Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam!

Apr 14 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III e Pashkëve (B)

 

Leximi i parë   Vap 3, 13-15.17-19

Pjetri pasi ka shëruar të paralizuarin që kërkonte lëmoshë në hyrjen e tempullit shpall ngjalljen e Krishtit.  Kjo mrekulli është prova që Jezusi nuk ka vdekur përfundimisht, por vazhdon veprën e tij në një mënyrë të re mes njerëzve.  Ai është ngjallur dhe apostujt janë dëshmitarët.  Është akoma e mundur të njohim të Gjallin dhe ta ndjekim.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Në ato ditë, Pjetri i tha popullit: “Hyji i Abrahamit, Hyji i Izakut, Hyji i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lirojë. Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjaksori kurse jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë. Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes. Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte. Pendohuni, pra, e ktehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi  4

 

Ref: Le të shndrisë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate

—————————————–

Kur të thërras në ndihmë,

më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime!

Ti që më shpëtove në vështirësi:

ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

—————————————–

Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet,

Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë. 

Flijoni fli drejtësie, e shpresoni në Zotin!

Shumë thonë: “Kush do të na bëjë

ta shohim fatbardhësinë?”.

—————————————–

Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate! 

Posa bie në shtrojë,

gjumi menjëherë më merr në qetësi,

sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

—————————————–

 

Leximi i dytë   1 Gjn 2, 1-5

Të duash një person do të thotë të pranosh në vetvete dobësinë e tij: Jezusi është ven-dosur nga ana e të akuzuarve. Të duash do të thotë të shndërrosh jetën tënde në funk-sion të nevojave të të tjerëve. Dashuria që unë provoj për Jezusin do të jetë e vërtetë vetëm nëse zbatoj urdhërimet e tij.  Vetëm kështu do të mund të shfaq besnikërinë time konkrete.

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fëmijëzit e mi, po ju shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin te Ati: Jezu Krishtin, të Drejtin. Ai është flia pajtuese për mëkatet tona, dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe për të mbarë botës. Me këtë gjë e dimë se e njohim, në qoftë se i mbajmë urdhërimet e tija. Kush thotë: “Unë e njoh Atë”, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak dhe e vërteta nuk është në të. Ai që e mban fjalën e tij, në të është vërtetisht dashuria e përsosur e Hyjit. Me këtë gjë e dimë se jemi në Të. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

O Zot Jezus, na e shtjello Shkrimin shenjt, dhe ndeze zemrën tonë derisa e dëgjojmë fjalën tënde.

Aleluja.

 

Ungjilli   Lk 24, 35-48

Nga dita e ngjalljes çdo meshë është një Pashkë.  Të krishterët mblidhen në meshë për të kujtuar vdekjen e Jezusit; dhe Ai vjen në mes tyre i ngjallur dhe lejon që ata të prekin trupin e tij. Bashkimi me Krishtin dhe familjariteti mes tyre i mbush me siguri, gëzim dhe forcë.  Fjala e Hyjit që dëgjojnë së bashku i jep kuptim jetës së tyre dhe historisë së botës.  Liturgjia e tyre përfundon me misionin: pas meshës dërgohen në botë për të dëshmuar Krishtin e ngjallur.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë, pasi që u kthyen nga Emausi, dy nxënësit u treguan çka u ngjau udhës dhe si e njohën kur e ndau bukën. Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre dhe tha: “Paqja me ju!” Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt. Jezusi u tha: “Pse po trembeni? Pse po dyshoni në zemrat tuaja? Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam! Vetë. Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” Si u tha kështu, u dëftoi duart e këmbët. Pasi ata, prej gëzimit nuk mundën të besojnë, por kishin mbetur të habitur, Jezusi u tha: “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Ata i sollën një kurm peshku të pjekur. Jezusi e mori dhe e hëngri para tyre. Atëherë u tha: “Këtë veshtrim kishin fjalët që ju thosha kur ende isha me ju: ‘Duhet të shkojë në vend gjithçka u shkrua për mua në Ligjin e Moisiut, në Profetët e në Psalme’.” Atëherë ua shndriti mendjen që t’i kuptonin Shkrimet dhe u tha: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Të krijosh takime mes personave, të bashkëndash nevojat përbën ushqimin e jetës njerëzore. Përjetohet përvoja e Pashkëve kur mësojmë të dhurojmë dhe të kërkojmë ndihmë, kur duam e kërkojmë dashuri. “Ndërsa këta ende po bisedonin për këto ngjarje, vetë Jezusi zuri vend në midis të tyre”.

Dishepujt, të bashkuar në Jerusalem i tregojnë njëri-tjetrit se kanë takuar Jezusin e Ngjallur. Është Zoti që i pari vjen në takim, dhuron Paqen, e u be-son atyre misionin e tij. “Të tmerruar dhe të frikësuar”, dishepujt besojnë se po shohin një fantazmë, një figurë joreale. Trupi i ngjallur i Jezusit është ndryshe nga ai i jetës tokësore, por kjo nuk përjashton një vazhdimësi të thellë personale në Jezusin para e pas ngjalljes.

“Shikoni duart e mia e këmbët e mia: unë jam!”. Jezusi i ngjallur tërheq shikimin e tyre mbi trupin e tij për të treguar identitetin e të kryqëzuarit me të Ngjallurin që qëndron përballë tyre. “A keni këtu ndonjë gjë për të ngrënë?” Jezusi kërkon për të ngrënë, jo sepse ka nevojë, por për të konfirmuar realitetin e ngjalljes së tij, trupi i tij është i vërtetë. “Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje”. Pasi i Ngjalluri është bërë i njohur u beson mi-sionin. Ngjallja e Jezusit është pika e ni-sjes së misionit apostolik. Besimi pashkvor i apostujve dhe forca e Shpirtit Shenjt do të bëjnë të mundur shpërndarjen e lajmit të mirë të Jezu Krishtit. Besimi apostolik në Jezus të ngjallur është akoma sot për ne themeli për të shpallur ngjalljen e tij.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, në mbrëmjen e Pashkëve Jezusi u shfaqet nxënësve në Çenakull. Sot është i pranishëm në Kishën e tij. Ti kërkojmë që të na përforcojë në besim, për t’u bërë dëshmitarët e tij të vërtetë. Të lutemi së bashku e të themi:

Hape, o Zot, zemrën tonë ndaj Fjalës sate.

 L. O Zot, forcoje besimin e Kishës. Bëj që të forcuar prej shumë dëshmitarëve të fesë, të dijë t’i shpallë botës Ungjillin e shpëtimit.  Për këtë të lutemi.

L. O Zot, na bëj të gjithëve misionarë. Bëj që të dimë të dëshmojmë me vepra atë që besojmë në fe. Për këtë të lutemi.

L. O Zot, ndihmoje atë që ka një besim të lëkundur. Bëj që të bëhet dëshmitar i gëzuar i ngjalljes sate. Për këtë të lutemi.

L. O Zot, na shiko ne që marrim pjesë në këtë Eukaristi. Bëj që ushqimi i Fjalës e i Korpit tënd të na bëjë të krishterë të vërtetë. Për këtë të lutemi.

M. Dëgjoji, o Atë, lutjet e popullit tënd e bëj që të gëzojmë plotësisht frytet e shpëtimit që na dhuroi Jezu Krishti, Biri yt e Zoti ynë. Amen.

 (ecclesia.al)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »