Dhuntia e besimit në Jezu Krishtin

Apr 8 • Meditimi i ditës

8 prill 2018, E DIELA II E PASHKËS (ose e Mëshirës Hyjnore), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Vap 5, 12-16; Ps 117; Zb 1, 9-11a.12-13.17-19; Gjn 20,19-31)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke u përgatitur për këtë tërheqje të shkurtë shpirtërore, pusho një moment.

Merr disa herë frymë thellë dhe lejoji vetes të rritesh në heshtje.

Ji i/e vetëdijshëm/e për praninë dashuruese të Zotit në ty.

 

Liria

Hyji më do pa kushte,
dhe më tërheq pas çdo gjëje që është e mirë,
duke më sjellë në plotësinë e jetës.
I kërkoj Shpirtit Shenjt që të ma hapë zemrën time,
në këtë mënyrë mund t`i përgjigjem lirshëm
lëvizjes së Shpirtit në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Atij që
pranon, shëron dhe ripërtërin
mund të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrat sesi kam arritur

ta përjetoj dashurinë.

Si më kaloi dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me mënyrën se si jam përgjigjur,
sesi kam ndërvepruar, sesi e kam hapur zemrën?
I ndaj ndjenjat e mia me Zotin.

 

Fjala e Zotit

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Nëse je në dhomë, mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, dëgjo, lutu.

 

Gjn 20, 19-31

 

19 Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 20 Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë. 21 Pastaj u tha prapë:

“Paqja me ju!

Siç më dërgoi mua Ati,

ashtu unë po ju dërgoj ju.”

22 Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha:

“Merrni Shpirtin Shenjt!

23 Atyre që jua falni mëkatet,

u falen,

e atyre që nuk jua falni,

nuk u falen.”

24 Porse Toma, njëri prej të Dymbëdhjetëve ‑ ai që quhet Binjak ‑ nuk ndodhi me ta kur erdhi Jezusi. 25 I thanë, pra, nxënësit e tjerë:

“E pamë Zotërinë!”

Toma u përgjigj:

“Pa e parë në duart e tij vritiën e gozhdave e pa e vënë gishtin tim në vendin e gozhdave; pa e shtirë vënë dorën time në kraharorin e tij, kurrë nuk besoj.”

26 Pas tetë ditësh nxënësit e tij ishin prapë brenda në shtëpi e me ta ishte edhe Toma. Megjithëse dyert ishin të mbyllura, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!” 27 Pastaj i tha Tomës:

“Shtjere gishtin tënd këtu dhe ja, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim dhe mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”

28 Toma iu përgjigj:

“Zotëria im dhe Hyji im!”

29 Jezusi i tha:

“Pse po më sheh, po beson.

Lum ata që nuk panë e besojnë!”

30 Jezusi bëri ndër sy të nxënësve [të vet] edhe shumë mrekulli të tjera, të cilat nuk u shënuan në këtë libër. 31 Këto u shkruan që të besoni se Jezusi është Mesia, Biri i Hyjit, dhe, që duke besuar, ta keni jetën në Emër të tij.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Ku mungon paqja në jetën time?
    Me kë duhet të pajtohem?
    A siguroj hapësirë në të cilën do ta shijoj faljen e Zotit dhe dhuratën e paqes?
    Lutem për paqe në mënyrë që të mund t`ua sjell të tjerëve.
  • Si e kanë ndjerë veten nxënësit e tjerë kur Toma dyshonte në dëshminë e tyre?
    Vështroje me ta Jezusin sesi i afrohet Tomës. A janë duke bashkëndjerë me Tomën apo lëvdohen kot, ndoshta edhe e gjykojnë?
    Ndoshta edhe në mua ekzistojnë gjëra si te Toma.
  • Ne jemi në mesin e atyre të lumëve që “nuk e kanë parë Zotin, e besojnë.” Për nxënësit besimi ishte më i thellë se vetëm ta shikonin dhe ta dëgjonin Jezusin. Ne ndajmë këtë mënyrë
  • Sot, falëndero për dhuntinë e besimit në Jezu Krishtin dhe se si ky fakt ndikon në jetën tënde.

Kthehu te Fjala e Zotit. Lexoje, dëgjoje edhe një herë. Vështroje, le të jehojë në zemrën tënde dhe lejoji të të ndryshojë.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.

 

Përmbyllje

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.
Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim ashtu tash
E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »