Cilat janë për ty fjalë shpirti dhe jete?

Apr 21 • Meditimi i ditës

21 prill 2018 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 9, 31-42; Ps 115; Gjn 6, 60-69)

 

Prania e Hyjit

Hyji është me mua. Edhe më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.
Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit
në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.
Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.
Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,
që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.
Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;
ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.
Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e
për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.
Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e mbledhur veten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Nëse je në dhomë, mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur,përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Gjn 6, 60-69

 

60 Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë:
“I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”
61 Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po murmurisnin lidhur me këtë mësim, u tha:
“A po ju shkandullon kjo gjë? 62 E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë… ?
63 Shpirti është ai që jep jetën,
trupi nuk vlen asgjë.
Fjalët që unë ju thashë,
janë shpirt dhe janë jetë.
64 Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë”
Sepse Jezusi e dinte që në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili ishte ai që do ta tradhtonte.

65 Dhe shtoi:
“Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.”
66 Që atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të.

67 Atëherë Jezusi i pyeti edhe të Dymbëdhjetët:
“A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”
68 Simon Pjetri iu përgjigj:

“Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! 69 Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “Fjalë shpirti dhe jete.” Kam nevojë për fjalë të tilla. Koha që e kaloj çdo ditë në “Momentin e Shenjtë” m`i hap Ungjijtë – mësoj të jetoj me anë të tyre. Frytet njihen nga mendimet, fjalët dhe veprimet e mia të cilat rrezatojnë shpirtin e mirë, jo të keqin.
  • Pjetri zbulon se fjalët e Jezusit janë “fjalë të jetës së pasosur”. Çfarë do të thotë kjo? Atij i hapet një botë e re dhe më e mirë, një botë e Hyjit. Mëson t`i dojë njerëzit, siç i do Jezusi. Jeta e tij monotone dhe e parashikueshme për shkak të Jezusit bëhet një jetë e  re, befasish dhe plot shpresë. E unë – çfarë po ndodh me mua?
  • Ndoshta Pjetri shpesh herë i ka përsëritur fjalët për vete – “ti i ke fjalët e jetës së pasosur”. Edhe ti mund t`i përsëritësh. Fjala e Hyjit është dhuratë personale; çdonjëri prej nesh e ka ndonjë tekst të dashur apo ndonjë fjali të Shkrimit Shenjt të cilën mund ta përsërit dhe e cila ia mbush zemrën gjatë kohës së lutjes.

E lexoj, e dëgjoj edhe një herë tekstin e Shkrimit të shenjtë të paraparë për sot. Lejoj që ajo të jehojë në zemrën time, dhe vërej fjalën apo fjalinë që më lë përshtypje. Pushoj në ndonjërën prej këtyre fjalëve.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma kujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »