Hyji vepron vetëm për të mirën time

Apr 18 • Meditimi i ditës

18 prill 2018 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 8,1-8; Ps 65; Gjn 6,35-40)

 

Prania e Hyjit

Nganjëherë më pushtojnë brengosjet e kësaj bote.
Në këtë moment bëj që të bëhem i/e vetëdijshëm për kënaqësinë e pranisë sate
si dhe për dashurinë tënde të pakufi ndaj meje.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.
Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.
Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po ndihem sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo fjali që më prek, që më flet pikërisht për mua.

 

Gjn 6, 35-40

 

35 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam buka e jetës.
Kush vjen tek unë
nuk do të ketë më kurrë uri,
kush beson në mua,
nuk do të ketë më etje.
36 Por ju thashë:
më patë e prapë s’më besoni.
37 Të gjithë ata që m’i jep Ati
do të vijnë tek unë
dhe atë që vjen tek unë,
s’do ta qes jashtë,
38 sepse zbrita prej qiellit,
jo për të bërë vullnetin tim,
por vullnetin e atij që më dërgoi.
39 E vullneti i Atij që më dërgoi është
të mos humbë asnjë
prej atyre që më dha,
por t’i ringjall në ditën e fundit.
40 Po, ky është vullneti i Atit tim,
që, kushdo sheh Birin
dhe beson në Të,
ta ketë jetën e pasosur
e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezus, ti më premton shumë. Ti je buka e jetës për mua: ti do t`i plotësosh nevojat e mia më të thella. Unë jam i uritur dhe i etur për gëzim dhe lumturi. Dua që Ati të më pranojë, dua të jetoj përjetësisht. Dhe gjithë ajo që unë duhet të bëj është të ta jap vetveten për të qenë të përmbushura nevojat e mia.
  • Është e vështirë për mua ta kuptoj se çfarë do të thotë “të ringjallesh në ditën e fundit.” Lutem që të kem mirëbesim për të cilin kam nevojë, për fe që të besoj se Hyji vepronvetëm për të mirën time dhe lumturinë e përhershme.
  • Ti, o Zot, je besnik ndaj premtimeve të tua, sepse premtimet janë një gjuhë dashurie. Faleminderit për besnikërinë tënde, o Zot! 

E lexoj, e dëgjoj edhe një herë tekstin e Shkrimit të shenjtë të paraparë për sot. Lejoj që ajo të jehojë në zemrën time, dhe vërej fjalën apo fjalinë që më lë përshtypje. Pushoj në ndonjërën prej këtyre fjalëve.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso që ta njoh dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »