Krishti e përdor fuqinë e vet për të mirën tonë

Apr 14 • Meditimi i ditës

14 prill 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 6, 1-7; Ps 32; Gjn 6, 16-21)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që të hyj e të vendosem plotësisht në praninë tënde.

Më përshko me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, raporte me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndihem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Gjn 6, 16-21

 

16 Kur u bë natë, nxënësit e tij zbritën në det, 17 hynë në lundër e u nisën për në anën tjetër të detit, për në Kafarnaum. Ishte errur e Jezusi ende nuk kishte ardhur tek ata. 18 Deti u trazua nga era e fortë që fryente. 19 Pasi rremuan rreth njëzet e pesë apo tridhjetë stadje, panë Jezusin duke ecur përmbi det e po i afrohej lundrës. I kapi frika. 20 Ai u tha: “Unë jam! Mos druani!” 21 Deshën ta marrin në lundër, dhe ja, lundra përnjëherë preku tokën në atë vend ku ishin drejtuar.

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Nxënësit e dinin se ishin në hall dhe se i priste një punë e vështirë. Ata ishin shumë të ndjeshëm ndaj mungesës së Jezusit. Dhe tani, duke parë sesi iu afrohet, ata duhej ta pyetnin se çfarë kuptimi kishte ai për ta. E marr me mend sesi edhe unë nganjëherë luftoj “kundër erës” dhe jam i ngadaltë të njoh ndihmën që ma ofron Jezusi.
  • Nxënësit udhëtojnë pa Jezusin, por pa të do të kishin humbur. Me të “përnjëherë” arrijnë. Çfarë mund të mësoj nga “të qëndrosh pranë Jezusit?” A e marr për çdo ditë në barkën time?
  • Qeniet njerëzore nuk mund të kontrollojnë stuhitë dhe valët. Këtu përjetuan dëftimin e fuqisë misterioze të Jezusit. Ai është me të vërtetë njeri, por edhe Zot! Fuqinë e Tij e përdor për të mirën tonë.
  • Lutem për të gjithë ata që janë në hall ose kanë ndonjë nevojë, që ta njohin vizitën e Jezusit, duke e pasur përvojën e shqetësimit të njerëzve të tjerë për ta. Le të mos kenë frikë, por të lejojnë të përqafohen nga ai që iu afrohet dhe që i njeh nevojat e tyre.

E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Zotit edhe një herë, dhe shoh se cila fjalë apo fjali më la përshtypje. Ndalem në të dhe i lejoj shpirtit të ushqehet dhe të pushojë në të.

 

Bashkëbisedimi 

O Zot, e di që fjalët nuk janë të nevojshme kur të drejtohem ty.

Ti shikon në thellësinë e zemrës sime.

I njeh dëshirat dhe nevojat e mia.

Po lëshohem në duart e tua.

 

Përmbyllje

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje e frymëzim që më dhe gjatë këtyre momenteve të kaluara me ty.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »