Cilëve zëra (nuk) u besoj?

Apr 22 • Meditimi i ditës

22 prill 2018 – E diela 4-të e Pashkëve – Bariu i mirë , MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme 

(Leximet e ditës: Vap 4, 8-12; Ps 117; 1 Gjn 3, 1-2; Gjn 10, 11-18)

 

Prania e Hyjit

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.
Mos qofsha kurrë aq shumë i preokupuar në punë sa të mos mund të gjeja kohë dhe të rri me ty.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.
Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.
Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe që gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.
Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.
Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm

dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm.

Lexoje, dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin çfarë po ngjanë në zemrën tënde.

 

Gjn 10, 11-18

 

11 Unë jam Bariu i mirë.

Bariu i mirë e jep jetën e vet për delet.

12 Rrogëtari ‑ që s’është bari,

të cilit nuk i përkasin delet ‑

kur sheh se po vjen ujku

lë delet e ikën

‑ e ujku i rrëmben dhe i shpërndan:

13 është rrogëtar

dhe nuk shqetësohet për delet.

14 Unë jam Bariu i mirë:

i njoh të miat

dhe ato më njohin mua.

15 Sikurse Ati më njeh mua

dhe unë e njoh Atin

edhe jetën e jap për delet.

16 Kam edhe të tjera dele,

që nuk janë të kësaj vathe.

Edhe ato më duhet t’i bashkoj

dhe do ta dëgjojnë zërin tim,

do të bëhet një grigjë e vetme

e një Bari i vetëm.

17 Prandaj edhe më do Ati,

sepse e jap jetën time

që ta marr përsëri.

18 Askush nuk mund të ma marrë:

por unë e jap prej vetes.

Kam pushtet ta jap jetën

e kam pushtet ta kthej prapë atë.

Këtë urdhër e mora prej Atit tim.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

  • Dashuria e Jezusit është dashuri deri në vdekje. Kjo është dashuria që vetveten e sakrifikon që është e dukshme në kryq. Kjo është dashuria që kurrë nuk e pranon ndjenjën e të humburit – është e drejtuar kah ringjallja.
  • Duke u kujdesur për njerëz, Jezusi e ka pasur vetëdijen e dhurimit të vetvetes, sepse në dashuri qëndron fara e ringjalljes. Ndërsa zemra dhe mendja jonë rriten ngadalë dhe bëhen si zemra dhe mendja e Jezusit, ngrihemi mbi dashurinë zemërngushtë dhe egoiste që na shtjerrë dhe i çelemi dashurisë që e zgjeron zemrën dhe mendjen tonë.
  • Duke kaluar kohën në lutje mësoj se si ta dëgjoj zërin e Zotit. E lus atë për të më mësuar që të jem i/e durueshëm dhe plot shpresë, ndërsa e dëgjoj mirë zërin e tij duke pasur kujdes, sidomos, gjendjen në të cilën jetoj,dëshirat e zemrës sime, si dhe ngjarjet që ndodhin rreth meje.
  • Ngadalë e kuptoj se cilëve zëra u besoj, dhe cilat mesazhe nuk janë për të mirën time.

E lexoj, e dëgjoj edhe një herë tekstin e Shkrimit të shenjtë të paraparë për sot. Lejoj që ajo të jehojë në zemrën time, dhe vërej fjalën apo fjalinë që më lë përshtypje. Pushoj në ndonjërën prej këtyre fjalëve.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet në tekstin e Shkrimit të shenjtë.
Ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »