Marrëdhënie, jo tregti me Zotin

Apr 23 • Meditimi i ditës

23 prill 2018 – E hënë, Shën Gjergji, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Vap 11, 1-18; Ps 41; Gjn 10, 1-10) 

 

Prania e Hyjit

O Zot, më ndihmo që t`ia çeli tërë qenien time pranisë sate.

Më rretho me dashurinë tënde.

Zemra ime le të bashkohet me tënden.

 

Liria

Edhe sot në fillim të këtij meditimi kërkoje heshtjen – dhe ji i/e qetë vetëm për një moment të ndërgjegjshëm. Tërhiqu nga zhurma që të rrethon përjashta. Dhe provo ta çaktivizosh zhurmën e brendshme që është brenda teje.

 

Ndërgjegjësimi 

Vetëdijesohem se jam në praninë e Hyjit.

Do të gjej mburojën në zemrën e tij që dashuron.

Ai është fuqia ime në momentet e dobësisë,

ngushëllues në momentet e trishtimit.

 

Fjala

E lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje,

dhe vërej fjalën apo shprehjen që më flet.

 

Gjn 10, 1-10

 

1 “Për të vërtetë, për të vërtetë, po ju them: ai që në vathë të deleve nuk hyn nëpër derë, por tjetërkah kërcen brenda, ai është vjedhës dhe cub. 2 Ai që hyn nëpër derë, ai është bariu i deleve. 3 Atij derëtari i çel derën e delet e dëgjojnë zërin e tij. Ai i thërret delet e veta me emër dhe u prin përjashta. 4 E kur i qet përjashta të gjitha delet e veta, u prin dhe delet i shkojnë pas, sepse e njohin zërin e tij. 5 Pas të huajit nuk do të shkojnë me siguri, por do të ikin, sepse nuk e njohin zërin e të huajit.”

6 Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk e morën vesh ç’deshi t’u thotë me të.

7 Prandaj Jezusi u tha përsëri:

“Përnjëmend, përnjëmend po ju them:

unë jam dera e deleve.

8 Të gjithë ata që erdhën (para meje)

janë vjedhës dhe cuba;

porse delet nuk i dëgjuan.

9 Unë jam dera:

kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet:

do të hyjë e do të dalë

dhe do të gjejë kullosë.

10 Vjedhësi s’vjen për tjetër, por për të  vjedhur,

për të prerë e për të bërë dëm.

Unë erdha

që delet ta kenë jetën

e ta kenë me plotësi.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Delet nuk mund të kujdesen për veten e tyre dhe nuk janë shumë të kujdesshme. Ato kanë nevojë për një bari. Zoti ynë, është ai i cili kujdeset. Zoti plotësisht kujdeset për mua, ai e di emrin tim dhe nevojat e mia. Kjo përkujdesje do të më mbart nëpër të gjitha trazirat e jetës, madje edhe nëpër vdekje drejt gëzimit të përjetshëm. E falënderoj atë për këtë.
  • Jezusi e di cila është detyra e tij – që ta japë jetën e vet për të gjithë. A ka sukses me mua? Si jam i/e gjallë? Nëse dua ushqim shkoj në kuzhinë, nëse kam nevojë për një pije shkoj atje ku është uji. Nëse e dua një jetëtë plotë duhet t`i drejtohem atij – Jezusit. 

E lexoj, e dëgjoj edhe një herë tekstin e Shkrimit të shenjtë të paraparë për sot. Lejoj që ajo të jehojë në zemrën time, dhe vërej fjalën apo fjalinë që më lë përshtypje. Pushoj në ndonjërën prej këtyre fjalëve.

 

Bashkëbisedimi 

I/e vetëdijshëm/e se ende jam në praninë e Hyjit,

e paramendoj Jezusin sesi qëndron apo është ulur afër meje,

dhe i flas gjithçka kam në mendje, çka ma thotë zemra,

si shoku shokut.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.
Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »