Krishti më fton të shkoj përtej vetes sime

Apr 6 • Meditimi i ditës

6 prill 2018, E Premtja gjatë Tetëditëshit të Pashkës, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 4,1-12; Ps 117; Gjn 21,1-14)

 

Prania e Hyjit

Në qetësinë e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim, bashkimit të dëshiruar me afsh,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund të më bie ndër mend kur e kam ndier afërsinë e Hyjit;

kur kam ecur së bashku dhe kam lejuar të jem i/e përqafuar me Dashurinë Hyjnore?

 

Liria

O Zot Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori me përgjegjësi. Jam i/e lirë për të zgjedhur.

Më ndihmo të zgjedh që të mund të të ndjek ty,

për të jetuar një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

në burg, ata që nuk janë të lirë për ta shprehur publikisht fenë e tyre.

Më prij që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në gjithçka ndodhë në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi 

Duke e ditur se Hyji më do pa kushte,

mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë ta pranoj veten siç jam.

Si është duke më kaluar dita? Si po e ndiej veten tani?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Koha të cilën e kalove në tokë ishte e mbushur me kujdes për njerëz.

ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Gjn 21, 1-14

 

1 Pastaj Jezusi prapë iu dëftua nxënësve në breg të detit të Tiberiadit. U dëftua kështu: 2 Ishin bashkë Simon‑Pjetri, Toma, që quhet Binjak, Natanaeli, nga Kana e Galilesë, bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë prej nxënësve të tij. 3 U tha Simon‑Pjetri:

“Po shkoj të gjuaj peshk.”

“Po vijmë edhe ne me ty!” ‑ i thanë ata.

U nisën, pra, e hynë në lundër, por atë natë nuk zunë asgjë.

4 Kur zbardhi drita, ja, Jezusi në breg. Nxënësit nuk e dinin se ishte Jezusi. 5 Jezusi u tha:

“Djelmosha, a keni ndopak peshk?”

“Jo!” ‑ u përgjigjën ata.

6 Ai u tha:

“Qitni rrjetën në anën e djathtë të lundrës e do të gjeni!”

Ata e hodhën e nuk mund ta nxirrnin, aq u ngarkua me peshk. 7 Atëherë ai nxënësi, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Është Zotëria!” Simon‑Pjetri, si dëgjoi se është Zotëria, u mbështoll me petkun e sipërm ‑ sepse ishte i zhveshur ‑ dhe u hodh në det. 8 Nxënësit e tjerë erdhën me lundër duke hequr rrjetën me peshk, sepse nuk ishin larg bregut ‑ rreth dyqind kutë.

9 Si dolën në tokë, panë zjarrin me prush e mbi të peshk, dhe bukë. 10 Jezusi u tha:

“Bini ndonjë nga peshqit që zutë tani!” 11 Atëherë Simon‑Pjetri hipi në lundër, e nxori në tokë rrjetën plot me peshk: njëqind e pesëdhjetë e tre peshq të mëdhenj. Dhe, megjithëse ishin aq shumë, prapë nuk u shqye rrjeta. 12 Jezusi u tha: “Ejani e hani!” Askush prej nxënësve nuk pati guxim ta pyesë: “Kush je ti?”, sepse e dinin mirë se ishte Zotëria. 13 Jezusi u afrua, mori bukën e ua dha. Po ashtu edhe peshkun.

14 Ishte kjo hera e tretë që Jezusi iu dëftua nxënësve të vet pasi u ngjall së vdekuri.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Pjetri nuk ishte i tillë që vetëm të ulej me fytyrë të zymtë dhe i dëshpëruar. Ai e dinte se ku e kishte takuar Jezusi më parë dhe ishte i sigurt se punësimi i tij nuk do ta fshehë nga Zoti. E shohim se si i drejton veprimtaritë e të tjerëve, e megjithatë është i hapur ndaj udhëzimeve të njeriut të panjohur.
  • Çfarë më flet kjo për jetën time? Ku duhet ta shqyrtoj edhe një herë me kujdes jetën time për të parë në ç’gjendje është? Në çfarë mënyre duhet të jem i/e hapur ndaj zërit që më fton të shkoj përtej vetes sime?
  • Pjetri s`ishte i pari që e njohu Jezusin, por ishte i pari që u përgjigj. Lutem që të mund ta dëgjoj Lajmin e mirë të shprehur nga ata që më rrethojnë.

Kthehu te Fjala e Zotit. Lexoje, dëgjoje edhe një herë. Vështroje, le të jehojë në zemrën tënde dhe lejoji të të ndryshojë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma kujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që më dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »