Jokli shqip, si u shpluhuros nga arkivi përkthimi i Çabejt

Apr 28 • Kulturë, Letërsi

Nga Ledi Shamku-Shkreli          

 

Plot 140 vjet pas lindjes së Norbert Joklit, gjerdani “Excipere” i botimeve “Çabej” sjell në Shqipëri për herë të parë një botim të tij. Bëhet fjalë për “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”, një punim i çmuar, shkruar nga Jokli 33-vjeçar në vitin 1911, pra mëse një shekull nga sot. Kurioze janë një sërë faktesh këtu: është vepra e tij e parë shkencore; me të ai mbrojti titullin në Universitetin e Vjenës; ky botim përbën të parin libër të Joklit në Shqipëri dhe po ashtu për herë të parë kemi mundësi që mendimin e Joklit ta lexojmë të bartur në gjuhën shqipe nga një kolos si Eqrem Çabej, i cili është edhe shqipëruesi i këtij botimi. Ndaj herësëparit sot do thënë se çdo studiues a student i albanologjisë mund të takohet me Joklin vetë e jo më veç me citimet mbi të siç ishte deri më tash.

Vetëm se më parë, ia vlen që t’i ftillojmë lexuesve kureshtarë si mbërriti kjo vepër deri këtu. Ka qenë viti 2006, kur Brikena Çabej më bëri me dije se në bibliografinë e plotë të Çabejt, përpos studimeve e botimeve të veta, në kronologjinë e viteve ‘50, dilte edhe përkthimi i “Studien zur albanischen Etymologie und Wortbildung” i Norbert Joklit, si kopje e daktilografuar ruajtur në arkivin e Institutit të Gjuhësisë e të Historisë. Nën shtysën e saj iu drejtova arkivit të institucionit ku dhe punoja asokohe. Pasi shkunda e shpluhurosa thuajse krejt raftet e arkivit, e gjeta daktiloshkrimin, i cili kish qëlluar pa emër e madje në katalog ishte gabimisht i regjistruar si punë e Anton Krajnit (një tjetër mik e koleg i Çabejt, bashkëhartues me të i Fjalorit të Gjuhës Shqipe 1954).

Arkivisti ngulmonte se shqipërimi qe punë e Krajnit, mirëpo sinjalizimi në bibliografi e sidomos karakteristikat krejt vetjake të shqipes së Çabejt nuk linin shumë vend për dyshim. E kështu nisi puna mësë pari për digjitalizimin e daktiloshkrimit, në të cilin merret me mend se mungonin krejt shenjat e germat e veçanta, të paqena në tastet e makinës së shkrimit me shirit. Nuk qe i thjeshtë rikonstruksioni i fjalëve të rralla plot me shenjat e mësipërme… Kështu që lypej origjinali dhe këtu ka vend për një detaj të çmuar: i vetëdijshëm se dikur Jokli do të botohej në shqip, për të shmangur çdo mangësi të botimit të kushdikurshëm, Çabej në përmbyllje të përkthimit kish vënë me dorën e vet shënimin: “Vepra në origjinal gjendet në Bibliotekën Kombëtare, në koordinatat 50B50”.

Mbresuese! Gjysmë shekulli më vonë pas këtij shënimi, e kërkuam me Brikenën origjinalin dhe e gjetëm po aty ku e shenjonte Çabej. Atbotë, m’u kujtua shprehja e tij: “Njerëzit janë bashkë edhe kur s’janë bashkë”.

Ishim më në fund bashkë me Çabejn e Joklin, por gatitja për botim e daktiloshkrimit, të zbardhur me siguri nga radhitëset e Institutit, kërkonte punë të mirëfilltë filologjike, punë e cila iu besua prof. Anila Omarit, specialiste e mirë e gjuhësisë historike, njohëse e metodës shkencore, eksperte e korpusit të Çabejt dhe po ashtu ndoruese e gjuhës gjermane, me të cilën lypeshin bërë krahasime saktësuese. Përveç punës së shkëlqyer, meritë e Omarit ishte edhe gjurmimi, e më pas gjetja në arkivë, e dorëshkrimit shqipërues të Çabejt. Dorëshkrimi zgjidhi çdo enigmë a dyshim që vinte prej mangësive që paraqiste daktiloshkrimi. E kështu sot kemi “Studime përmbi etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes”, sjellë më në fund në shqip pa asnjë ndërdyzje, mangësi a hamendje.

Sa i takon strukturës, libri është i ndarë në dy pjesë; në pjesën e parë merren në shqyrtim 139 lema nga leksiku i trashëguar i shqipes, ndërsa në pjesën e dytë, albanologu u kushton vëmendje 36 huazimeve. Përzgjedhja e lemave nuk është aspak me gand apo pa kriter. Të 139 fjalët burimore të shqipes, që Jokli zgjedh të rishqyrtojë, janë në fakt ose fjalë të cilat para Joklit ishin trajtuar si huazime, ose fjalë të lëna pa një etimologji të kthjellët. Shqip, ky punim i kthen repertorit burimor të gjuhës sonë plot 139 fjalë. Gjithsesi, nuk është këtu aspak çështje statistikash, pasi objekti studimor i këtij punimi ka përcaktuar mirëfilli edhe metodën po edhe synimin shkencor, duke kapërcen tejetej vlerën e 139 fjalëve të kthyera në shtëpinë e vet.

Qysh në titull bën përshtypje dubleti etimologji-fjalëformim, çka na bën të mendojmë ende pa e shfletuar librin se Jokli ka zgjedhur një shteg tejet të rëndësishëm për t’iu qasur etimonit, shtegun morfologjik. Kështu vetë Jokli, në shënimin hyrës të punimit, shkruan se “çështje të morfologjisë janë pothuaj gjithmonë të pandara nga çdo lloj kërkimi etimologjik”. Duke theksuar kësisoj, se analiza morfologjike nuk shpjegon thjesht fjalë, po gjedhe e struktura fjalëformuese, parashtesa e prapashtesa që vijnë nga agu i kohëve dhe që ende sot vijojnë të patrazuara të ndërtojnë fjalë a kuptime fjalësh. Kësisoj fjala shqip, përveçse shqip, nuk na është më aq opake dhe e huaj për nga ndërtimi, por vjen e bëhet e tejdukshme si të ish lëmuar akulli i sertë e i mveshur nga koha. Falë kësaj metode, nuk kemi vetëm shtim të repertorit leksikor të trashëguar, po fitohet sidomos dija mbi strukturën e gjuhës sonë si edhe repertori aktiv i morfemave fjalëformuese./drita.info

Shpërndaje

Comments are closed.

« »