PUNA E NJERIUT:  aspekte biblike

May 1 • Res socialis

 

a) Detyra për ta punuar dhe për ta ruajtur tokën

255    Besëlidhja e Vjetër e paraqet Hyjin si Krijues të gjithëpushtetshëm (krh. Zan 2, 2; Jb 38-41; Ps 104; Ps 147), që e plazmon njeriun në shëmbëlltyrë e në përngjasim të Vet, e fton për ta punuar tokën (krh. Zan 2, 5-6) dhe për ta ruajtur kopshtin e Edenit ku e ka vënë atë (krh. Zan 2, 15)Çiftit të parë të njerëzve Hyji u beson detyrën për ta sunduar tokën dhe për të zotëruar mbi çdo qenie të gjallë (krh. Zan 1, 28). Zotërimi i njeriut mbi qeniet e tjera të gjalla, megjithatë, nuk duhet të jetë despotik dhe i pamend; përkundrazi, ai duhet “t’i kultivojë dhe t’i ruajë” (krh. Zan 2, 15) të mirat e krijuara nga Hyji: të mira që njeriu nuk i ka krijuar, por që i ka marrë si një dhuratë të çmueshme nga Krijuesi, të vëna nën përgjegjësinë e tij. Ta punosh tokën do të thotë të interesohesh për të; të ushtrosh zotërim mbi të do të thotë të kujdesesh për të, ashtu si një mbret i urtë kujdeset për popullin e vet dhe një bari për grigjën e vet.

Në planin e Krijuesit, realitetet e krijuara, të mira në vetvete, ekzistojnë në funksion të njeriut. Mrekullimi përpara misterit së madhërisë së njeriut bën që psalmisti të thotë: “Çka është atëherë njeriu që ta kujtosh, biri i Adamit që të përkujdesesh për të? E pra, e bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e shkëlqim, i dhe pushtet mbi veprat e duarve të tua. Gjithçka vure nën këmbët e tija” (Ps 8, 5-7).

256    Puna i përket gjendjes zanafillore të njeriut dhe i paraprin rënies së tij: për këtë nuk është as një dënim dhe as një mallkim. Ajo bëhet mund dhe lodhje për shkak të mëkatit të Adamit dhe të Evës, të cilët e prishin marrëdhënien e tyre plot besim dhe të harmonishme me Hyjin (krh. Zan 3, 6-8). Ndalimi për të ngrënë “prej pemës së dijes së të mirës dhe të së keqes” (Zan 2, 17) i kujton njeriut se ai i ka marrë të gjitha si dhuratë dhe se vazhdon të jetë një krijesë dhe jo Krijuesi. Mëkati i Adamit dhe i Evës u shkaktua pikërisht nga ky tundim: “do të bëheni porsi Hyji” (Zan 3, 5). Ata donin t’i zotëronin në mënyrë absolute të gjitha gjërat, pa iu nënshtruar vullnesës së Krijuesit. Qysh atëherë, toka u bë koprrace, mosmirënjohëse, armike (krh. Zan 4, 12); vetëm me djersën e ballit njeriu do të ketë mundësi të marrë prodhim nga toka (krh. Zan 3, 17.19). Me gjithë mëkatin e prindërve të parë, plani i Krijuesit, kuptimi i krijesave të Veta dhe, mes këtyre, njeriu, i thirrur për ta punuar dhe për ta ruajtur krijimin, mbesin të pandryshuar.

257    Puna duhet të nderohet pasi është burim pasurie ose të paktën kushtesh të hijshme jetese dhe, në përgjithësi, është një mjet i efektshëm kundër varfërisë (krh. Fu 10, 4), por nuk duhet të biem nën tundimin që ta adhurojmë atë, pasi në të nuk mund të gjendet kuptimi bazë dhe përfundimtar i jetës. Puna është thelbësore, por është Hyji, dhe jo puna, burimi i jetës dhe qëllimi i njeriut. Parimi themelor i Urtisë, në fakt, është Droja e Hyjit25*; kërkesa për drejtësi, që rrjedh prej kësaj, i paraprin fitesës: “Më shumë vlen pakica me frikën e Zotit, se visare të mëdha e me to shqetësimi” (Fu 15, 16): “Më mirë është pakica me drejtësi, se fitesat e mëdha pa drejtësi” (Fu 16, 8).

258    Kulmi i mësimit biblik për punën është urdhri për pushimin e të shtunës. Njeriut, i lidhur me nevojën për punë, pushimi i hap perspektivën e një lirie më të plotë, atë të së Shtunës së përjetshme (krh. Heb 4, 9-19). Pushimi bën që njerëzit të kujtohen dhe t’i rijetojnë veprat e Hyjit, nga Krijimi në Shëlbim, ta njohin veten si njërën prej veprave të Tij (krh. Ef 2, 10), ta falënderojnë për jetën e tyre dhe për bazimin e saj në Të, që është autori.

Përkujtimi dhe përvoja e të shtunës përbëjnë një kështjellë kundër skllavërimit të punës, të zgjedhur apo të detyruar dhe, kundër çdo forme shfrytëzimi, të fshehtë apo të hapur. Pushimi i të shtunës, në fakt, përveçse për të mundësuar pjesëmarrjen në kultin e Hyjit, është caktuar edhe për të mbrojtur të varfrin; një tjetër funksion i saj është edhe lirimi nga degjenerimi26*kundërshoqëror i punës së njeriut. Ky pushim, që mund të zgjasë edhe një vit, bashkëmbart, në fakt, një shpronësim të fryteve të tokës në dobi të të varfrit dhe një shtyrje të të drejtave të pronësisë së të zotit të tokës: “Gjashtë vjet mbille tokën tënde e mblidhi frytet, kurse të shtatin vit lëre djerr të pushojë që ta shfrytëzojnë të varfrit e popullit tënd dhe çfarë të teprojë le ta hanë kafshët e egra. Po kështu vepro edhe me vreshtin e ullishtën tënde” (Dal 23, 10-11). Ky zakon i përgjigjet një intuite të thellë: grumbullimi i të mirave nga disa njerëz mund të bëhet një përvetësim dhe grabitje e të mirave të disa të tjerëve.

 

b)  Jezusi njeri i punës

259    Në predikimin e Vet Jezusi na mëson që ta vlerësojmë punën. Ai vetë “pasi u bë i ngjashëm me ne në gjithçka, ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës së Vet mbi tokë punës së dorës, në një zdrukthëtari”,573 në punishten e Jozefit (krh. Mt 13, 55; Mk 6, 3), të cilit i bindej në gjithçka (krh. Lk 2, 51). Jezusi dënon sjelljen e shërbëtorit dembel, që fsheh nën tokë talentin (krh. Mt 25, 14-30) dhe lavdëron shërbëtorin besnik dhe të kujdesshëm, që zotëria e gjen të përqendruar në detyrat e besuara (krh. Mt 24, 46). Ai e përshkruan vetë misionin e Vet si një të vepruar: “Ati im vepron gjithmonë e, edhe unë veproj” (Gjn 5, 17); dhe nxënësit e Tij si punëtorë në të korrat e Zotërisë, që është njerëzimi për t’u ungjillëzuar (krh. Mt 9, 37-38). Për këta punëtorë vlen parimi i përgjithshëm sipas të cilit “punëtori ka tagër në rrogën e vet” (Lk 10, 7); ata janë të autorizuar që të flenë në shtëpinë ku i mikpresin, të hanë dhe të pinë atë që të tjerët u vënë përpara (krh. po ai).

260    Në predikimin e Vet Jezusi u mëson njerëzve që të mos e lënë veten të skllavërohen prej punës. Ata duhet të shqetësohen para së gjithash për shpirtin e tyre; fitimi i mbarë botës nuk është qëllimi i jetës së tyre (krh. Mk 8, 36). Thesaret e tokës, në fakt, harxhohen, ndërsa thesaret e qiellit janë të përjetshme: me këta duhet ta lidhim zemrën tonë (krh. Mt 6, 19-21). Puna nuk duhet të na e marrë frymën (krh. Mt 6, 25.31.34): i shqetësuar dhe i trazuar për shumë gjëra, njeriu rrezikon ta lërë pas dore Mbretërinë e Hyjit dhe drejtësinë e Tij (krh. Mt 6, 33), për të cilën ka aq shumë nevojë; gjithçka tjetër, përfshirë edhe punën, gjen vendin, domethënien dhe vlerën e vet vetëm nëse orientohet drejt kësaj gjëje të vetme të nevojshme, që nuk do t’i hiqet kurrë (krh. Lk 10, 40-42).

261    Gjatë mbarështimit të Vet tokësor, Jezusi punonte pa u lodhur, duke bërë vepra të fuqishme për ta liruar njeriun nga sëmundja, vuajtja dhe vdekja. E shtuna, që Besëlidhja e Vjetër e kishte propozuar si ditë lirimi dhe që, e zbatuar vetëm formalisht, boshatisej nga domethënia e saj e vërtetë, është ripohuar nga Jezusi në vlerën e saj zanafillore: “E shtuna u bë për njeriun e jo njeriu për të shtunën” (Mk 2, 27). Me shërimet, e bëra në këtë ditë pushimi (krh. Mt 12, 9-14; Mk 3, 1-6; Lk 6, 6-11; 13, 10-17; 14, 1-6), Ai dëshiron të tregojë se dita e shtunë është e Tij, pasi Ai është me të vërtetë Biri i Hyjit dhe, që është dita në të cilën duhet t’i kushtohemi Hyjit dhe të tjerëve. Lirimi nga e keqja, praktikimi i vëllazërisë dhe i bashkëndarjes do të thotë t’ia kthesh punës domethënien e vet më të fisshme, atë që i mundëson njerëzimit të ecë drejt të Shtunës së amshuar, ku pushimi bëhet festa e aspiruar thellësisht nga njerëzimi. Pikërisht sepse e orienton njerëzimin që të bëjë përvojën e të shtunës së Hyjit dhe të jetës së Tij gostinore, pua nërurpon në tokë krijimin e ri.

262    Veprimtaria njerëzore e pasurimit dhe e shndërrimit të gjithësisë mund dhe duhet të nxjerrë në dritë përsosmëritë e fshehura në të, që në Fjalën e pakrijuar kanë parimin dhe modelin e tyre. Shkrimet e Palit dhe të Gjonit apostuj, në fakt, vënë në dritë përmasën trinitare të krijimit dhe, në veçanti, lidhjen që ekziston mes Birit-Fjalë, “Logos”, dhe krijimit (krh. Gjn 1, 3; 1 Kor 8, 6; Kol 1, 15-17). E krijuar në Të dhe me anë të Tij, si edhe e shëlbuar prej Tij, gjithësia nuk është një grumbull rastësor, por një “kozmos”,574 rendin e të cilit njeriu duhet të zbulojë, ta ndjekë dhe ta çojë në plotësi. «Në Jezu Krishtin bota e dukshme, e krijuar nga Hyji për njeriun  ajo botë që, duke qenë se ka hyrë mëkati i “është nënshtruar kotësisë” (Rom 8, 20; krh. po aty, 8, 19-22)  rifiton sërish lidhjet zanafillore me burimin hyjnor të Urtisë dhe të Dashurisë».575 Në këtë mënyrë, ose duke vënë në dritë, në progresion rritës, “pasurinë e pashqyrtueshme të Krishtit” (Ef 3, 8) në krijim, puna e njeriut shndërrohet në një shërbim që i bëhet madhësisë së Hyjit.

263    Puna paraqet një përmasë themelore të ekzistencës njerëzore si pjesëmarrje jo vetëm në veprën e krijimit, por edhe të shëlbimit. Kush duron lodhjen e mundimshme të punës në bashkim me Jezusin, në njëfarë kuptimi, bashkëpunon me Birin e Hyjit në veprën e Tij shëlbuese dhe tregohet nxënës i Krishtit duke mbartur Kryqin, çdo ditë, në veprimtarinë që është thirrur të bëjë. Në këtë perspektivë, puna mund të konsiderohet si një mjet shenjtërimi dhe një gjallërim i realiteteve tokësore me Shpirtin e Krishtit.576 E paraqitur kështu puna është shprehje e njerëzores së plotë të njeriut, në rrethanat e tij historike dhe në orientimin e tij eskatologjik: veprimi i tij lirues dhe përgjegjës zbulon lidhjen e ngushtë me Krijuesin dhe potencialin e vet krijues, ndërsa lufton çdo ditë kundër shpërfytyrimit të mëkatit, edhe duke fituar bukën me djersën e ballit.

 

c) Detyra për të punuar

264    Vetëdija e kalimtarshmërisë së “trajtës së kësaj bote” (krh. 1 Kor 7, 31) nuk përjashton nga asnjë angazhim historik, aq më pak nga puna (krh. 2 Sel 3, 7-15), që është pjesë integruese e gjendjes njerëzore, edhe pse nuk është arsyeja e vetme e jetës. Asnjë i krishterë, për faktin se i përket një bashkësie solidare dhe vëllazërore, nuk duhet ta ndiejë se ka të drejtë të mos punojë dhe të jetojë në krahët e të tjerëve (krh. 2 Sel 3, 6-12); të gjithë janë të nxitur nga Pali apostull që ta kenë “për nder” të punojnë me duart e veta, që “të mos kenë nevojën e kujt” (1 Sel 4, 11-12) dhe të praktikojnë një solidaritet edhe material, duke bashkëndarë frytet e punës me “atë që ka nevojë” (Ef 4, 28). Shën Jakobi mbron të drejtat e marra nëpër këmbë të punëtorëve “Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së Ushtrive!” (Jak 5, 4). Besimtarët duhet ta jetojnë punën me stilin e Krishtit dhe ta bëjnë rast dëshmie të krishterë: “përkundrejt atyre që nuk janë në fe” (1 Sel 4, 12).

265    Etërit e Kishës kurrë nuk e konsiderojnë punën si një “opus servile” (punë shërbëtorësh)– siç jetohet prej kulturës së kohës së tyre -, por gjithmonë si “opus humanum” (punë njerëzish të lirë), dhe priren t’i nderojnë të gjitha shprehjet e saj. Nëpërmjet punës, njeriu bashkë me Hyjin mbarështon botën, së bashku me Të është zotëria i saj dhe kryen gjëra të mira për veten e vet dhe për të tjerët. Plogështia e dëmton njeriun, kurse veprimtaria i bën mirë trupit dhe shpirtit.577 I krishteri është thirrur të punojë jo vetëm që të fitojë bukën, por edhe për t’u përkujdesur për të afërmin më të varfër, të cilit Zoti na urdhëron t’i japim për të ngrënë, për të pirë, për ta veshur, për ta mirëpritur, për t’u kujdesur për të dhe për t’i bërë shoqëri atij (krh. Mt 25, 35-36).578 Secili punëtor, pohon shën Ambrozi, është dora e Krishtit që vazhdon të krijojë dhe të bëjë mirë.579

266    Me punën dhe zellin e tij, njeriu, pjesëmarrës në artin dhe urtinë hyjnore, e bën më të bukur krijimin, kozmosin të orientuar në mënyrë të renditur nga Ati;580 ngjall ato energji shoqërore dhe të përbashkëta që ushqejnë të mirën e përbashkët,581 në dobi sidomos të më nevojtarëve. Puna e njeriut, që ka për qëllim bamirësinë, bëhet rast për soditje, shndërrohet në lutje të devotshme, në asketikë vigjilente dhe në shpresë të ankthme të ditës pa mbarim: “Në këtë vizion më të lartë, puna, mundim dhe njëkohësisht çmim i veprimtarisë njerëzore, bashkëmbart një marrëdhënie tjetër, domethënë atë thelbësisht fetare, që është shprehur mjaft mirë në formulën benediktine: “Ora et labora” (Lutu dhe puno)! Realiteti fetar i jep punës së njeriut një përshpirtëri gjallëruese dhe shëlbuese. Kjo lidhje e thellë mes punës dhe fesë pasqyron besëlidhjen e mistershme, por reale, që ekziston mes të vepruarit njerëzor dhe atij provanor të Hyjit”.582

 

(KËSHILLI PAPNOR I DREJTËSISË DHE PAQES, Përmbledhje e Doktrinës Shoqërore të Kishës, Libreria Editrice Vaticana & Botimet e Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, Shkodër 2006, ff. 157-163. Teksti është marrë nga www.vatican.va)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »