T`ia dëshirosh vetvetes lirinë që Zoti ta dëshiron
10 prill 2018 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 4, 32-37; Ps 92; Gjn 3, 7b-15)
Prania e Hyjit
Kur jam i/e thirrur të rri bashkë me shokun/shoqen, me miq,
mezi e pres këtë dhe e ndiej veten se po më bëhet nder.
Kur Zoti më thërret që ta kaloj kohën në afërsinë e tij,
Ai dëshiron ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.
Me besim dhe fe e hapi mendjen dhe zemrën time para Hyjit,
dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.
Liria
Lutem për hirin e fesë, të besoj
në gjithë atë çka do të mund të bëhesha dhe të bëja
vetëm po t`i dorëzohesha Hyjit, atij që krijon gjithçka nga dashuria,
që të vazhdojë të më krijojë, udhëheqë dhe formojë.
Ndërgjegjësimi
Ku, në çka në jetën time jam duke e gjetur shpresën, guximin dhe rritjen?
Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,
a jam i/e aftë të vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të pasur?
Nëse i kam vërejtur këto lëmi,
do të vendosi që në të ardhmen t`iu siguroj hapësirë dhe kohë.
Fjala
E lexoj, dëgjoj Fjalën e Hyjit, i lejoj të jehojë në zemrën time dh vërej çfarë po më flet Zoti.
Gjn 3, 7-15
Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit:
7 Mos u çudit që të thashë:
‘Duhet të lindni përsëri prej së Larti.’
8 Era fryn në drejtimin që do;
ia dëgjon ushtimën
e nuk di nga vjen e kah shkon.
Kështu ndodh edhe me secilin
që lind prej Shpirtit.”
9 Nikodemi e pyeti:
“Si mund të bëhet kjo gjë?”
10 Jezusi iu përgjigj:
“Ti je mësues i Izraelit e nuk merr vesh kaq?
11 Për të vërtetë, për të vërtetë, po të them:
ne flasim çka dimë
e dëshmojmë çka pamë,
e megjithatë nuk e pranoni dëshminë tonë.
12 Nëse nuk më besoni
kur ju flas për gjëra që ndodhin në tokë
si do të më besoni
në qoftë se ju flas për gjërat e qiellit?
13 Askush nuk u ngjit në qiell,
përveç Birit të njeriut
që zbriti nga qielli.
14 Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi
gjarprin në shkretëtirë,
po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut,
15 që kushdo të besojë në të
ta ketë jetën e pasosur.
Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:
- Nikodemi ishte një mësues i mençur, por i mungonte një urtësi e caktuar. I mësuar të citonte doktrinën zyrtare, nuk ishte në gjendje të njihte pushtetin e Jezusit, i cili mirë e dinte se çfarë fliste.
- Para Hyjit i pranoj zakonet, shprehitë, prirjet e mia dhe atë çfarë preferoj. E lus Hyjin që të ma japë lirinë që kam nevojë në mënyrë që të më prek fjala e Jezusit, që ta zgjoj imagjinatën, që t`ia dëshiroj vetvetes lirinë që ai ma dëshiron.
Kthehu te Fjala e Zotit. Lexoje, dëgjoje edhe një herë. Vështroje, dhe lejoji të të ndryshojë.
Bashkëbisedimi
Si reagoj kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?
A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo kam mbetur i/e ftohtë?
E paramendoj Jezusin sesi qëndron apo rri ulur pranë meje
Dhe i tregoj gjithçka ndjej.
Përmbyllje
O Zot, faleminderit, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Lutja, kohë kur e pranojmë që Hyji të lindë në ne Nxitja Apostolike “Gaudete et exsultate”: ftesë e Papa Françsekut për shenjtëri në kohën bashkëkohore »