Na ndihmo, o Zot, kur na kufizon e kaluara jonë

Apr 17 • Meditimi i ditës

 17 prill 2018 – E marte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Vap 7,51 – 8,1; Ps 30; Gjn 6,30-35)

 

Prania e Hyjit

Të gjithë kemi nevojë që të pushojmë pak prej ngjarjeve të përditshme.
Dhe e dimë që trupi ynë ka nevojë për pushim.
Kur të afrohemi ty, o Zot, zemra dhe mendja jonë gjejnë freskim,
shpirti ynë sërish lartësohet.

 

Liria

S`ka situatë prej së cilës nuk do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.
Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha duhet qenë të plotësuara.
E lus Zotin që nëpërmjet lirisë sime
t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të
një dashurie plot harmoni.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,
me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar,
ngritjet në maja e uljet poshtë, si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.
A mund ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin e Shkrimit të shenjtë,
dhe lejoji të jehojë në zemrën tënde.

 

Gjn 6, 30-35

 

30 “Çfarë shenje bën ti, ‑ i thanë ata ‑ që ta shohim e të besojmë? Cila është vepra jote? 31 Etërit tanë hëngrën manën në shkretëtirë si shkruan edhe në Shkrim e shenjtë: ‘U dha të hanin bukë prej qiellit. ’
32 Jezusi iu përgjigj:
“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:
Nuk jua dha Moisiu bukën prej qiellit,
por Ati im jua jep bukën prej qiellit,
atë të vërtetën:
33 sepse buka e Hyjit është Ajo,
që zbret prej qiellit
dhe që i jep botës jetën.”

34 Atëherë i thanë:
“Zotëri, na e jep vazhdimisht atë bukë!”
35 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam buka e jetës.
Kush vjen tek unë
nuk do të ketë më kurrë uri,
kush beson në mua,
nuk do të ketë më etje.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Njerëzit ishin të sigurt se çfarë donin, e kishin të qartë se si Hyji kishte vepruar në të kaluarën. Ata kishin një shabllon, një formulë, një ide dhe donin të shihnin nëse Jezusipërshtatej me të.
  • Edhe ne nganjëherë i afrohemi Jezusit në të njëjtën mënyrë duke i kërkuar çfarë kemi nevojë, në pritje të përgjigjeve specifike. Por ai dëshiron t`i hapim zemrat tona për të marrë atë që ofron Hyji. Kemi nevojë t`i hapim sytë që atë dhe ta njohim.
  • Na ndihmo, o Zot, kur na kufizon e kaluara jonë. Na ndihmo që para teje të qëndrojmë me besim të vetëdijshëm se sa pak e meritojmë, por të gatshëm për të marrë hirin tënd në një mënyrë të re.

E lexoj, e dëgjoj edhe një herë tekstin e Shkrimit të shenjtë të paraparë për sot. Lejoj që shpirti im të pushojë në ndonjërën prej fjalëve apo fjalive që më lë përshtypje.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma kujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »