A i lejoj Zotit të m`i largoj shqetësimet nga zemra ime?
27 prill 2018 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Vap 13, 26-33; Ps 2; Gjn 14, 1-6)
Prania e Hyjit
E mrekullueshme është të jesh së bashku me miq, në afërsinë e tyre.
Kur jam me ty, o Zot, e di se jam në praninë e Krijuesit tim.
Më ke krijuar nga dashuria.
Madje të gjitha flokët e kresë i kam të njehur.
Prania jote, o Zot, është më e madhe se gjithçka.
Liria
Vdekja jote në kryq më ka liruar.
Mund të jetoj lirshëm dhe gëzueshëm, pa frikë prej vdekjes.
Mëshira jote nuk njeh kufi.
Ndërgjegjësimi
Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.
Po i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.
Po pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.
Fjala
Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli
dhe lejoji vëmendjes të pushojë në disa pjesë të tij.
Gjn 14, 1-6
Në atë kohë Jezusi tha:
1 “Mos t’ju shqetësohet zemra!
Besoni në Hyjin
edhe në mua besoni!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa.
Po të mos kishte, a do t’ju thoja:
‘Po shkoj t’ju bëj gati vendin’?
3 Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin,
do të vij prapë e do t’ju marr tek unë,
që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ku shkoj unë, ju e dini rrugën.”
5 “Zotëri ‑ i tha Toma ‑ Ne s’dimë kah po shkon. Si, pra, mund ta dimë udhën?”
6 Jezusi u përgjigj:
“Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta.
Askush nuk shkon tek Ati përveçse nëpër mua.
Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
- Ndoshta edhe unë jam ndonjëherë si Toma: Kur bëj pyetje për Jezusin, dua që të më lë rehat që vetë t`i qes gjërat në vend të vet.
- O Zot, më ndihmo që t`i dëgjoj premtimet e tua, t`i pranoj garancitë e tua, që të lejoj t`i heqësh shqetësimet nga zemra ime. Bëj që ta kem gjithmonë në mend se ti je me mua.
E lexoj, e dëgjoj fjalën edhe njëherë. Nëse duhet disa herë, dhe vërej fjalën apo fjalinë që më flet. Lejojë të jehojë në zemrën time.
Bashkëbisedimi
Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t i përgjigjem thirrjes sate të sotshme.
Më mëso ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme.
Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe meditimi në bazë të Shkrimit Shenjt.
Ati ynë …
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« Të jesh këshillëmbarë Njoftime historike për shtetin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (III) »