Të jesh këshillëmbarë

Apr 26 • Meditimi i ditës

26 prill 2018 – E enjte, Zoja e Këshillit të mirë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Vap 1,12-14; Ps 112; Ef 1,3-6.11-12; Gjn 2,1-12)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëhiq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, ç`po ndiej sot në vete?
A jam ndoshta i/e lodhur, kam stres apo jam jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj, dëgjoj me vëmendje

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.

 

Gjn  2, 1-12

 

1 Të tretën ditë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë. Aty ishte edhe nëna e Jezusit. 2 Në dasmë ftuan edhe Jezusin e nxënësit e tij. 3 Kur u mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha:

“Nuk kanë më verë!”

4 [E] Jezusi i tha:

“Moj burrneshë, a është punë për ne? Ende nuk erdhi koha ime!”

5 Nëna e tij u tha shërbyesve:

“Bëni gjithçka t’ju thotë!”

6 Ishin aty të vëna gjashtë enë guri që shërbenin për larje të rëndomta të judenjve. Secila zinte dy apo tri masë. 7 Jezusi u tha shërbyesve:

“Mbushni enët me ujë!”

Ata i mbushën deri në grykë.

8 “Merrini tani ‑ u tha atëherë ‑ e çojani kryetarit të tryezës.”

Ata ia çuan. 9 Kur kryetari i tryezës e kërkoi ujin e kthyer në verë ‑ e nuk e dinte nga vinte ‑ shërbyesit, që e kishin mbushur ujin, e dinin ‑ kryetari i tryezës e thirri dhëndrin 10 dhe i tha:

“Çdo njeri më parë vë në tryezë verën e mirë e, kur t’i nxehë pija, sjell verë më të keqe. Ti e paske ruajtur verën e mirë deri tani!”

11 Kjo qe mrekullia e parë e Jezusit, të cilën e bëri në Kanë të Galilesë; e dëftoi lavdinë e vet dhe nxënësit e tij besuan në të.

12 Pastaj zbriti në Kafarnaum me nënën e vet, me vëllezërit [e vet], e me nxënësit e vet. Aty nuk qëndruan shumë ditë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Fillimi i përkujtimit të Zojës së Këshillit të mirë lidhet me 25 prillin 1467 kur një figurë e Zojës së Bekuar mrekullisht u transferua nga qyteti i Shkodrës në Shqipëri në qytetin Gjenacan, afër Rome, prej nga është përhapur me të shpejt nderimi i saj dhe ku është ndërtuar shenjtërorja e Nënës së Këshillit të Mirë. Meqenëse me 25 prill kremtohet Shën Marku, kjo festë është vendosur një ditë më vonë.
  • Në ditën e Zojës së Këshillit të Mirë jemi të thirrur në mënyrë të veçantë t`i drejtohemi me lutje Virgjërës së Lume Mari që të na mbrojë dhe këshillojë në të gjitha situatat e jetës, veçanërisht kur kemi nevoja serioze në jetë.
  • Çfarë do t`i kërkoja sot Zojës së Bekuar të më këshillojë? 

E lexoj, e dëgjoj fjalën edhe njëherë.  Nëse duhet disa herë, dhe vërej fjalën apo fjalinë që më flet. Lejojë të jehojë në zemrën time.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Të falemi Mari …
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash e

përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »