Dinjiteti i punës sipas Mësimit Shoqëror të Kishës Katolike

May 1 • Res socialis

 

 a) Përmasa subjektive dhe objektive e punës

270    Puna e njeriut ka një përmasë të dyfishtë: objektive dhe subjektive. Në kuptimin objektiv është tërësia e veprimtarisë, e burimeve, e mjeteve dhe e teknikave të cilat njeriu i përdor për të prodhuar, për ta zotëruar tokën, sipas fjalëve të Librit të Zanafillës. Puna në kuptimin subjektiv është të vepruarit e njeriut si qenie dinamike, i aftë për të bërë veprime të ndryshme që i përkasin procesit të punës dhe që i përgjigjen thirrjes së tij personale: “Njeriu duhet ta sundojë tokën, duhet ta zotërojë atë, pasi si “shëmbëlltyrë dhe përngjasim i Hyjit” është një person, domethënë një qenie subjektive e aftë për të vepruar në mënyrë të programuar dhe racionale, e aftë për të vendosur për vetveten dhe e prirur për të realizuar vetveten. Si person, njeriu pra është subjekti i punës”.586

Puna në kuptimin objektiv përbën aspektin që ka të bëjë me veprimtarinë e njeriut, që ndryshon pareshtur me ndryshimin e kushteve teknike, kulturore, shoqërore dhe politike. Kurse në kuptimin subjektiv përvijohet si përmasë e përhershme e tij, pasi nuk varet nga ajo që njeriu realizon konkretisht dhe as nga lloji i veprimtarisë që ushtron, por ekskluzivisht nga dinjiteti i tij si qenie personale. Dallimi është vendimtar si për të kuptuar se cili është themeli bazë i vlerës dhe i dinjitetit të punës, ashtu edhe në rendin e problemit të një organizimi të sistemit ekonomik dhe shoqëror, që respekton të drejtat e njeriut.

271    Subjektiviteti i jep punës dinjitetin e saj të veçantë, që na pengon ta konsiderojmë thjesht si mall apo si një element impersonal të organizimit prodhues. Puna, pavarësisht nga vlera e saj e vogël apo e madhe objektive, është shprehje thelbësore e personit, është “actus personae” (akt i personit). Çdo formë materializmi dhe ekonomicizmi që përpiqet ta kthejë punëtorin thjesht në një mjet prodhimi apo forcë-pune, me vlerë ekskluzivisht materiale, do ta çnatyronte në mënyrë të pandreqshme thelbin e punës, duke e privuar nga qëllimi i saj më i fisshëm dhe thellësisht njerëzor. Personi është metri i dinjitetit të punës: “Nuk ekziston, në fakt, asnjë dyshim që puna e njeriut ka një vlerë të veten etike, e cila pa masa gjysmake dhe drejtpërdrejt mbetet e lidhur me faktin se ai që e bën atë është një person”.587

Përmasa subjektive e punës duhet të ketë parësi mbi përmasën objektive të punës, pasi është përmasa e vetë njeriut që punon, duke përcaktuar cilësinë dhe vlerën e saj më të lartë. Nëse mungon kjo vetëdije ose nëse kjo e vërtetë nuk njihet dhe pranohet, puna e humbet domethënien e vet më të vërtetë dhe më të thellë: në këtë rast, për fat të keq të shpeshtë dhe të përhapur, veprimtaria e punës dhe vetë teknikat e përdorura do të bëhen më të rëndësishme se njeriu dhe, nga aleate, do të kthehen në armike të dinjitetit të tij.

272    Puna e njeriut jo vetëm buron nga personi, por është thelbësisht e orientuar në mënyrë të renditur prej tij dhe synon drejt tij. Pavarësisht prej përmbajtjes së saj objektive, puna duhet të orientohet nga subjekti që e bën atë, për këtë qëllimi i punës, i çfarëdo pune, mbetet gjithmonë njeriu. Edhe nëse nuk mund të shpërfillet rëndësia e përbërësit objektiv të punës nën profilin e cilësisë së saj, ky përbërës, megjithatë, vihet nën varësinë e realizimit të njeriut, pra, të përmasës subjektive, falë të cilës është e mundshme të pohohet se puna është për njeriun dhe jo njeriu për punën dhe që “qëllimi i punës, i çfarëdo pune të bërë nga njeriu  edhe nëse është një punë shërbimi, apo monotone, në shkallën e zakonshme të vlerësimit, madje edhe më mënjanuese  mbetet gjithmonë vetë njeriu”.588

273    Puna e njeriut ka edhe një përmasë të thellë shoqërore. Puna e një njeriu, në fakt, gërshetohet me punën e njerëzve të tjerë: “Sot më shumë se kurrë të punosh do të thotë të punosh me të tjerët dhe të punosh për të tjerët: do të thotë të bësh diçka për dikë”.589 Edhe frytet e punës krijojnë raste shkëmbimesh, marrëdhëniesh dhe takimesh. Puna, për këtë arsye, s’mund të vlerësohet si duhet nëse nuk mbahet parasysh natyra e saj shoqërore: “meqë nëse nuk ekziston një trup me të vërtetë shoqëror dhe organik, nëse një rend shoqëror dhe juridik nuk mbron ushtrimin e punës, nëse pjesët e ndryshme, të varura nga njëra-tjetra, nuk lidhen dhe nuk kryhen në mënyrë të ndërsjellë, nëse, edhe për më tepër, nuk bëhen “ortake”, duke formuar gati një gjë të vetme, inteligjencë, kapital, punë, veprimtaria njerëzore nuk mund t’i prodhojë frytet e saj dhe, kështu nuk mund të vlerësohet dhe të paguhet si duhet, aty ku nuk mbahet parasysh natyra e saj shoqërore dhe individuale”.590

274    Puna është edhe “një detyrim, domethënë një detyrë e njeriut”.591 Njeriu duhet të punojë, sepse Krijuesi ia ka urdhëruar këtë, por edhe për t’iu përgjigjur kërkesave për mbajtjen dhe zhvillimin e njerëzisë së tij. Puna përvijohet si detyrim moral ndaj të afërmit, që është në vend të parë familja e tij, por edhe shoqëria, së cilës ai i përket, Kombi, bir apo bijë e të cilit është, mbarë familja njerëzore, anëtar i të cilit ai është; jemi trashëgimtarë të punës së breznive dhe njëkohësisht edhe krijues e autorë të së ardhmes së të gjithë njerëzve, që do të jetojnë pas nesh.

275    Puna përforcon identitetin e thellë të njeriut të krijuar në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të Hyjit: «Duke u bërë  nëpërmjet punës së vet  gjithnjë e më shumë zotërues i tokës, dhe duke përforcuar  po nëpërmjet punës  zotërimin e tij në botën e dukshme, njeriu, në çdo rast dhe në çdo fazë të këtij procesi, mbetet në linjën e urdhrit zanafillor të Krijuesit, i cili mbetet domosdoshmërisht dhe pazgjidhshmërisht i lidhur me faktin se njeriu është krijuar, si mashkull dhe femër, “në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të Hyjit”».592 Kjo cilëson veprimtarinë e njeriut në gjithësi: ai nuk është zotëria, por kujdestari, i thirrur për të pasqyruar në të vepruarit e vet gjurmën e Atij, përngjasim i të cilit ai është.

 

b)  Marrëdhëniet mes punës dhe kapitalit

276    Puna, për vetë karakterin subjektiv apo personal, është më e lartë se çdo faktor tjetër i prodhimit: ky parim vlen, në veçanti, për kapitalin. Sot, termi “kapital” ka kuptime të ndryshme: nganjëherë tregon mjetet materiale të prodhimit në ndërmarrje, nganjëherë burimet financiare të investuara në një nismë prodhuese apo edhe në një veprim në tregjet e bursave. Flitet edhe, në mënyrë jo krejt të përshtatshme, për “kapital njerëzor”, për të treguar burimet njerëzore, domethënë njerëzit, si të aftë për të punuar, për të njohur, për të krijuar, për të kapur me intuitë nevojat e të ngjashmëve të vet, për t’u mirëkuptuar në mënyrë të ndërsjellë si anëtarë të një organizate. I referohemi “kapitalit shoqëror” kur duam të tregojmë aftësinë e bashkëpunimit dhe të kolektivitetit, fryt i investimit në një lidhje besimi të ndërsjellë. Kjo shumëllojshmëri domethëniesh na jep shkase të mëtejshme për të reflektuar mbi atë se çfarë do të thoshte, sot, marrëdhënia mes punës dhe kapitalit.

277    Doktrina shoqërore ka trajtuar marrëdhëniet mes punës dhe kapitalit, duke vënë në dukje si përparësinë e të parës mbi të dytën, ashtu edhe përplotësinë e tyre.

Puna në vetvete ka një përparësi në krahasim me kapitalin: «Ky parim ka të bëjë drejtpërsëdrejti me vetë procesin e prodhimit, në lidhje me të cilin puna është gjithmonë një shkak parësor veprues, ndërsa “kapitali” duke qenë tërësia e mjeteve të prodhimit, mbetet vetëm një mjet apo shkaku instrumental27*. Ky parim është një e vërtetë e dukshme që del prej përvojës historike të njeriut».593 Ai “i përket trashëgimisë së qëndrueshme të doktrinës së Kishës”.594

Mes punës dhe kapitalit duhet të ketë një përplotësi: është vetë logjika që procesi prodhues ka në vetvete e cila tregon nevojën e depërtimit të ndërsjellë të tyre dhe ngutin për t’i dhënë jetë sistemeve ekonomike në të cilët antinomia (kontradikta e hapur) mes punës dhe kapitalit tejkalohet.595 Në kohët kur, brenda një sistemi ekonomik më pak kompleks, “kapitali” dhe “puna me mëditje” identifikoheshin me njëfarë saktësie jo vetëm si dy faktorë prodhues, por edhe, dhe sidomos, si dy klasa konkrete shoqërore, Kisha pohonte se të dyja në vetvete janë të ligjshme:596 “as kapitali s’mund të jetë pa punën, as puna pa kapitalin”.597 Bëhet fjalë për një të vërtetë që vlen edhe sot, pasi “është krejt e rreme t’i vishet vetëm kapitalit ose vetëm punës ajo që merret prej punës së njësuar të njërit dhe të tjetrës; dhe është krejt e padrejtë që njëri t’ia veshë vetes atë që bëhet, duke mohuar efektshmërinë e tjetrës”.598

278    Në shqyrtimin e marrëdhënieve mes punës dhe kapitalit, sidomos përballë shndërrimeve të fuqishme të kohëve tona, duhet të pohojmë se “burimi kryesor” dhe “faktori vendimtar”599në dorë të njeriut është vetë njeriu, dhe se “zhvillimi tërësor i njeriut në punë nuk kundërshton, por favorizon prodhimtarinë dhe efektshmërinë më të madhe të punës”.600 Bota e punës, në fakt, është duke zbuluar gjithnjë e më shumë se vlera e “kapitalit njerëzor” gjen shprehje në njohjen e punëtorëve, në mundësinë e tyre për të krijuar marrëdhënie, në krijimtarinë dhe në sipërmarrjen e tyre, në aftësinë për t’u përballur në mënyrë të vetëdijshme me të renë, për të punuar së bashku dhe për të ndjekur objektiva të përbashkëta. Bëhet fjalë për cilësi tamam personale, që i përkasin subjektit të punës më shumë se aspekteve objektive, teknike dhe vepruese të punës. E gjithë kjo bashkëmbart një perspektivë të re në marrëdhëniet mes punës dhe kapitalit: mund të pohojmë se, në kundërshtim me atë që ndodhte në organizimin e vjetër të punës ku subjekti vihet në të njëjtin nivel me objektin, me makinën, sot përmasa subjektive e punës priret të jetë më vendimtare dhe më e rëndësishme se ajo objektive.

279    Marrëdhënia mes punës dhe kapitalit paraqet shpesh karakteristikat e konfliktualitetit, që merr karakteristika të reja me ndryshimin e konteksteve shoqërore dhe ekonomike. Dje, konflikti mes kapitalit dhe punës buronte, sidomos “nga fakti se punëtorët vinin të gjitha forcat në dispozicion të grupit të sipërmarrësve, dhe se ky, i udhëhequr nga parimi i përfitimit maksimal të prodhimit, kërkonte të caktonte paga sa më të ulta për punën e bërë nga punëtorët”.601 Aktualisht, konflikti paraqet aspekte të reja dhe, më shqetësuese: përparimi shkencor dhe teknologjik dhe përbotëzimi i tregjeve, në vetvete burim zhvillimi dhe përparimi, i vë punëtorët në rrezikun e të qenët të shfrytëzuar nga ingranazhet e ekonomisë dhe nga kërkimi i shfrenuar i prodhimtarisë.602

280    Nuk duhet të pohohet gabimisht se procesi i kapërcimit të varësisë së punës nga lënda është i aftë në vetvete të kapërcejë tjetërsimin në punë dhe të punës. Nuk bëhet fjalë vetëm për situatat e shumta të mungesës së punës, të punës në të zezë, të punës së fëmijëve, të punës së nënpaguar, të punës së shfrytëzuar, që ende vazhdojnë, por edhe të formave të reja, shumë më të holla, të shfrytëzimit të punëve të reja, të mbi-punëve, të punës-karrierë që nganjëherë i vjedh hapësirë përmasave po aq njerëzore dhe të nevojshme për personin, të elasticitetit të tepërt të punës që e bën të pasigurt dhe nganjëherë të pamundur jetën familjare, të modularitetit28* të punës që rrezikon të ketë ndikime të rënda mbi perceptimin tërësor të ekzistencës dhe të qëndrueshmërisë së marrëdhënieve familjare. Nëse njeriu tjetërsohet kur ua ndërron vendet mjeteve dhe qëllimeve, edhe në kontekstin e ri të punës jo materiale, të lehtë, më cilësore se sasiore, mund të paraqiten elemente tjetërsimi “sipas rritjes… së pjesëmarrjes (së njeriut) në një bashkësi solidare autentike, ose sipas rritjes së izolimit të tij në një kompleks marrëdhëniesh konkurruese të egërsuara dhe largim e ftohje të ndërsjellë”.603

 

c) Puna, dhënia e të drejtës për pjesëmarrje

281    Marrëdhënia mes punës dhe kapitalit gjen shprehje edhe nëpërmjet pjesëmarrjes së punëtorëve në pronësinë, mbarështimin dhe frytet e saj. Kjo është një kërkesë shumë shpesh e lënë pas dore, që në fakt duhet ta vlerësojmë më mirë: “secili, në bazë të punës së vet, duhet të ketë të drejtë të plotë ta konsiderojë veten në të njëjtën kohë edhe “bashkë-pronar” të bankës së madhe të punës, ku angazhohen të gjithë bashkë. Dhe një rrugë drejt kësaj pikëmbërritjeje mund të jetë ajo e shoqërimit, për sa është e mundur, të punës me pronësinë e kapitalit dhe për t’i dhënë jetë një game të pasur trupash të ndërmjetëm me qëllim ekonomik, shoqëror dhe kulturor: trupa që gëzojnë një autonomi reale në krahasim me pushtetet publike, që ndjekin objektivat e tyre specifik në raporte bashkëpunimi të ndërsjellë dhe të ndershëm, në vartësi të nevojave të së mirës së përbashkët, dhe që paraqesin formën e substancën e një bashkësie të gjallë, domethënë që në këto trupa anëtarët përkatës të konsiderohen dhe të trajtohen si persona e të nxiten që të marrin pjesë aktive në jetën e tyre”.604 Organizimi i ri i punës, ku dija vlen më shumë se vetëm pronësia e mjeteve të prodhimit, pohon në mënyrë konkrete se puna, për shkak të karakterit të saj subjektiv, është dhënie e të drejtës për pjesëmarrje: është e domosdoshme që të kapemi pas kësaj vetëdijeje për të vlerësuar pozicionin e drejtë të punës në proceset prodhuese dhe për të gjetur mënyrën e pjesëmarrjes në përputhje me subjektivitetin e punës në veçantinë e situatave të ndryshme konkrete.605

 

d) Marrëdhënia mes punës dhe pronës private

282    Magjisteri shoqëror i Kishës e nyjëzon marrëdhënien mes punës dhe kapitalit edhe në lidhje me institucionin e pronës private, të drejtën relative dhe përdorimin e saj. E drejta për pronë private është në vartësi të parimit të adresimit universal të të mirave dhe nuk duhet të jetë motiv pengesash për punën dhe zhvillimin e të tjerëve. Pasuria, që është fituar sidomos me punë, duhet t’i shërbejë punës. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për zotërimin e mjeteve të prodhimit; por ky parim ka të bëjë edhe me të mirat e botës financiare, teknike, intelektuale dhe personale.

Mjetet e prodhimit “nuk mund të zotërohen kundër punës, nuk mund të zotërohen as për të zotëruar”.606 Zotërimi i tyre bëhet i paligjshëm kur pasuria “nuk vlerësohet apo shërben për të penguar punën e të tjerëve, për të siguruar një fitim që nuk lind nga zgjerimi global i punës dhe i pasurive shoqërore, por nga ngjeshja e tyre, nga shfrytëzimi i paligjshëm, spekullimi dhe thyerja e solidaritetit në botën e punës”.607

283    Prona private dhe publike, si edhe mekanizmat e sistemit ekonomik duhet të parapërgatiten për një ekonomi në shërbim të njeriut, në mënyrë që të ndihmojnë për vënien në jetë të parimit të adresimit universal të të mirave. Në këtë perspektivë bëhet e rëndësishme çështja që ka lidhje me pronën, përdorimin e teknologjive dhe të njohurive të reja, që përbëjnë, në kohën tonë, një formë tjetër të veçantë pronësie, me rëndësi jo më të vogël se ajo e tokës dhe e kapitalit.608 Këto burime, ashtu si edhe të gjitha të mirat e tjera, kanë një adresim universal; edhe ato përfshihen në një kontekst normash juridike dhe rregullash shoqërore që garantojnë përdorimin e tyre me kritere drejtësie, barazie dhe respektimi të të drejtave të njeriut. Njohuritë e reja dhe teknologjitë, falë potencialeve të tyre të stërmëdha, mund të japin një ndihmesë vendimtare në nxitjen e përparimit shoqëror, por rrezikojnë të bëhen burim papunësie dhe të zmadhojnë largësinë mes zonave të zhvilluara dhe zonave të nënzhvilluara, nëse mbeten të përqendruara në Vendet më të pasura apo në duart e grupeve të vogla që kanë në dorë pushtetin.

 

e) Pushimi i ditës së festës

284    Pushimi i ditës së festës është një e drejtë.609 Hyji “të shtatën ditë pushoi nga çdo punë që kishte bërë” (Zan 2, 2): edhe njerëzit, të krijuar në përngjasim të Tij, duhet të gëzojnë pushime dhe kohë të lirë të mjaftueshme që t’u mundësojë atyre të kujdesen për jetën familjare, kulturore, shoqërore dhe fetare.610 Për këtë ndihmon caktimi i ditës së Zotit.611 Besimtarët, gjatë ditës së diel dhe ditëve të festave të tjera të urdhëruara, duhet të mos bëjnë punë apo veprimtari që pengojnë kultin kremtuar Hyjit, harenë e tyre në ditën e Zotit, praktikimin e veprave të mëshirës dhe nevojën për të pushuar mendjen e trupin”.612 Nevoja familjare apo kërkesa për dobishmëri shoqërore në mënyrë të ligjshme mund të përjashtojnë nga pushimi i ditës së diel, por nuk duhet të krijojnë zakone në dëm të fesë, të jetës familjare dhe të shëndetit.

285    E diela është një ditë që duhet të shenjtërohet me një dashuri vepruese, duke i kushtuar përkujdesje familjes dhe të afërmve, si edhe të sëmurëve, atyre që vuajnë, të moshuarve; as nuk duhet të harrohen ata “vëllezër që kanë po ato nevoja e po ato të drejta dhe që nuk mund të pushojnë për shkak të varfërisë e të mjerimit”;613 përveç kësaj është një kohë e përshtatshme për reflektim, heshtje, studim, që favorizon rritjen e jetës së brendshme dhe të krishterë. Besimtarët duhet të dallohen, edhe në këtë ditë, për përkormërinë e tyre, duke shmangur të gjitha teprimet dhe veprimet e dhunshme që shpesh karakterizojnë dëfrimet në masë.614 Dita e Zotit duhet të jetohet gjithmonë si dita e lirimit, që na bën të marrim pjesë “të bashkuar në festë dhe në bashkimin e të parëlindurve emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell” (krh. Heb 12, 22-23) dhe hershon kremtimin e Pashkës përfundimtare në lavdinë e qiellit.615

286    Autoritetet publike kanë të drejtën të mbikëqyrin me qëllim që shtetasve të mos u hiqet, për arsye të prodhimit ekonomik, një kohë e caktuar për pushimin dhe kultin hyjnor. Punëdhënësit kanë një detyrim të ngjashëm ndaj punëmarrësve të tyre.616 Të krishterët duhet të përpiqen, duke respektuar lirinë fetare dhe të mirën e përbashkët të të gjithëve, që ligjet ta njohin të dielën dhe solemnitetet e tjera liturgjike si ditë feste: “U takon atyre që t’u japin të gjithëve një shembull publik lutje, respektimi, gëzimi dhe ruajtje të traditave të tyre si një ndihmesë e çmuar për jetën shpirtërore të shoqërisë njerëzore”.617 Çdo i krishterë do të duhet “të shmangte që, pa nevojë, t’u diktojë të tjerëve atë që do t’i pengonte ata ta mbanin ditën e Zotit”.618

 

(Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe Paqes, Përmbledhje e Doktrinës Shoqërore të Kishës, Libreria Editrice Vaticana & Botimet e Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, Shkodër 2006, ff. 165-174. Teksti është marrë nga www.vatican.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »