra, rezulton se 4% e njerëzve janë të prekur nga kjo vështirësi, sidomos shfaqet më shumë tek djemtë. Të dhënat statistikore tregojnë se, të paktën, një fëmijë në klasë mund të ketë vështirësi të kësaj natyre. E për këtë, është më se e nevojshme të marrim sa më shumë njohuri rreth kësaj vështirësie.

Pasi njihemi me disleksinë, është e rëndësishme që të mos e shohim apo trajtojmë si një çrregullim, por si një mënyrë alternative, të cilët fëmijët e përdorin për të perceptuar apo përpunuar botën rreth tyre, me përparësitë dhe mangësitë e saj. Kjo vështirësi duhet parë dhe trajtuar si një problem kompleks, dhe jo si një problem i kufizuar, i shkëputur, që fëmija mund të ketë.

 

Si mund ta kuptojmë se kemi të bëjmë me disleksi ( vështirësi në lexim)?

Disleksia ose tendenca drejt saj, mund të identifikohet që në momentin e parë, kur fëmija fillon shkollën e përballet me shkronjat, por mund të ndodhë edhe më herët. Kjo varet nga aftësia e prindërve dhe e personave që merren me fëmijën dhe nga njohuri që ata kanë rreth kësaj vështirësie. Disa nga karakteristikat më të dukshme janë: fëmija shfaq vështirësi të mëdha në të shkruar dhe të lexuar, lexon numrat dhe shkronjat mbrapsht p.sh 15 për 51, 16 për 61, kurse shkronjat lexon b për d, p për q, m për n, etj.

Fëmija shfaq vështirësi në mësimin e tabelës të shumëzimit, të alfabetit, dhe të kujtuarit e sekuencave të ditëve të javës. Vazhdimisht bën gabime në të lexuar, ngatërrimin e shkronjave dhe vendosjen e tyre në vendin e gabuar, p.sh,  fjalën punë mund ta lexojë apo shkruajë unë, fjalën mami e shkruan apo e lexon maim, mali – malli, dritare – driare, anije- anje, etj. Nxënësi has vështirësi në përfundimin e detyrave dhe testit brenda afateve të lejuara. Po ashtu, ka vështirësi në të kopjuar nga tabela apo nga libri. Ndodh që kur kalon një moshë, fëmija vazhdon të lexojë jo saktësisht, ose pa kuptuar dhe shkronjëzimi nuk është i harmonishëm. Vështirësi pasqyron nxënësi edhe në shkrimin e eseve dhe në të mësuarit e gjuhës së huaj. Në mënyrë më të përmbledhur, mund të thuhet se karakteristika kryesore e kësaj vështirësie është: saktësia, shpejtësia ose kuptimi i leximit, i matur sipas testimeve standarde, është dukshëm nën nivelin e pritur, duke patur parasysh moshën kronologjike, inteligjencën e matur dhe ciklin e shkollimit të fëmijës në përputhje me moshën e tij.   

Fëmija në moshë më të vogël paraqet disa nga këto shenja: shfaq vështirësi të vazhdueshme me rutinën personale, p.sh, në përdorimin e lidhëseve të këpucëve, të mbërthyerit e pullave, me kapjen e topit, kërcimin. Ka vështirësi të dallojë të majtën nga e djathta dhe anasjelltas. Këto janë disa nga pikat e përgjithshme, por kërkohet të kemi parasysh, se jo të gjithë fëmijët që kanë këtë vështirësi mund t’i shfaqin të gjitha këto karakteristika në të njëjtën kohë. Në këto rrethana, kërkohet që të jemi të kujdesshëm e të dallojmë sa më herët vështirësinë, që fëmija shfaq.

Para se të themi se kemi të bëjmë me një fëmijë me disleksi, është e nevojshme të sigurohemi që fëmija nuk ka probleme me sy, nuk ka zhvillim të vonuar, dhe që ka pasur mundësi të mësojë shkrim leximin. Nëse këta elemente, që sapo u cekën, nuk janë të pranishme atëherë mund të thuhet, dyshohet se kemi të bëjmë me një fëmijë me disleksi. Është e këshillueshme, të bëhet një vizitë e specializuar, e nuk duhet neglizhuar, sepse sa më herët të zbulohet është në të mirën e fëmijës.  

 

Si është gjendja emocionale e fëmijës disleksik?

Fëmija disleksik përballet me një gjendje emocionale mjaft të fortë, sepse e ka të vështirë ta pranojë dështimin. Shpesh përjeton dhe përballet me gjendje ankthi, frike, turpi, zemërimi agresiviteti, etj. Të gjitha këto i shfaq, sidomos, kur përballet me leximin si në klasë ashtu edhe në shtëpi. Pra, kjo i ndodh nga vështirësia dhe mungesa e progresit. Po ashtu, shfaq pasivitet e pak pavarësi. Nga ajo çfarë ndjen, mund të shpërfillë a sfidojë qëllimisht autoritetin e mësuesit, dhe prindërit. Gjithashtu, mund të shkojë deri aty, sa të shmangë të shkruarit dhe të lexuarit. Ka vetëvlerësim të ulët dhe vështirësi për të bashkëvepruar me moshatarët.

 

Çfarë duhet të kenë parasysh mësuesit përballë fëmijës disleksik?

Mësuesit, në radhë të parë, duhet ta njohin këtë vështirësi, e pastaj ta ndihmojnë nxënësin të arrijë sukses. Po ashtu,  kërkohet që të vendosin një marrëdhënie pozitive me fëmijën, pasi kjo është shumë e rëndësishme. Mësuesi, është mirë të punojë që nxënësit me vështirësi të kësaj natyre, brenda klasës t’i sigurohet një vend i qetë e mikpritës. Të krijohet, zhvillohet një klimë pozitive gjatë kohës, kur nxënësi ushtron të lexuarin, pasi kjo rrit interesin për leximin dhe librin. Mësuesi duhet të përpiqet, që fëmija të ulet në bankat e para, aty ku fëmija të ndjejë afërsinë me të. Është e drejtë të kontrollohet puna e tij shpesh, t’i jepet vlerësim pozitiv dhe inkurajim i vazhdueshëm.

Gjithashtu nga mësuesi kërkohet që teksti që do të lexojë fëmija, nuk duhet të jetë me shumë rreshta (kjo në varësi të klasës në të cilën ndodhet fëmija), p.sh. jo më shumë se 10 – 12 rreshta. Para se fëmija të fillojë të lexojë, ai duhet të dijë se sa rreshta do të lexojë. (Tregohuni të kujdesshëm për t’i informuar para se të fillojnë të lexojnë për numrin e rreshtave.) Mirëpo nëse fëmija mbaron së lexuari tekstin dhe ende nuk është në gjendje të tregojë fjalët që ka lexuar gabim, atëherë bëjeni ju këtë gjë, duke i treguar fjalët e lexuara gabim dhe duke ia lënë detyrë korrigjimin e tyre. Jepini përgjegjësi dhe nxiteni në pavarësi.

Po ashtu nga mësuesi kërkohet që të identifikojë çdo pikë të fortë të fëmijës si p.sh aftësitë e tij në sport, në art apo zgjedhjet krijuese që ai u jep situatave apo problemeve të ndryshme. Të nxisë motivimin e nxënësit duke gjetur mjetet e duhura të shpërblimit (duke i dhënë një set me lapsa, mjete pune, libra që i pëlqejnë ose duke ia lejuar një lojë që fëmijës i pëlqen). Gjithashtu nga mësuesit kërkohet që të bëjë takime periodike dhe të strukturuara me prindërit për t’u treguar atyre se si ta motivojnë fëmijën që të lexojë e shkruajë. Gjatë komunikimit me prindër kërkohet kujdes që të mos përdoren shprehjet e tilla: “Është fëmijë pa vullnet, nuk ka dëshirë, sepse po të dojë mund të arrijë çdo gjë”. “Ka një karakter kundërshtues, nuk do që të ulet për të lexuar” etj. Në këto raste, situata e fëmijës disleksik bëhet edhe më e vështirë pasi rriten kërkesat e prindërve për të kërkuar të pamundurën tek fëmija nën presionin e mësuesve. Është e rëndësishme që mësuesi të kujdeset për rritjen e vetëbesimit dhe vetëvlerësimit të fëmijës. E kjo arrihet duke vlerësuar edhe përpjekjen më të vogël apo suksesin më të papërfillshëm, sepse kjo vlen më shumë se sa t’i tregosh fëmijës se sa herë dhe ku ka gabuar.

 

Strategjitë që mund të përdoren në klasë

Fëmijës disleksik duhet t’i jepet kohë shtesë për të përmbushur detyrat, që i janë ngarkuar. Po ofrojmë disa këshilla pune konkrete, se si mund të mbështetet nxënësi me vështirësi të tillë:

– t’i jepet mundësi të dëgjojë histori të ndryshme apo të krijojë ai vetë;

– të ushtrohet për të lexuar pjesë të ndryshme në çift me shokun ose shoqen, tek i cili ka besim dhe ndihet i mbështetur, pasi kjo ndihmon dhe e lehtëson situatën e tij\saj;

– t’i mundësohet dhe t’i lejohen format alternative në të  mësuar (me figura, prerje e ngjitje fotosh nga revista, fotografi, drama, skeçe) për të treguar përmbajtjen e pjesës që ai ka lexuar.

Nga mësuesit kërkohet që të synojnë në përmirësimin e saktësisë në lexim, të përpiqen që nxënësi ta rrisë sadopak shpejtësinë e leximit, duke i shpjeguar se gjatë kësaj ore ai do të lexojë në një mënyrë tjetër. E kështu, kur fëmija lexon, mësuesja mat kohën. Pasi fëmija e përsërit këtë veprim, mësuesja bën diferencën e kohës dhe vendos shpërblime, edhe kur diferenca nga njëri lexim tek tjetri lëviz me sekonda. Në një rast të tillë, kur nxënësi arrin që herën e dytë të lexojë 10 sekonda më shpejt se herën e parë, ai merr një etiketë, mbi të cilën është vizatuar një orë e vogël me ngjyra, etj. forma pune e vlerësimi, që stimulojnë më kujdes hapat pozitiv në zhvillimin e tij.

Gjithashtu, mësuesja bën përpjekje që shpejtësia që ka arritur nxënësi në lexim, të shkojë paralel me saktësinë e leximit. Sigurisht, që kjo kërkon më shumë angazhim si nga mësuesi, ashtu edhe nga fëmija. Gjatë leximit, nxënësi udhëzohet vazhdimisht që ta ndjekë rreshtin me gishtin tregues ose me shpatullën e përgatitur për këtë qëllim. Po ashtu, mësuesi vendos sistemin e kontrollit apo të monitorimit në çdo fazë të leximit, në mënyrë që ai të arrijë të kuptojë gabimet. E derisa ai kontrollon, përdor disa simbole p.sh., një vijë të vogël të pjerrët, që simbolizon rrezen e diellit, tek shkronja apo fjala që e ka lexuar fillimisht gabim, por më pas e ka korrigjuar; dhe një pikë që simbolizon pikën e shiut tek shkronja/fjala që nuk ka arritur ta korrigjojë. E kështu në  fund, mblidhen pikat dhe vijat për të parë se sa rreze dielli dhe sa pika shiu janë gjithsej. Nëse me vijat e mbledhura arrihet të vizatohet një diell i bukur, bëjeni këtë dhe jepjani fëmijës si dhuratë, duke e inkurajuar dhe lavdëruar.

Një formë dobiprurëse për nxënësin është loja, sepse përmes lojërave në grup, ai që ka vështirësi në të lexuar, mund të ketë përmirësime të dukshme në shqiptimin apo leximin e saktë të fjalëve.

Po paraqesim një model loje:

Të ndahen fëmijët në grupe të vogla, me 4 – 5 vetë dhe të caktohen disa detyra, që ngjajnë më shumë me lojëra, si: t’u kërkohet fëmijëve të shkruajnë me ngjyrë jeshile të gjithë emrat e frutave, që u vijnë në mendje brenda dy minutave e t’i lexojnë me radhë;

T’u kërkohet fëmijëve që të shkruajnë togun e fjalëve “dielli i artë”, dhe më pas të gjejnë brenda 1 minuti, fjalë që fillojnë me shkronjën d  dhe a, etj;

Të mos kursehen lavdërimet përballë fëmijëve për punën që kanë bërë dhe më pas të tregojnë karakteristikat e përbashkëta dhe ato të ndryshme që kanë disa fruta.

Format e tjera loje, mund të jenë:

Mësuesi nxit nxënësit të shkruajnë brenda një minuti emrat e qyteteve që u vijnë në mendje, dhe më pas u kërkon të flasin e të përshkruajnë qytetet, që ata njohin, ose rreth të cilëve kanë dëgjuar. Ata mund të tregojnë e të shprehin edhe ndjenjat dhe emocionet e tyre, nëse qytetet janë vendet ku ata kanë lindur, janë rritur, kanë kaluar pushimet apo kanë kujtime të tjera.

Nxënësve mund t’u kërkohet të përmendin me dy apo tre fjalë mjetet që personifikojnë profesionet që ata do të zgjedhin kur të rriten, dhe të improvizojnë lëvizjet ose veprimet që personifikojnë këto profesione. Këto mund të praktikohen kur punojmë me fëmijët në grup.

 

Cila është detyra e prindërve përballë fëmijëve disleksik?

Në radhë të parë, nga prindërit kërkohet që ta pranojnë se fëmija ka këtë vështirësi. Të inkurajojë dhe mbikëqyrë fëmijën në punët e shtëpisë. T’i sigurojë një vend të qetë që të mos shpërqendrohet. Ta nxisë që të lexojë me zë të lartë dhe ta ndihmojë që të dëgjojë tregime të regjistruara.  Ta mbështesë moralisht dhe t’i dhurojë afërsi dhe pranueshmëri. Gjithashtu, të jenë në kontakt të vazhdueshëm me mësuesit që kanë të bëjnë me fëmijën e tyre, sepse me punë të vazhdueshme dhe me bashkëpunim gjithçka mund të përmirësohet.

Një këshillë për prindërit e mësuesit, është se në punën tonë me nxënësit dislesik nuk duhet t’i shikojmë ata ndryshe, ose si fëmijë më pak inteligjent. Pra, nuk duhet e nuk mundemi t’i shohim dhe t’i konsiderojmë këtë grup nxënësish si të ndryshëm. Kujdes!!/drita.info

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »