Fjala e Hyjit kërkon vatër në zemrën time

Apr 11 • Meditimi i ditës

 11 prill 2018, E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 5,17-26; Ps 33; Gjn 3,16-21)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe pa rënë në sy.

Ai vjen me dashuri dhe fuqi të pamasë.

Më përshkoftë gëzimi që jam në afërsinë e tij.

 

Liria

O Zot, dëshiroj që kësaj radhe të përgatitem mirë.

Dëshiroj të jem plotësisht i/e gatshëm/e, i/e ndjeshëm/e dhe i/e vërë në dispozicion për ty.

Të lutem, më ndihmo që t`i sqaroj dhe t`i pastroj qëllimet e mia.

Në mua ekzistojnë aq shumë dëshira kontradiktore.

I lejoj vetes që të ngarkohem me gjëra që nuk janë të vlefshme dhe që prishen.

E di që nëse ta dorëzoj zemrën time, çfarëdo që të bëj, do ta ndjek zemrën time të re.

Dhe gjithçka që kam bërë sot, gjithçka që do të bëj sot,

të gjitha takimet, përsiatjet – madje edhe frustrimet dhe ndjenjat e mia,

veçanërisht në këtë kohë të lutjes, në tërë jetën time, mund t`i dorëzoj në duart e tua.

O Zot, jam i yti/e jotja. Bëj me mua çfarë të duash.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më kujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e qendërzuar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Nëse je në dhomë, mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, dëgjo, lut.

 

Gjn 3, 16-21

 

16 Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën

sa që dha një të vetmin Birin e vet

kështu që, secili që beson në të,

të mos birret,

por të ketë jetën e pasosur.

17 Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin

që ta dënojë botën,

por që bota të shpëtojë nëpër të.

18 Kush beson në të,

nuk dënohet,

ndërsa, kush nuk beson, ai është dënuar që tani,

pse nuk besoi

në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit.

19 E gjykimi është ky:

Drita erdhi në botë,

por njerëzit më tepër deshën

errësirën se dritën,

sepse veprat i kishin të këqija.

20 Vërtet, kushdo që bën të keqen,

e urren dritën dhe nuk del në dritë

që të mos i zbulohen veprat e tij,

21 kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën,

ai del në dritë

që të dalë ballafaqe

se veprat e tij u bënë siç thotë Hyji.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Do të ndaj ca kohë në lutje, për të vënë re dhe njohur atë që bën Hyji, edhe nëse e kam të vështirë t`i vë mënjanë nevojat dhe preokupimet e mia. Fjala e Hyjit kërkon vatër nëzemrën time dhe më thërret në jetë – jetën e përjetshme. Ja se si Hyji e do botën: e dërgon Jezusin kështu që unë të mund të jetoj në mënyrë të vërtetë.
  • Duke pranuar faktin sesi Hyji e do botën lutem për krijesat e Hyjit, për të gjithë njerëzit e Hyjit – të gjithë le të lindim përsëri duke dëgjuar Jezusin.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje e frymëzim që më dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »