Si jam duke i shpenzuar mjetet dhe forcat e mia?

Apr 19 • Meditimi i ditës

19 prill 2018 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 8,26-40; Ps 65; Gjn 6,44-51)

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që krejt qenien time t`ia çeli pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Hyji ma ka dhënë dhuratën e lirisë.
Edhe nëse jam fizikisht i/e robëruar, shpirti im është i lirë.
Më ndihmo që lirinë e dhënë prej teje, me hirin tënd, ta përdori mençur.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Gjn 6, 44-51

 

44 Askush s’mund të vijë tek unë,

po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq.

Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit.

45 Profetët shkruan:

‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’

Kushdo, pra e dëgjon Atin

dhe e përvetëson mësimin e tij,

vjen tek unë.

46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin,

përveç Atij që është te Hyji;

vetëm Ai e pa Atin!

47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

ai që beson, ka jetën e pasosur.

48 Unë jam buka e jetës.

49 Etërit tuaj hëngrën manën në shkretëtirë dhe vdiqën.

50 Kjo është buka që zbret nga qielli:

që, kush ta hajë atë,

të mos vdesë askurrë.

51 Unë jam buka e gjallë

që zbriti prej qiellit:

nëse ndokush ha këtë bukë,

do të jetojë për amshim.

E buka që unë do ta jap

është trupi im

‑ për jetën e botës.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kur flet për “ujin e gjallë” dhe, tani, për “bukën e gjallë”, Jezusi na jep zemër që të mendojmë për burimet e përhershme të jetës dhe këndelljes, ripërtëritjes. Mbaj mendpyetjet e Isaisë profet (55,2), që na kujton që mos të shpenzojmë para apo forcë në vlera kalimtare. “Pse t’i shpenzoni paratë në atë që s’është bukë dhe mëditjen tuaj në gjëra që nuk ngijnë? Nëse më dëgjoni mua do të hani çka është e mirë, e do të shijoni ushqime të shijshme! Ma vini veshin e ejani tek unë, më dëgjoni e shpirti juaj do të jetojë!”
  • Më ndihmo, o Zot, që ndershëm të shikoj sesi jam duke i shpenzuar mjetet dhe forcat e mia.

E lexoj, e dëgjoj edhe një herë tekstin e Shkrimit të shenjtë të paraparë për sot. Lejoj që shpirti im të pushojë në ndonjërën prej fjalëve apo fjalive që më lë përshtypje.

  

Bashkëbisedimi

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »