Njoftime historike për shtetin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (II)

Nga Prof. dr. Jahja Drançolli

                                                                         

  1. Kuvendi Lezhës

Historiografia jonë e udhëhequr deri vonë nga politika ditore nuk e ka trajtuar sa duhet çështjen e historisë së trojeve shqiptare, të cilat sot gjenden jashtë kufirit politik të Shqipërisë. Në këtë aspekt edhe Kuvendi i Lezhës, për shkaqe të porosive të veta nuk u trajtua si çështje e veçantë historike.

Ajo që tërheqë më tepër vëmendjën këtu, janë tendencat më të theksuara për  integrime politiko-ushtarake e shtetërore brenda principatave arbërore, të cilat do të vijnë në shprehje pas kërcënimeve ushtarake të jashtme. Nga këndvështrimi historik, ato rifilluan rrugën e proceseve politike, ushtarake dhe fetare drejtë formimit të një shteti të njësuar arbëror, të cilin pushtimi osman dhe venedikas e kishte ndërprerë nga kapërcyelli i shek. XIV. Pikënisja e rifillimit të këtij procesi ishin ngjarjet e vitit 1443, të cilat kulmuan më 28 nëntor 1443, ku në vitin 1444 si institucion shtetëror doli Lidhja Arbërore e Lezhës. Ishte pikërisht vepër e meritë e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe e forcave të udhëhequra prej tij, që morën përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbër në Lezhën arbërore (Alessio mesjetare), më 2 mars 1444. Datën e saktë e ndeshim te G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut.[1] Po kjo datë konfirmohet edhe nga kronisti osman i kohës, Tursun Beg (sipas Hixhrit, më 11 Dhu’l- Ka’da 847).[2]

 Kuvendi i Lezhës qe mbajtur në kishën katedrale të qytetit (Shën Nikolla). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve, por në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po në këtë qendër, Lissos-in e antikitetit, zgjatej rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të njohura të Dardanisë të shtrira deri në Nishin e sotëm. Sipas ballkanologut K. Jiriçek,[3] këtu, në shtratin e kulturës ilire puqeshin Lindja helenistike me Perëndimin romak. Përveç njoftimit të përmendur nga Biemi, për kuvendin në fjalë ofrojnë njoftime edhe Marin Barleci,[4] Dhimitër Frëngu,[5] si dhe Gjon Muzaka,[6] i cili ndyshe nga Barleci dhe Frëngu, ka lënë një njoftim të shkurtër: “Pastaj thirri në Lezhë në një Kuvend Zotërit e njohur të Arbërisë; ndonjëri shkoi vetë aty, tjetri kishte dërguar përfaqësuesin, dhe kështu Skënderbeu i përmendur qe caktuar për Kapiten të tyre në Arbëri, dhe sejcili prej tyre kontribuoi me njerëz dhe të holla sipas mundësisë së vet; bile edhe bijtë e zotërinjëve të përmendur luftuan nën komandën e tij, si për të marrë pjesë në luftë, ashtu edhe për të mbrojtur shtetet e tyre, meqë ky Zotëri ishte i guximshëm dhe i mësuar për luftë, ai u zgjodh Komandant dhe çdonjëri iu bind atij.”[7]

Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore, për të trajtuar probleme madhore në kuvende të përbashkëta. Në këtë aspekt edhe ky Kuvend i organizuar nga Skënderbeu, shënonte një nivel drejt ngritjes kombëtare. Në Kuvendin në fjalë, sipas Marin  Barlecit, bashkohës dhe historian i Skënderbeut, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë, si, bie fjala, Pal dhe Nikollë Dukagjini, nga Dukagjini; Lekë Zaharia, kryezot i Zadrimës së Epërme, Pjetër Spani i Shalës së Shoshit; Lekë Dushmani, bashkë me Pjetrin e Zadrimës; Gjergj Stres-Balsha i Misjes, ndërmjet Krujës dhe Lezhës; Andrea Topia i Skurës, ndërmjet Tiranës dhe Durrësit, bashkë me dy bijtë, Komninin e Muzakën dhe me nipin Tanushin; Gjergj Aranit Topia Komneni i Kaninës dhe i Shpatës; Teodor Korona Muzaka i Beratit, nga Arbëria Jugore. Shtjefën Çërnojeviqi (Gojçini), bashkë me të bijtë Gjergjin dhe Janin nga Zhabjaku i Malit të Zi; kryezoti i Himarës, si dhe krerë të tjerë nga Arbëria e Veriut dhe e Jugut.[8]  Në anën tjetër edhe pse kishte premtuar, përfaqësuesi i Republikës së Raguzës, nuk u pa në Kuvend. Gjithashtu edhe përfaqësuesi i Republikës së Venedikut (edhe  pse zotëronte pjesë të bregdetit Arbëror) nuk erdhi zyrtarisht, por erdhi në cilësi të një vëzhguesi. Madje, kjo Republikë, duke qenë në paqe me sulltanin, duke mos dashur t’i prishte marrëdhëniet me të, nuk iu dha asnjë premtim princave arbër.

Me krijimin e Lidhjes së Lezhës ishte bërë hapi i parë dhe shumë i rëndësishëm në rrugën e bashkimit. Në vitet e para të luftës ajo i dha një mbështetje të mirë Skënderbeut në përballimin  e pushtimit osman dhe politikës armiqësore të Venedikut.[9]  Mirëpo, me kalimin e kohës, në vetë gjirin e Lidhjes filluan të vepronin forca centrifugale që e dobësonin unitetin e saj. Lidhja e Lezhës, e krijuar si një aleancë politiko-ushtarake e kryezotërinjve arbërorë në luftën e përbashkët kundër  pushtimit osman, ngrihej mbi bazën e copëzimit feudal  dhe nënkuptonte respektimin e sovranitetit dhe të privilegjeve të princërve të veçantë.[10]/drita.info

 

– vazhdon – 

 

————————–

[1] G. Biemmi.  M., Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, (In Brescia: MDCCLVI): “ch’era pei due Marzo”, 29-39;

[2] B. Lewis et al. (eds). The Encyclopaedia of Islam, (Iran – Kha), vol. 4, (Leiden: E. J. Brill, New Edition, 1997),  139.

[3] C. Jireček. Geschichte der Serben, t . II  (1317 – 1537),  (Gotha:  1918), 139.

[4] M. Barleti, Historia e Skënderbeut, 91-94.

[5] D. Franco. Gli Illustri et Gloriosi Gesti, 7-8v.

[6] Charles Hopf.  Chroniques Greco-Romanes : Breve Memoria de li discendenti de nostra casa Musachi, 274-275;  R. Jurlaro. I Musachi : Despoti d’Epiro (Bari : Santo Spirito), 11, 13 (“II primo giorno del mese di maggio dell’ anno 1444, ad Alessio, cittá albanese nei domini di Venezia, il giovane condottiero, che della strategia dei Turchi conosceva gli intimi segreti, raccolse la fiaccola della resistenza del suo popolo, covata per tanto tempo negli eroici petti degli Arayniti, Musachi, Ducagin, Thopia, Leca-Zaccaria, Span, Balsha, Dushman e Cernovich di Montenegro“); rezultate sintetike për Kuvendin e Lezhës, të vjelura nga Barleci, Frëngu dhe Muzaka, duhet parë te: A. Plasari.  Skënderbeu : Një histori politike (Tiranë : Instituti i Studimeve Shqiptare, “Gjergj Fishta”, 2010), 327-330; Cfr. O. J. Schmitt. Skanderbeg: Der neue Alexander auf dem Balkan (Regensburg: Verlag Friedrich Pustet, 2009), 56-59.

[7] Breve Memoria, 274-275: “Poi fecero consiglio detti Signori d’Albania in Alessio; chi ce andò personalmente e chi ce mandò suoi sustituti, talchè il detto Scanderbegh fù creato e fatto lor Capitano in Albania, e ciascuni contribuiva de gente e de denari pro rata, et anco alcuni figliolide quelli signori militavano sotto de lui si per imprender la guerra, come ancoper difendere loro stati; per essere detto Signor prattico alla guerra e valente, fù fato Capitano et ogn’uno l’obedeva”; Gjon Muzaka, Memorje, përkth. Dh. Qiriazi (Tiranë: Botimet Toena, 1996), 20-21.

[8] M. Barleti, op. cit., 91-95; Athanese Gegaj, L’ Albanie et l’ Invasion turque au XVe siècle (Paris: Librairie Orientaliste Paul Geuthner, 1937), 59 – 61; A. Plasari, op. cit.,  327-330 ; O. J. Schmitt, op. cit., 56-59.

[9] K. Biçoku, Formimi dhe forcimi i pushtetit qendror nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, 18-32.

[10] Idem.

Shpëndaje: